2015-10-13 14:32:00

Ati i Shenjtë kërkon të bëhet ç’është e mundur kundër shpërdorimeve


Më 9 deri më 11 tetor u mblodh në Romë Komisioni Papnor për mbrojtjen e të miturve, organizëm për parandalimin e pedofilisë. Nisi me Meshën e mëngjesit, kremtuar nga Papa, në Shtëpinë e Shën Martës. Ishte takimi II plenar i organizmit, i mbledhur e dëshirën e Papës Françesku. Takimi i ardhshëm do të mbahet në shkurt 2016.

“Anëtarët e Komisionit–lexohet në një notë – gjatë sesionit u përqendruan tek dëgjimi dhe diskutimi i raporteve të paraqitura nga grupet e punës, krijuar në plenaren e shkurtit 2015. Këto grupe pune, kujton nota, mbulojnë sfera kyçe të misionit, besuar Komisionit nga Papa, posaçërisht për ta këshilluar atë vetë, bashkëpunëtorët e tij si dhe Kishat lokale lidhur me mbrojtjen e të miturve. Grupet e punës merren me sferat e mëposhtme: vijat udhëheqëse për mbrojtjen e të miturve, shërimin e viktimave dhe  kujdesin ndaj tyre e familjeve të tyre; formimin e kandidatëve për meshtari dhe jetë rregulltare, edukimin e prijësve kishtarë, të familjeve e bashkësive; me teologjinë e përshpirtërinë, normat kanonike e civile. Sfera  të veçanta të vëmendjes së këtyre grupeve të punës, saktëson nota – përfshijnë edhe vlerësimin e njerëzve të akuzuar për krime, pajisjen me materialin ndihmës liturgjik për kujdesin baritor të viktimave, të të mbijetuarve dhe të bashkësive. Komisioni – vijon të pohojë nota - nuk merret me raste individuale, nuk ushtron drejtimin e përgjithshëm e nuk është organizëm vendimarrës.

Që nga krijimi i tij, Komisioni për mbrojtjen e të miturve u ftua nga prijësit kishtarë t’i pajisë anëtarët me njohje ndërdisiplinore, në shërbim të Kishës, në vise të ndryshme të botës. Anëtarët e Komisionit morën pjesë në kuvëndime, konferenca, seminare kushtuar mbrojtjes së të miturve, në Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Zelandë të Re, Ishujt e Paqësorit e, kohët e fundit, edhe në Filipine, ku ishin të pranishëm më se 76 ipeshkvij. Muajin e ardhshëm anëtarët e Komisionit do të bisedojnë  me të gjithë ipeshkvijtë e Amerikës qendrore. Falë këtyre nismave u arritën rezultate shumë pozitive. Kontributi i Komisionit shikohet si mjet i rëndësishëm ndihmës për Kishën vendase në nivel botëror, ndërsa konferencat ipeshkvnore vijojnë të punojnë duke ndjekur vija-udhëheqëse të shëndosha e kulturalisht të frytshme, që pasqyrojnë realitetet lokale. Sipas programit të komisionit, plenaria e ardhshme do të mbahet në shkurt 2016-të.








All the contents on this site are copyrighted ©.