2015-10-09 07:00:00

Sinodi i Ipeshkvijve: “Instrumentum Laboris” Kisha dëgjon familjen


Vijon në Vatikan, Sinodi i Ipeshkvijve për Familjen, pas një jave pune, që u karakterizua nga kongregacionet e përgjithshme dhe nga punimet në grupet e vogla, të cilat dolën tashmë me relacionin e tyre të parë. Kujtojmë se tema e Sinodit është “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishë e në botën bashkohore”, ndërsa dokumenti bazë, që përcakton çështjet për diskutim është “Instrumentum Laboris”, bazuar në argumentet e prekura gjatë Sinodit të jashtëzakonshëm për Familjen, që u mbajt vitin e kaluar, po në tetor.

Na duket e arsyeshme që, ndërsa etërit sinodalë pushojnë pa na dhënë sot tema të reja diskutimi, të vemë në pah pikërisht këtë dokument themelor për punën e Sinodit. Instrumentum Laboris fotografon gjendjen aktuale të familjes e nuk e fsheh distancën ndërmjet Magjisterit, pra Mësimeve të Kishës, dhe sjelljes së besimtarëve në familje. Të mënjanuar nga kultura pezmatuese individualiste, që nxit vetëm të grumbullohet pasuri e t’i kushtohet më tepër rëndësi arritjes së kënaqësisë në jetë, të krishterët vuajnë nga sulme e privime, nganjëherë, të tepruara. E megjithatë, lexohet në dokument, familja “vazhdon të imagjinohet si port i sigurtë i dashurive më intime e më shpërblyese”, duke mbetur “shtylla themelore dhe e domosdoshme e jetës shoqërore”.

 Me vështrimin e ngulur mbi Jezusin e Nazaretit dhe duke dëgjuar Fjalën e Tij, dokumenti fton “të rimendohet me freski dhe entuziazëm të ri ç’thotë Zbulesa e Zotit, transmetuar Kishës përmes fesë, për bukurinë, rolin dhe dinjitetin e familjes”. E për këtë, nuk është aspak dytësore – thuhet në Instrumentum Laboris – të tregohet kujdes për liturgjinë e martesës, “rast i çmuar për kumtimin e Ungjillit të familjes” e për të vënë në dukje tiparet e saj shpirtërore e kishtare. Në këtë mënyrë, familja, e thirrur të ndërgjegjësohet për identitetin e saj misionar, bëhet subjekt i veprimit baritor, e aftë të nxisë atë, që Instrumentum Laboris e quan “moral i Hirit Hyjnor, që bën të zbulohet e të lulëzojë bukuria e virtyteve të jetës familjare, ndër të cilat: respekti dhe besimi i ndërsjellë, mikpritja dhe mirënjohja e ndërsjellë, durimi e falja”.

Përsa u përket problemeve të shtruara për zgjidhje – si: bashkëjetesat, të divorcuarit e rimartuar, procedurat e shpalljes së pavlefshmërisë së martesës, baritoria për homoseksualët – dokumenti bazë i Sinodit vë në dukje ekzistencën e opinioneve të ndryshme. Për bashkëjetesën, sugjerimi është të tregohet “vlerësim e miqësi” ndaj atyre, që tregojnë me fakte se kanë ndërmarrë një udhë koherente me “planin krijues të Zotit”, duke u përpjekur të kapen “elementet pozitive” për t’i shoqëruar “ata, që e jetojnë martesën civile, ose bashkëjetesën, duke zbuluar gradualisht farat e Fjalës së Zotit të fshehura në të, për t’i vlerësuar, deri në plotësinë e bashkimit sakramentor”.

Përsa i përket mundësisë që të divorcuarit e rimartuar dhe ata që bashkëjetojnë prej vitesh të marrin Sakramentin e Pendesës e të Eukaristisë, Instrumentum Laboris pohon se ka “konsensus për hipotezën e një rruge pajtimi e pendese, nën autoritetin e ipeshkvit”. Megjithatë, ka opinione krejtësisht të ndryshme për mënyrën dhe kohën e përshkimit të kësaj udhe. Në dokument kërkohet që çdo dioqezë të parashikojë një mënyrë integrimi në bashkësinë e krishterë të njerëzve që bashkëjetojnë, ose janë martuar në gjendjen civile, pa i përjashtuar e pa i mënjanuar. E lidhur me këtë fushë është procedura e pavlefshmërisë së martesës, për të cilën kërkohet të jetë falas.

Mëse i qartë, qëndrimi i Kishës ndaj bashkimeve ndërmjet homoseksualëve: “Nuk ekziston asnjë bazë për të asimiluar, ose për të gjetur analogji, edhe të largëta, ndërmjet bashkimeve homoseksuale dhe planit të Zotit për martesën e familjen”. Por në Instrumentum Laboris, thuhet po aq qartë se “burrat e gratë me prirje homoseksuale duhet të pranohen me respekt e delikatesë”. Kërkohet t’u kushtohet atyre kujdes i veçantë në planet baritore dioqezane, sidomos familjeve në të cilat jetojnë.

 Ikona e këtij qëndrimi të Kishës, që dëshiron të gjejë një terren të përbashkët për çdo temë në diskutim në Sinod, është Jezusi i Kryqëzuar e i Ringjallur, që shoqëron dy dishepujt në rrugën nga Jeruzalemi në Emaus, pa ndërhyrë, megjithëse dëgjonte e shihte se kishin mbetur të zhgënjyer e të shkurajuar nga dhuna e patregueshme e Kalvarit. “Nganjëherë – theksohet në dokument – duhet vetëm të qëndrojmë pranë e të dëgjojmë në heshtje; herë të tjera, të dalim në vijën e parë për të treguar rrugën; herë të tjera akoma, duhet të rrimë mbrapa për të mbështetur e inkurajuar”.

Duke pasur parasysh se Asambleja sinodale kremtohet “në përkim me 50-vjetorin e mbylljes së Koncilit II të Vatikanit dhe në prag të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës”, Instrumentum Laboris thekson dy aspekte. Nga Koncili vjen nxitja për t’i hapur sytë e zemrën mbi njerëzimin, me gëzimet e shpresat e tij, me dhimbjet e ankthet e tij, siç thuhet në Kushtetutën konciliare “Gaudium et Spes”. Ndërsa Viti Jubilar i Mëshirës na kujton – e nuk është diçka dytësore – se qendra e dëshmisë së krishterë është dashuria pa kushte, se revolucioni kopernikian në bashkësinë e besimtarëve e në atë të njerëzve vullnetmirë bëhet nga mëshira, në të cilën “shkëlqen sovraniteti i Zotit, besnik gjithnjë e sërish ndaj qenies së tij, që është dashuri, dhe ndaj paktit të lidhur me të”.








All the contents on this site are copyrighted ©.