2015-10-09 16:14:00

Zoja që zgjidh nyjet: Mrekullia morale


Folëm, në emisionin e tetë, për mrekullinë e zgjidhjes së nyjeve, që po e rrënonin vatrën familjare të bashkëshortëve Langenmantel e Imhoff. Mrekullia merr ngjyrime legjende e variantet e historisë janë plot me hollësira të ndryshme. E natyrshme kjo,  300 vjet pas ngjarjes, e aq më shumë kur bëhet fjalë për një devocion, që u rizbulua vetëm pak vjet më parë. Por mrekullia e vërtetë, mbi të cilën përqendrohet vëmendja, është “ajo morale”, mrekullia e pajtimit, e faljes së dy bashkëshortëve, në prag të ndarjes. Atje ku njerëzit nuk janë në gjendje të falin, sepse të mbushur me inate, me urrejtje, me mllefe, të paralizuar nga krenaria, vetëm dashuria e Zotit, me ndërmjetësimin e Marisë, mund të bëjë mrekulli e të sjellë pajtimin. Shpesh egoizmi e shtyn njeriun të rrojë vetëm për vetveten, ia mbyll zemrën. Atëherë njeriu nuk është më në gjendje t’i dhurohet plotësisht tjetrit.

 E pikërisht kjo është mrekullia morale: Krishti, Paqja jonë, e shemb  murin e ndarjes e duket konkretisht në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të faljes mbi ndarjen (cfr Ef 2,14). Është mrekullia morale, që shkëlqente si  dëshmi e bukur në bashkësitë e para të krishtera ku, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të krishterët, si kishin kapërcyer ndryshimet shoqërore,  ekonomike, seksuale, karakteriale, bëheshin një gjë e vetme. Duke e parë këtë tip të ri të dashurisë, të dhembsurisë,  që përshkonte jetën  e bashkësive të para të krishtera, paganët mbeteshin me gojë hapur nga habia e brohorisnin: “Shiko, shiko, sa shumë duhen! Aq sa janë gati të vdesin për njëri-tjetrin” (cfr Tertulliano, Apologeticum 39,7). Me ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Wolfgangu e Sofia nisën ta jetojnë këtë dashuri e ta falin njëri-tjerin: kështu martesa shpëtoi e përçarësi iku nga vatra e tyre familjare i mundur plotësisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.