2015-10-09 12:49:00

Papa Françesku bën thirrje për paqen në Lindjen e Mesme e në Afrikë


Paqe në Lindjen e Mesme e në Afrikë! Papa Françesku mori pjesë në asamblenë e katërt të përgjithshme të Sinodit për Familjen, nga ku lartoi një thirrje të fuqishme për zonat e konfliktit, duke e nxitur bashkësinë ndërkombëtare të sjellë paqe përmes diplomacisë.

Luftë e përhershme

         Lindja e Mesme, ashtu si edhe një pjesë e Afrikës, duket në luftë të përhershme e Papa shprehu dhimbjen për vëllavrasjen e përditshme. Ati i Shenjtë zgjodhi tribunën jo të zakonshme të Sinodit - ku zakonisht papët ulen për të dëgjuar - për ta ngritur zërin në ndihmë të popullsive të martirizuara të atyre zonave, duke u kushtuar edhe lutjen e Orës së Tretë:

         “Na bën dhimbshëm përshtypje dhe ndjekim me shqetësim të thellë ç’po ndodh në Siri, Irak, Jeruzalem e Çisjordani, ku vërejmë shkallëzimin e dhunës, që përfshin civilë e të pafajshëm dhe vazhdon të ushqejë një krizë humanitare me përmasa të jashtëzakonshme. Lufta sjell shkatërrime e shumëfishon vuajtjet e popullsisë. Shpresa e përparimi arrihen vetëm nëse ka paqe”.

Lutje intensive

         Gjeografia e Sinodit pasqyron Kishën universale, prandaj thirrja e Papës Françesku prek drejtpërdrejt ipeshkvijtë, që janë barinjtë e atyre bashkësive, të cilat ndodhen në shënjestrën e terroristëve e të konflikteve:

         “Të bashkohemi, pra, në lutjen e ndjerë e plot besim në Zotin, lutje që synon të jetë edhe shprehje e afërsisë me vëllezërit patriarkë e me ipeshkvijtë e pranishëm, të cilët vijnë nga ato rajone, me meshtarët e besimtarët e tyre, por edhe me të gjithë banorët”.

Diplomacia të shuajë konfliktet

         Çdo thirrje e një Pape për paqen u drejtohet gjithnjë përgjegjësve e të gjithë atyre, që marrin vendime për fatin e kombeve e të planetit. Duke u folur qeveritarëve, në këtë rast, Papa Françesku e bashkoi zërin e vet me atë të krejt asamblesë sinodale:

         “Së bashku me Sinodin, i drejtoj një thirrje të fuqishme bashkësisë ndërkombëtare, që të gjejë mënyrën për t’i ndihmuar frytshëm palët e interesuara t’i zgjerojnë horizontet përtej interesave të çastit dhe të përdorë mjetet e së drejtës ndërkombëtare, të diplomacisë, për të zgjidhur konfliktet në vijim”.

Paqe në Afrikë

         Fraza e fundit e Atit të Shenjtë qe e shkurtër, por e madhe sa një kontinent, i cili prej shekujsh, tregon shumë, tepër histori mjerimi të armatosur, ose thjesht, të uritur:

         “Së fundi, dëshiroj ta bashkojmë lutjen tonë me ato zona të kontinentit afrikan, të cilat po përjetojnë të njëjtën gjendje konflikti. Për të gjithë, ndërhyftë pranë Zotit, Maria, Nënë e Mbretëreshë e Paqes, Nënë e dashur për bijtë e saj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.