2015-10-15 14:53:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: unë, ti e Zoti


Duke ndjekur Sinodin e Ipeshkvijve për Familjen, edhe ne, të dashur dëgjues, iu nxisim të reflektojmë së bashku për problematikat e shumta, që lidhen me çiftin bashkëshortor, fëmijët, martesën e marrëdhëniet me Zotin. Sot, do të ndalemi pikërisht në këto të fundit, pra në mënyrën se si e përjeton familja dikimin e Shpirtit Shenjt.

         Pak vetë mendojnë për shenjtërinë e, edhe më pak, mendojnë se mund ta arrijnë si çift, së bashku. E jo të gjithë e konsiderojnë shenjtërinë si rrugë jete në shoqërinë e Zotit, por mendojnë se është cak apo horizont për t'u arritur, me ankthin e atij që nuk sheh ku shkel. Por Hyji nuk duhet arritur, duhet jetuar.

         Si lumturia, edhe shenjtëria, nuk është ndonjë stacion ku duhet të arrijë treni i jetës, por një mënyrë udhëtimi.  Zoti i propozon si burrit, ashtu edhe gruas, një dashuri, karakteristike për bijtë e Hyjit. Ëndërra e Tij është të ecë së bashku me krijesën e vet. Dëshira e Tij, që në zanafillë, është të mos përjashtohet nga dashuria njerëzore. Edhe Zotit nuk i pëlqen ta mënjanojnë… Ndërkaq, historia njerëzore nuk mund të bëhet pa dashuri, por dashuria është vetë Zoti. E kështu, edhe historia e shenjtërimit të çiftit s’mund të jetë tjetër, veçse dashuri e jetuar me Zotin, në jetën e përditshme.

         Histori, që kalon përmes vdekjes e ringjalljes: ligji i vetëm, i jetuar e pastaj i shkruar në letër, është ai i Krishtit. E është kështu, sepse ishte dhe mbetet ligj dashurie. E dashuria nuk shkruhet, jetohet. Për shëlbimin, është i nevojshëm kalimi dramatik përmes vdekjes. Të vdesësh, për t’u ringjallur, është ligj i jetës së krishterë e ligj i dashurisë së krishterë. “Nëse fara nuk vdes, nuk sjell fryte…”. Sakramenti i martesës nuk është “recetë katolike”, që u jep mundësinë çifteve të kenë thërrimen e tyre të lumturisë. Bashkëshortët e krishterë e dinë se jeta e tyre, ashtu si çdo jetë njerëzore, është e lumtur dhe dramatike njëherësh. “E lumtur”, sepse e shëlbuar nga Krishti. “Dramatike”, sepse vuajtja, keqkuptimi, mungesa e sigurisë, vetë vdekja, janë gjithnjë gati e presin në pragun e çdo shtëpie. “Dramatike”, edhe për faktin se largimi nga faji dhe egoizmi nuk ndodh kurrë pa luftë e dhimbje.

         Në jetën e përditshme, në travajët e vogla e të mëdha, bashkëshortët alternojnë çastet e vdekjes me ato të ringjalljes. “Të heqësh dorë” nga prania e bashkëshortit për ta lejuar të kryejë detyrën e vet, do të thotë të vdesësh e të ringjallesh. “Të përpiqesh” për ta bërë tjetrin të gëzohet, në vend që mendosh vetëm për kënaqësinë tënde, do të thotë të vdesësh e të ringjallesh. “Ta pranosh” vuajtjen, në mënyrë që të kthehet në purifikim e përsosje, do të thotë të vdesësh e të ringjallesh. “T’i durosh” keqkuptimet, mospërfilljen e madje edhe harresën, vetëm e vetëm që tjetri të jetë i lumtur, do të thotë të vdesësh e të ringjallesh.

         Bashkëshortët, që e pranojnë një udhë të tillë, e dinë se dashuria e tyre jeton më gjatë. E dinë se bashkimi i tyre shenjohet nga etapa të ndryshme, në të cilat dashuria ndryshon disa aspekte e bëhet më e matur, më e qetë, por edhe më e vërtetë. Hiri i martesës vepron në ta, duke i zhveshur dalëngadalë nga egoizmi, duke i bashkuar më shumë e duke i bërë gati të ndajnë me njëri-tjetrin e me fëmijët, një jetë të tërë.








All the contents on this site are copyrighted ©.