2015-10-15 18:07:00

Papa së përjavshmes Paris Match: “Ta mbrojmë njeriun nga vetëshkatërrimi”


Ndryshimet klimaterike, kriza ndërkombëtare, varfëria dhe kërcënimet kundër të krishterëve: Papa Françesku, në një intervistë dhënë së përjavshmes franceze Paris Match, pohon edhe një herë vijat udhëheqëse  të papnisë së tij, pa harruar të kujtojë se ishte “prift i rrugëve”.

Si i bëhet që të shpëtohet njeriu nga vetërrënimi?

Duhet hequr dorë nga idhujtaria e parasë, për të rivënë në qendër njeriun, dinjitetin e tij, të mirën e përbashkët, ardhmërinë e breznive, që do të popullojnë tokën pas nesh e që, përndryshe, do të detyrohen të jetojnë mbi një “grumbull rrënojash e plehu”.

Françesku u përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve, edhe atyre më personale, kur shpjegon se ka shumë dëshirë të shëtisë nëpër rrugët e rrugicat e Romës e të ndalet aty për të ngrënë një picë me miqtë.

Por, mbi të gjitha, Françesku ripohon, ashtu si në enciklikën e tij “Laudato si’” bindjen për lidhjen e thellë ndërmjet zhdukjes së varfërisë dhe mbrojtjes së gjithësisë. “Të krishterët – shpjegon Françesku – priren nga realizmi e jo nga katastrofizmi; prandaj nuk mund ta fshehim një gjë që duket: sistemi botëror aktual është i paqëndrueshëm”. E prej këndej buron edhe shpresa e Papës se takimi i rangut të lartë i Parisit, në dhjetor, do të mund të kontribuojë për zgjidhje konkrete, të pranuara nga të gjithë e për të mirën e përgjithshme, me një vizion afatgjatë. “Shtëpia jonë e përbashkët është ndotur e vijon të prishet, paralajmëron. Ka nevojë për angazhimin e të gjithë njerëzve e vetë njeriu duhet mbrojtur nga vetëshkatërrimi”.

I pyetur për tragjedinë, që po jetojnë bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme, të kërcënuara nga dhuna fundamentaliste islamike, Françesku përgjigjet se “nuk mund të dorëzohemi përballë faktit që këto bashkësi, sot pakica në Lindjen e Mesme, detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre, trojet e tyre”. Përballë kësaj padrejtësie, ndjehet fuqimisht  detyra njerëzore dhe e krishterë për të vepruar. Nuk mund të harrohen shkaqet, “që e sollën gjithë këtë katrahurë, e as hipokrizia e njerëzve të pushtetshëm të tokës, që flasin për paqe, por që, pabesisht, vijojnë të shesin armë!”. Për t’i dhënë fund tragjedisë së refugjatëve, duhet vepruar në favor të paqes e duhet punuar konkretisht për zhdukjen e shkaqeve të varfërisë. Veç kësaj - shton Papa – “kapitalizmi ose fitimi nuk janë djallëzorë, po të mos shndërrohen në idhuj. Nuk janë, po të mbeten mjete. Rreziku i rrënimit të shoqërisë krijohet nëse paraja e fitimi me çdo kusht bëhen fetish, ngrihen në kult, për t’u adhuruar, e në se babëzia është në bazë të sistemit shoqëroro-ekonomik”.

Lidhur me shenjtërimin e ardhshëm, më 18 tetor, të prindërve të Shën Terezës së Lisieux, Françesku flet për një çift ungjillëzuesish, “që diti ta dëshmojë bukurinë e fesë në Krishtin”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.