2015-10-11 14:09:00

Papa: dhimbje për masakrimin e njerëzve të pambrojtur e paqësorë në Turqi


Në Engjëllin e Tënzot, Papa Françesku u lut për viktimat e atentatit të djeshëm në Ankara të Turqisë. Shprehu edhe solidaritetin me familjet, në një telegram drejtuar presidentit Erdogan, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Ndërkaq, në Turqi, u identifikua njëri nga atentatorët, një burrë 25 vjeç.

Por, të ndjekim fjalët e Papës:

“Dje morëm, me dhimbje të thellë, lajmin e masakrës së tmerrshme, që ndodhi në Ankara të Turqisë. Ndjejmë dhimbje për të vdekurit e shumtë. Dhimbje për të plagosurit. Dhimbje, sepse atentatorët goditën njerëz të pambrojtur, që po manifestonin për paqen. Ndërsa lutem për këtë vend  të dashur, i kërkoj Zotit t’i pranojë shpirtrat e të vdekurve e t’i ngushëllojë familjarët dhe ata që vuajnë”.

Kështu Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot u dha një përqafim simbolik nga larg familjeve të viktimave të atentatit të djeshëm në Ankara ku, sipas burimeve zyrtare, mbetën të vdekur 95 vetë e 246 të tjerë, të plagosur. 48 prej tyre u shtruan në repartin e  mjekimeve intensive.  Ati i Shenjtë i dërgoi edhe presidentit turk Erdogan, një telegram, në të cilin shpreh solidaritetin dhe afërsinë shpirtërore me njerëzit e goditur nga ky “akt barbar” si dhe i lutet Zotit për të afërmit në zi, duke kërkuar për ta “forcë hyjnore e paqë”.

Në ç’pikë janë hetimet

Gjithnjë dje, një bombë tjetër, që shpërtheu në provincën e Diyarbakir, në zonën e Sur, juglindje e vendit, vrau një polic dhe plagosi gjashtë punonjës të tjerë të policisë. Ndërkaq hetuesit turq  analizuan  gjurmët e shenjave dixhitale, gjetur mbi mbeturinat e bombës dhe arritën në përfundimin se njëri nga autorët e sulmit të tmerrshëm, duhet të ishte një burrë me moshë 20-25 vjeçare. Po kush ishte në të vërtetë dorërasi e kush gërgasi? Për këtë deri tani nuk ka asnjë njoftim të saktë. Dihet vetëm se janë të shumta  burimet e terrorizmit, që po godet këto kohët e fundit Turqinë, e cila, pas atentatit, dje pa të vërshojnë në rrugët e Stambollit për të manifestuar, më se dhjetëmijë vetë. Edhe sot, në të parën nga tri ditët e zisë kombëtare, shpallur nga qeveria, në Ankara nuk munguan manifestimet.

Solidariteti i Obamës

Arrijnë, ndërkaq, manifestime të tjera solidariteti: presidenti i SHBA, Obama, mbrëmë i telefonoi homologut turk, Erdogan, për t’i shprehur ngushëllimet  e rastit: “Jemi me ju në sfidat e përbashkëta për sigurinë e rajonit - pohoi - e solidarë me popullin turk në luftën kundër terrorizmit”. Erdogan, ndërkaq, konfirmoi zgjedhjet e parakohshme, parashikuar për 1 nëntorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.