2015-10-15 14:08:00

Kardinali Scola: atmosfera e punimeve, shumë pozitive


Kardinali Scola, kryeipeshkëv i Milanos, hedh poshtë qëndrimet komplotiste të disa organeve të shtypit ndaj Sinodit dhe flet për klimë shumë pozitive.

Duhet të them se, në kundërshtim me jehonën që po i bëjnë disa mjete të shtypit, atmosfera e Sinodit më duket shumë pozitive. Në pushimin ndërmjet dy seancave të Kongregacionit të përgjithshëm, kardinali Angelo Scola, kryipeshkëv i Milanos, atë sinodal i zgjedhur nga Konferenca ipeshkvnore italiane, flet shumë i qetë e i kënaqur për mënyrën si po vijojnë punimet e Sinodit të zakoshëm, kushtuar thirrjes dhe misionit të familjes në Kishën e në botën e sotme.

Një rast i madh bashkimi

Posaçërisht, shton prelati i lartë, besoj se puna e Grupeve të vogla është rast i madh për thellimin reciprok të gjykimeve të ndryshme. Mendoj se, tani për tani, përsa i përket grupit tim, Gallicus 2, në 95% të të gjitha çështjeve, rreth të cilave u diskutua, pati mirëkuptim të thellë e u bë një punë me frymë krijuese, plot harmoni. E gjithë kjo - vijon kardinali Scola – po na afron fort të gjithëve. Është forca e madhe e përmasës këshillimore të Sinodit. Nëse synohet të arrihen 2/3 e votave, duhet ta kuptosh mirë qëndrimin e tjetrit e, prej këndej, ekziston mundësia e evolucionit, e ndryshimit të qëndrimeve, që është shumë e fortë. E, besoj, kjo është një nga shenjat më të bukura të fuqisë së strukturës së Sinodit, gjë që mund të jetë paradigmë për shumë institucione shtetërore e ndërkombëtare. Prej këndej, përfundon Hirësia e Tij, më duket se jemi përballë dy partive, që ndeshen. Natyrisht, për problemet, që  duhen zgjidhur sa më shpejt. Ka opinione të ndryshme, por këtë nuk e kemi prekur akoma  drejtpërdrejt e, megjithatë, mbasi për mua ky është Sinodi i gjashtë, mund të themi se mbetet gjithnjë rast bashkimi për Kishën.

Nuk shikoj gjëkundi komplote

Atyre, që hamendësojnë konspiracione a komplote të mundshme ndërmjet Etërve sinodalë, kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Scola u jep këtë përgjigje: “Unë nuk i shoh. Nuk më duket se janë ndokund. Ndërsa më duket se duhet ta shikojmë me shumë besim këtë, që po jetojmë e t’i çojmë deri në fund këto punime, duke  krijuar mjetet e nevojshme, mbi të cilat, pastaj, Ati i Shenjtë do të vendosë se si do të ndërhyjë.

Nuk ka dualizëm ndërmjet doktrinës e baritorisë

Kardinali Scola nuk është dakord që Sinodi të shikohet si vend konstrasti ndërmjet doktrinës e baritorisë. “Në Grupin tim të vogël, kjo përmasë ishte tejet pak e pranishme. Shumë nga ipeshkvijtë, që marrin pjesë, janë të rinj e kanë pasur përgatitje të mirë teologjike, me rrënjë në tekstet e Henri de Lubac, von Balthasar, Rahner. E, prej këndej, janë mësuar të krijojnë frymën e unitetit.  E kuptojnë se nuk mund të krijohet dualizëm ndërmjet teologjisë e baritorisë. Nuk ekziston, shpjegon në vijim kardinali Scola, kurrfarë dualizmi ndërmjet teologjisë e baritorisë. Nuk ekziston një doktrinë abstrakte, që të mund të zbatohet në jetë. Doktrina është reflektim sistematik e kritik i nevojshëm, që duhet të arrijë  deri tek formulimi  i dogmës, por buron gjithnjë nga përvoja jetësore. Besoj se - shton Hirësia e Tij - pikërisht ky unitet i doktrinës dhe i baritorisë do të jetë kyçi për t’i dhënë Atit të Shenjtë  sugjerimet për problematikat e mprehta, si kjo e dhënies ose jo të kungimit, të divorcuarve të rimartuar.

Kisha të jetë vetvetja

Sipas kryeipeshkvit të Milanos, ta quash këtë Sinod “ngjarje që nuk mund të ndryshojë gjithçka, por edhe që nuk mund të ndryshojë asgjë”, siç ndodhi gjatë komenteve në Sallën e Shtypit, mbetet vlerësim me karakter politik, që pak ka të bëjë me natyrën kishtare të Sinodit. “Jezusi u ngjall e jeton – shpjegon kardinali – e prej këndej, doktrina e krishterë është realitet i gjallë. Pa harruar se, njëkohësisht, mesazhi i Ungjillit vijon që prej dymijë vjetësh. Çështja e vetme, që duhet pasur mirë parasysh, është të jemi dëshmitarë e dishepuj të bukurisë së takimit me Krishtin aq, sa të mund t’ua komunikojmë bukurinë dhe gëzimin e martesës e të familjes së krishterë të gjithë burrave dhe grave, që takojmë. Në këtë perspektivë, kardinali Scola hedh poshtë edhe druajtjet e atyre, që shikojnë një Kishë e cila, duke dëshiruar t’u japë gjegje disa kërkesave, mund t’i nënshtrohet logjikës së botës. “Ati i Shenjtë ka thënë disa herë, duke cituar Lubac-un, se përshtatja e Kishës me mendësinë e botës do të ishte gabim i madh”, komenton Scola. “Shërbimi, që Kisha mund t’i bëjë botës, është të jetë  vetvetja: dritë, përmes së cilës duket drita e madhe e popujve, që është Krishti”.   








All the contents on this site are copyrighted ©.