2015-10-15 16:16:00

Papa Françesku: mesazh urimi kard. Capovilla për 100 vjetorin e lindjes


Papa Françesku i ka dërguar një mesazh urimi kardinalit Loris Capovilla, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, kremtuar më 14 tetor. Në tekstin e urimeve, Ati i Shenjtë Françesku i shpreh “përzemërsinë vëllazërore” kardinalit Capovilla. Gjithnjë në festën e 100 vjetorit të lindjes, dje, kardinali mori edhe një urim të veçantë edhe nga Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella.

Kardinali Loris Capovilla, sekretar i Patriarkut të Venedikut, Angelo Giuseppe Roncallit, (1953-1958) e pastaj sekretar i Papa Gjonit XXIII (1958-1963), ipeshkvi e kardinali më i vjetër i Italisë, e kremtoi ditëlindjen “në heshtje e në lutje” në shtëpinë e tij në Sotto Il Monte, në provincën e Bergamo-s, rrethuar nga familjarët e miqtë e shtrenjtë.  

Për ditëlindjen e tij, kardinali pati shpreh një dëshirë të vetme “Sa bukur – pati thënë – sikur të kisha mundësi ta kaloja këtë ditë me refugjatët në Sotto il Monte”. E dëshira e tij u realizua, duke u takuar me Issa-n, ardhur nga Mali, strehuar në Komunitetin Villa San Francesco në Facen Belluno, themeluar nga patriarku i Venedikut – pastaj Papa Gjoni XXIII – Angelo Roncalli.

“Jepe kontributin tënd për qytetërimin e dashurisë sepse nuk ka tjetër,  nuk ka qytetërim teknike, pushteti apo të armësh. Issa, Zoti të bekoftë” i tha Capovilla duke e përqafuar.

Në pyetjen nëse në 100 vjet ndjehet akoma optimist, kardinali Capovilla u përgjigj: “Si mund të jem pesimist unë, pasi kam takuar njerëz si Papa Gjoni XXIII, Pali VI, Papët tjerë, Giorgio La Pira, Giuseppe Lazzati, Giuseppe Dossetti, Alcide De gasperi, Aldo Moro. Jo, nuk jemi të braktisur në fatin e mëshirës. Historia jonë është histori e bukurisë, e drejtësisë e dashurisë. Ne akoma mendojmë e duam t’i përshkojmë këto gjurmë. E të shkojmë më tej”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.