2015-10-13 14:27:00

Sinod/Imzot Frendo: Teologjia e disiplina e martesës gjatë shekujve, tani duhet një hap përpara


Në Sinodin e Ipeshkvijve për Familjen, që përfundoi punimet në Vatikan, mori pjesë edhe përfaqësuesi i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot George Frendo, ipeshkëv ndihmës i Tiranë-Durrësit, i cili dha kontributin e tij në Sinod, në debatin dhe shqyrtimin e argumenteve të ndryshme kushtuar familjes dhe sakramentit të Martesës,

Në mikrofonin e Radio Vatikanit ta dëgjojmë imzot Frendo-n mbi Sinodit kushtuar familjes dhe mendimin e tij për familjen e sakramentin e martesës......

Ja ndërhyrja e imzot George Frendo-s në Sinodin e Ipeshkvijve për Familjen, mbajtur të shtunën, më 10 tetor 2015, e cila është një excursus i historisë së teologjisë në lëndën e martesës. 

"Gjatë muajve të kaluar, na kanë mbytur me lloj-lloj literature të panumërt, që na paralajmëron të mos miratojmë asnjë ndryshim doktrinor apo disiplinor, që ka të bëjë me martesën e me familjen. Kjo më nxiti të pyes nëse jemi vërtet dëgjues të mirë apo jemi “profetë të Gjyqit të Mbramë”, për të cilët pati folur Papa Gjoni XXIII në fjalimin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Pse duhet të kemi frikë nga ndryshimet, nëse e kemi mendjen të hapur për frymëzimin e Shpirtit Shenjt?

Përgjatë kohrave, janë bërë shumë ndryshime, që kanë të bëjnë, jo vetëm me disiplinën, por edhe me teologjinë e martesës. Shumë është thënë në Sinodin e vitit të kaluar rreth praktikës ortodokse të “oikonomia” (ekonomia) dhe rreth mënyrës me të cilën Koncili i Trentit e ndryshoi formulimin fillestar të ligjit mbi pazgjidhshmërinë [e martesës], nga një pohim kategorik, dogmatik dhe absolut në një riformulim më të moderuar, në sajë të ndërhyrjes së shumë ipeshkvijve, që kundërshtuan: “Non licet ut Sancti Patres damnentur” (Nuk lejohet të dënohen Etërit e Shenjtë).

Kur gjyqet mbi martesën, deri në atë kohë, bërë ekskluzivisht vetëm nga shteti, kaluan – ndërmjet shekullit X dhe XI – nën jurisdiksionin e plotë të Kishës, teologëve iu desh të përcaktonin çfarë përbënte faktikisht martesë, “consensus” (pëlqimi) apo “copula” (marrëdhëniet seksuale). Kjo çoi në dallimin e Aleksandrit III ndërmjet “matrimonium ratum”(martesë e kremtuar) dhe “matrimonium ratum et consummatum” (martesë e kremtuar dhe e konsumuar) dhe në praktikën, sipas së cilës Papa kishte pushtetin ta zgjidhte martesën e pakonsumuar, në rast se njëri nga bashkëshortët vendoste të hynte në një urdhër rregulltar. Tre shekuj më vonë, Martini V e shtriu këtë praktikë edhe në raste të tjera.

Pohimi se fraza “fiant una sola caro” do të thotë “bëhen një trup i vetëm” çoi në mbivlerësimin e aktit seksual në jurisprudencën mbi martesën. Pak minuta depërtimi dhe ejakulimi mjaftuan për ta bërë absolutisht të pazgjidhshme martesën, e cila, deri në atë çast, gëzonte mundësinë për t’u ndërprerë me lejen e Papës. Por marrëdhëniet seksuale përbëjnë vetëm një pjesë të seksualitetit, dhe seksualiteti përfaqëson vetëm një pjesë të gjithë botës së ndjenjave në jetën e njeriut.

Një pikë tjetër e nxehtë është i ashtuquajturi Privilegj i shën Palit. Shumë ekzegjetë sot, i interpretojnë fjalët “ata le të ndahen” sikur i referohen vetëm ndarjes. Por që nga shekulli IV, tradita e krishterë i ka kuptuar këto fjalë si të tilla, që përfshijnë të drejtën për t’u rimartuar. Dhe tri Kushtetutat e shekullit XVI, “Altitudo” e Palit III, “Romani Pontificis” e Piut V dhe “Populis” e Gregorit XIII, e shtrinë këtë të drejtë përtej kufijve të formuluara qartë për Privilegjin e Shën Palit e, në kushte të caktuara, lejuan divorcin dhe rimartesën.

Deri në më pak se një shekull më parë, konsiderohej jashtë sferës së jurisdiksionit kishtar që Kisha të shpërbënte martesa ndërmhet dy jo besimtarëve, asnjëri prej të cilëve nuk ishte kthyer në fenë [e krishterë]. Por, që nga viti 1924, Kisha i zgjidh këto bashkime, në sajë të të ashtuquajturit “Privilegium Fidei” (Privilegj i Fesë).

Dy ndryshime të tjera, që kanë të bëjnë me teologjinë e martesës, janë: miratimi i metodës Ogino-Knaus për kontrollin e lindjeve, nga ana e Piut XII, gjë që shkon kundër qëndrimit të Piut XI në “Casti connubii”; si edhe doktrina e “Gaudium et Spes” mbi dashurinë bashkëshortore si qëllim parësor i martesës, së bashku me lindjen e fëmijëve. Kur Herbert Doms pati propozuar atë doktrinë, u dënua nga Zyra Shenjte (Sant’Ufici, ndër shkrimet e vjetra) në vitin 1944".

(Kumtesë e imzot George Frendo në Sinodin e Ipeshkvijve për Familjen, mbajtur të shtunën, më 10 tetor 2015)








All the contents on this site are copyrighted ©.