2015-10-15 13:34:00

Papa: jo kontrollorëve të shëlbimit, dashuria e Zotit është falas


Kujdes nga dijetarët e ligjit, që e ngushtojnë horizontin e Zotit dhe e bëjnë të vogël dashurinë e Tij. Ishte mëse i qartë sot, Papa Françesku, në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Në qendër të saj, urdhërimi i dashurisë dhe tundimi për ta kontrolluar Shëlbimin.

Një nga gjërat më të vështira për t’u kuptuar, nënvizoi Ati i Shenjtë, është se Shëlbimi në Jezu Krishtin na jepet falas. Edhe Shën Pali Apostull, theksoi Papa, hasi vështirësi të mëdha në shpjegimin e kësaj doktrine të vërtetë për njerëzit e kohës së vet. “Ne – vërejti Françesku – jemi mësuar të dëgjojmë se Jezusi është Biri i Zotit, se ka ardhur për hir të dashurisë, për të na shëlbuar e se vdiq për ne”. Jemi mësuar me këto fjalë, por kur hyjmë vërtet në misterin e Zotit, të kësaj dashurie pa kufi, mbetemi kaq të mrekulluar, sa parapëlqejnë të mos kuptojmë.

Mos ia ngushtoni Zotit horizontin

E në Ungjillin e sotëm, Jezusi e ngre zërin, edhe me fjalë të ashpra, kundër dijetarëve të ligjit, që nuk e kuptonin se përgjigjja e secilit para Shëlbimit të Zotit – i cili është falas – vjen nga dashuria falas e vetë Atij të Lumit:

“Edhe Jezusi duket se vërsulet kundër këtyre dijetarëve të ligjit, sepse u thotë fjalë të ashpra. ‘Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!’. Pra morët çelësin e asaj njohurie, të asaj dije, që na thotë se Shëlbimi është falas”.

Dijetarët e ligjit, vijoi Papa, mendonin se mund të shpëtonin vetëm duke ndjekur Urdhërimet e Tënzot, ndërsa ata që nuk i ndiqnin ishin dënuar një herë e përgjithmonë. Kështu, ia ngushtonin Zotit horizontin dhe e bënin dashurinë e Hyjit krejt të vogël, sipas masës së njerëzve.

Mos u bëni kontrollorë të Shëlbimit

Natyrisht, vërejti Papa, Urdhërimet e Tënzot duhen ndjekur, por nuk duhet harruar se sinteza e tyre është “duaje Zotin e duaje të afërmin”. E nëse them “të dua”, por më intereson të them kështu, ajo nuk është dashuri, por interes, kujtoi Ati i Shenjtë:

“Prandaj Jezusi thotë: ‘Dashuria më e madhe është kjo: ta duash Zotin me gjithë jetën tënde, me gjithë zemër, me gjithë forcën tënde, si edhe të afërmin si vetveten’. Sepse është i vetmi urdhërim në lartësinë e shëlbimit falas të Zotit. E më pas, Jezusi shton: ‘Në këtë urdhërim përfshihen gjithë të tjerët’. Por burimi është dashuria; horizonti është dashuria. Nëse e ke mbyllur portën dhe e ke marrë me vete çelësin e dashurisë, nuk mund të jesh në lartësinë e Shëlbimit, që të është dhuruar falas. Kjo luftë për kontrollin e Shëlbimit - shpëtojnë vetëm këta, që bëjnë këto gjëra… - nuk përfundoi me Jezusin e me Shën Palin”.

Papa Françesku kujtoi 500-vjetorin e lindjes së Shën Terezës së Avilës, festa liturgjike e së cilës kremtohet pikërisht sot. Mistike, së cilës Zoti i dhuroi hirin për t’i kuptuar horizontet e dashurisë së Tij. Edhe ajo, nënvizoi Ati i Shenjtë, u gjykua mbrapsht nga dijetarët e kohës së vet. E sa shenjtorë të tjerë janë persekutuar në kohë, për të mbrojtur dashurinë, doktrinën, të vërtetën e Shëlbimit falas të Zotit. Mjafton të mendojmë për Zhanë D’Ark.

Mos u gënjeni nga ata, që e kufizojnë dashurinë e Zotit

Kjo luftë, theksoi sërish Papa, nuk përfundon, sepse e kemi të gjithë brenda. Ta pyesim veten sot: a besoj se Zoti më ka shëlbuar falas? A besoj se nuk e meritoj Shëlbimin? E nëse e meritoj, a mendoj se Shëlbimi më dhurohet përmes Jezu Krishtit e asaj, që bëri për ne?

“T’ia bëjmë këto pyetje vetes, sepse vetëm kështu do t’i mbetemi besnikë kësaj dashurie kaq të mëshirshme: dashuri nëne e babai, sepse edhe Zoti thotë se është si nënë për ne; dashuri, horizonte të mëdha, pa kufij, pa kufizime. E të mos gënjehemi nga dijetarët, që e kufizojnë këtë dashuri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.