2015-10-15 12:20:00

Zoja që zgjidh nyjet, në Argjentinë


Në emisionin e djeshëm folëm për lidhjen e devocionit ndaj Zojës që zgjidh nyjet me atin jezuit, Bergoglio. Sot do të ndalemi tek përhapja e devocionit në Argjentinë.

Një nga figuret që solli Jorge Mario në Buenos Aires u var në rektoratin e Kolegjit të Salvadorit, shkollë e jezuitëve në kryeqytetin argjentinas, themeluar në vitin 1868. Në vitin 1996, me lejen e ipeshkvit të asokohshëm të Buenos Aires, kardinalit Antonio Quarracino, atë Rodolfo Aroyo, famullitar i San José del Talar, vendosi ta përhapte në famullinë e tij devocionin për Marinë që zgjidh nyjet. Famullia San José del Talar ndodhej në lagjen Agronomia, në veri-perëndim të kryeqytetit të Argjentinës, ngritur mbi trojet, ku ishin fermat e jezuitëve para se të dëboheshin nga Argjentina. Atë Arroyo i kushtoi një elter Zojës që zgjidh nyjet e figurja e saj u vendos në kapelën e parë, në të majtë të kishës: piktura, vepër e një piktoreje argjentinase, me emrin  Ana Maria Betta de Berti (që e mori figuren drejtpëdrejt nga duart e Bergoglios) u fronëzua më 8 dhjetor 1996, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer. Në vitin 2010 kardinali Bergoglio, tashti kryeipeshkëv i Buenos Aires, e lartoi famullinë e San José në dinjitetin e shenjtërores: sot, në Buenos Aires, famullia e San José (më përpara e njohur për kultin e Shën Vitos, martir sicilian i shek. III) njihet edhe si  Santuario de Nuestra Señora la que desata los nudos. Janë gjithnjë e më të shumtë besimtarët, që ndalohen për ta përshëndetur figuren e bukur e për t’i kërkuar Marisë t’ua mbrojë familjet. Në datën 8 të çdo muaji, qindra shtegtarë mblidhen këtu për të kremtuar Festën e Marisë që zgjidh nyjet.

Më 8 dhjetor të çdo viti, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, mijëra të devoçëm, ardhur nga të katër anët e vendit, mblidhen në rrugën Agronomia për të nderuar figuren e Zojës, që vijon të zgjidhë nyje, sepse edhe vijojnë të lidhen. Me këtë rast meshtarët e Shën Josè-së detyrohen të kremtojnë nën qiell të hapur, për t’u krijuar, kështu, besimtarëve të shumtë mundësinë të marrin pjesë në liturgjinë eukaristike.








All the contents on this site are copyrighted ©.