2015-10-15 15:41:00

Atë Lombardi: Hapa të rinj impenjativë në Sinod


 Punimet e Sinodit të 14-të të përgjithshëm të zakonshëm t ipeshkijve kushtuar familjes vijojnë në Vatikan. Sot, paradite e mbasdite, u mbajtën diskutime në  Kongregacionin e 10-të dhe të 11-të të përgjithshëm. Dje e sot paradite u dëgjuan rreth 93 diskutime. Paraditja e sotme iu kushtua e tëra diskutimeve në sallë. Ndërsa mbasdite u mbyll diskutimi i përgjithshëm mbi pjesën e tretë, nesër parashikohet dëgjimi i delegatëve vëllezër dhe dëgjuesve e dëgjueseve të tjera.

Atë Federico Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, në takimin e shkurtër të sotëm me gazetarët, mes tjerash nënvizoi:

“Një pikë, që duhet prekur, është kjo: dikush foli për Motu Proprio, për reformën e kohëve të fundit mbi procesin e njohjes së pavlefshmërisë së martesës kanonike, duke vënë theksin tek rëndësia e formimit të specialistëve të fushës juridike. E kjo, për faktin se gjykimi juridik mbi situatat martesore, është një nga shërbimet e rëndësishme baritore.

Një pikë tjetër, që më duket interesante – shtoi atë Lombardi - ndonëse për të u fol vetëm një herë, është ajo e temës së faljes: njëri vërejti se në të gjithë “Instrumentum Laboris” fjala “falje” përmendet një herë të vetme... Prej këndej, duhet pasur mirë parasysh se falja në jetën e krishterë është temë themelore, lidhur edhe me marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, sepse shpreh mëshirën e Zotit ndaj nesh. M’u duk një vërejtje shpirtërisht shumë domethënëse. Ashtu si edhe fakti se familjet, familjet e krishtera, janë subjekte të shërbesës së mikpritjes e të dhimbsurisë ndaj të tjerëve, edhe ndaj atyre, që jetojnë situata të vështira, atyre, që janë plagosur ose që vuajnë. Pikërisht familja e krishterë, e cila e jeton dashurinë, është më e aftë ta jetojë edhe mikpritjen, ndihmën e edhe t’i shërojë plagët e njerëzve të tjerë.

Më preku edhe një argumt tjetër - vijoi atë Lombardi – problemi serioz i martesave të përzjera dhe i pabarazisë së kultit. Për këtë folën shumë njerëz, posaçërisht nga Azia e Afrika, që duket se ndodhen shpesh përballë kësaj problematike. U theksua edhe se duhet paraqitur aspekti pozitiv i këtyre martesave, si mundësi për ta jetuar dialogun në frymën më përtëritëse.  “Instrumentum” duhet t’i shikojë jo vetëm si vend ku krijohen probleme, por edhe si vend pozitiv, dialogu, kumtimi të dashurisë.

Probleme ka, e edhe shumë, e Konferencat ipeshkvnore po përpiqen t’i përballojnë sipas specifikës së secilit vend.

Një rast specifik, që më preku, parë si reflektim, ishte ai i emigrantëve, të cilët jetojnë, pastaj, situata tepër të vështira, jetojnë në varfëri e shpesh edhe në kushte ilegale, pa dokumente. Në këto kushte, natyrisht, nuk mund të martohen, edhe po të duan. Atëhere Kisha gjen rrugëzgjidhje të tipit të martesave të ndërgjegjes, duke pranuar mundësinë e martesës, edhe atje ku ka vështirësi serioze, sepse bëhet fjalë për njerëz, që jetojnë në kulmin e varfërisë e të vështirësive. Ështe fjala kryesisht për emigrantët, që arrijnë në perëndim, ose në vende të tjera, duke mbartur mbi shpinë situatat e tyre tejet të rënda.

Shikojmë pra, këto ditë një pasuri të vërtetë temash, që vijojnë të preken në Sinod.








All the contents on this site are copyrighted ©.