2015-10-14 14:03:00

Në audiencën e përgjithshme, Papa kërkon falje për shkandujt në Romë e në Vatikan


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, katekizmi i Papës kushtuar fëmijëve, nisi me  fjalët e Jezusit: “Shkandujt janë të pashmangshëm, por mjerë njeriu, që shkandullon”.

Fjala e Jezusit sot është tejet e fortë – tha Papa – Jezusi është realist. E shtoi: - Dëshiroj, para se ta nis katekizmin, në emër të Kishës, t’ju kërkoj falje për shkandujt, që kohët e fundit ndodhën si në Romë, ashtu edhe në Vatikan.. Ju kërkoj falje!

Më pas Ati i Shenjtë foli për premtimet, që u bëjmë fëmijëve. Nuk flas, vijoi, për premtimet, që u bëjmë andej e këndej gjatë ditës, për t’i kënaqur a për t’i bërë të rrinë urtë (ndoshta edhe me ndonjë truk si: rri urtë, në do të të jap një karamele e kësi lloj premtimesh….), për t’i nxitur të angazhohen më shumë në shkollë ose për t’i çliruar nga ndonjë tekë. Flas për premtime të tjera, më të rëndësishme, vendimtare për ardhmërinë e jetës së tyre, për besimin në njeriun, për aftësinë që ta konceptojnë emrin e Zotit si bekim. Janë premtime, që ua bëjmë atyre:

“Ne, të rriturit, jemi gati të flasim për fëmijët si premtim i jetës. Të gjithë themi: fëmijët janë premtim për jetën. E edhe ngashërehemi shpesh duke u thënë të rinjve se janë ardhmëria jonë. Kjo është e vërtetë! Por nuk mund të mos pyes nganjëherë nëse jemi po aq seriozë kur bëhet fjalë për ardhmërinë e tyre, ardhmërinë e fëmijëve e ardhmërinë e të rinjve!”.

Një nga pyetjet, që duhet t’ia bëjmë më shpesh vetes, është kjo: sa jemi të ndershëm me premtimin, që u japim fëmijëve, duke i bërë të vijnë në botën tonë? Ne i bëjmë të vijnë në botë, e ky është premtim. Po ç’premtim u bëjmë ne?

“Mirëpritje e kujdes, afërsi e vëmendje, besim e shpresë, janë premtime të tjera, që mund t’i përmbledhim në një të vetëm: dashuri! Ne u premtojmë dashuri; dashuri, që shprehet përmes mirëpritjes, kujdesit, afërsisë, vëmendjes, besimit e shpresës, por premtimi më i madh është dashuria. Kjo është mënyra më e drejtë për ta pritur çdo qenie njerëzore, që vjen në botë e të gjithë ne mësojmë, më së pari, të jemi të ndërgjegjshëm. Më pëlqen shumë kur ju shikoj ju, nëna e baballarë, nësa kaloj pranë jush e ju më sillni foshnjat tuaja, fëmijët, vocrrakët tuaj e unë pyes veten: ‘Sa kohë kanë që erdhën në botë?’- ‘Tri javë, katër… E i lutem Zotit t’i bekojë!’. Edhe kjo quhet dashuri, eh?”.

Dashuria është premtimi, që burri e gruaja ia bëjnë fëmijës së tyre; e ia bëjnë që kur u zu në mendimet e tyre. Fëmijët vijnë në botë e presin t’u përmbushet ky premtim: presin plot besim, të pambrojtur, përmbushjen e tij të gjithanshme. Mjafton t’i shikosh: në të gjitha etnitë, të gjitha kulturat, të gjitha kushtet e jetës! Kur ndodh e kundërta, fëmijët plagosen nga ndonjë shkandull i padurueshëm, që u rëndon më shumë edhe pse nuk arrijnë ta shpjegojnë e as ta kuptojnë me fund. Nuk mund ta kuptojnë ç’po ndodh. Por Zoti e ndjek nga lart këtë premtim, që nga çasti i parë. A ju kujtohet çfarë thotë Jezusi? Engjëjt e Zotit pasqyrojnë shikimin e Tij, e Zoti nuk i humbet kurrë nga sytë fëmijët (cfr Mt 18,10). Mjerë ata, që e tradhtojnë besimin e tyre, mjerë! Braktisja e tyre plot me besim në premtimin tonë, që na angazhon që në çastin e parë, na gjykon”.

Dua të shtoj edhe një gjë tjetër, tha Papa në vijim, me shumë respekt për të gjithë, por edhe me shumë sinqeritet. Besimi i tyre spontan në Zotin nuk duhet plagosur kurrë, posaçërisht kur kjo ndodh për shkak të një farë pretendimi (pak a shumë të pavetëdijshëm) për ta zëvendësuar Atë. Lidhja e dhimbsur e misterioze e Zotit me shpirtin e fëmijëve nuk duhet dhunuar kurrë:

“Është lidhje e vërtetë, e prekshme, që Zoti  e do, që Zoti rri dhe e ruan. Fëmija është gati, sapo lind, ta ndjejë se Zoti e do, është gati për këtë. E sapo është në gjendje ta ndjejë se duhet ashtu si është, foshnja  ndjen edhe se është një Zot, që i do fëmijët”.

Fëmijët e posalindur nisin të marrin si dhuratë, së bashku me qumështin e nënës e kujdesin e saj, pohimin e cilësisë shpirtërore të dashurisë. Aktet e dashurisë përshkohen përmes dhuratës së emrit personal, gjuhës së përbashkët, ndjeteve të shikimeve, dritës së buzëqeshjeve. Mësojmë, kështu, se bukuria e lidhjes ndërmjet qenieve njerëzore, lidhet me shpirtin tonë, kërkon lirinë tonë, pranon ndryshimin e tjetrit, e njeh dhe e respekton si bashkëbisedues. Mrekullia e dytë, e premtimi i dytë: ne - babai e nëna – të dhurohemi ty, për t’ia dhuruar veten vetvetes! E kjo është dashuri, që ka shkëndijën e dashurisë së Zotit! Po ju, baballarë e mëma, a e keni këtë shkëndijë të Hyjit, për t’ ua dhuruar fëmijëve? Ju jeni mjet i dashurisë së Hyjit, e kjo është e bukur, e bukur, e bukur:

“Vetëm nëse i shikojmë fëmijët me sytë e Jezusit, mund ta marrim vesh vërtet në ç’kuptim, duke mbrojtur familjen, mbrojmë vetë njerëzimin! Sytë e fëmijëve e shikojnë botën me sytë e Birit të Zotit. Vetë Kisha, në pagëzim, u bën fëmijëve premtime të mëdha, për realizimin e të cilave angazhon prindërit e bashkësinë e krishterë. Nëna  e Shenjtë e Jezusit – përmes së cilës arriti mes nesh Biri i Zotit,  i dashur e i lindur si fëmijë - e bëftë Kishën të aftë për të ndjekur udhën e amësisë së saj e të fesë së saj. E Shën Jozefi – njeri i drejtë, që e pranoi dhe e mbrojti, duke nderuar me guxim bekimin e premtimin e Zotit – na bëftë të gjithëve të aftë për ta mikpritur Jezusin në çdo fëmijë, që Zoti e dërgon mbi tokë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.