2015-10-08 05:00:00

Lind faqja e re e Radio Vatikanit në gjuhën koreane


Të premten, më 9 tetor, faqja e internetit e Radio Vatikanit do të flasë edhe në gjuhën koreane. Për këtë nismë flitej prej kohësh, por filloi të bëhej realitet pas vizitës së Papës Françesku në Korenë e Jugut, në verën e vitit 2014.

 Për nisjen e veprimtarisë u zgjodh “Dita kombëtare e gjuhës koreane”. Publikimi i lajmeve do të fillojë nga ora 10.00. Pyetëm ambasadorin e Republikës së Koresë pranë Selisë së Shenjtë, Kim Kyung Surk, ç’kuptim merr ky shërbim i ri i Radios së Papës në kuadrin shoqëror, kulturor e fetar korean:

Koreja është vend me 103 shenjtorë martirë e, me rastin e vizitës së Papës Françesku, u shpallën të Lumë 124 martirë të tjerë. Kjo do të thotë se Kisha Katolike ka rëndësi të veçantë e luan një rol parësor për shoqërinë e kulturën, historikisht e tradicionalisht. Koreja është një nga vendet me teknologji më të përparuar informatike në botë. Radio Vatikani është një mjet zyrtar, që transmeton veprimtarinë dhe mësimet baritore të Atit të Shenjtë e të Selisë së Shenjtë në të gjithë botën, përmes valëve dhe përmes internetit. Përmes këtij shërbimi, koreanët do të kenë lajmet për Papën, për Vatikanin e për jetën e Kishës në një kohë të shkurtër, në mënyrën më të lehtë e më të saktë. Kjo është edhe mënyra me të cilën Kisha do të qëndrojë më pranë jetës së koreanëve. Prandaj, jam shumë i kënaqur që fillon ky shërbim dhe uroj të jetë i dobishëm për besimtarët e jo besimtarët, për të gjithë njerëzit që flasin gjuhën koreane.

Cili është kontributi, që mund t’i japë kjo faqe interneti Kishës në Kore?

Pas vizitës së Papës Françesku në Kore, në vitin 2014, Konferenca Ipeshkvnore Koreane zgjodhi tri tema si detyra baritore, përmes një sondazhi që synonte ndryshimin e Kishës Koreane. Fushat janë: një Kishë për të varfërit, një Kishë që jeton me gëzim Ungjillin, një Kishë që realizon drejtësinë e paqen. Për të realizuar ndryshimet, Kisha duhet të përpiqet ta kuptojë dhe të afrohet më shumë me jetën e njerëzve. Prandaj, faqja e internetit do të ndihmojë në nxitjen e mirëkuptimit të Kishës me njerëzit. Pikërisht më 9 tetor, kremtohet shpikja e gjuhës së shkruar koreane “Hangul”, lindur në shekullin XV, gjatë Dinastisë Lee. Në atë kohë, Mbreti Sejong shpiku një alfabet të ri shkencor dhe sistematik për të lehtësuar përdorimin e gjuhës koreane si nga fisnikët, të cilët përdornin shkrimin e vështirë kinez, ashtu edhe nga njerëzit e thjeshtë. Koreanët janë krenarë me gjuhën e tyre e shërbimi i Radio Vatikanit do të pritet me entuziazëm.

Falë Papës Françesku, që foli me gjuhën e paqes e të shpresës, bota shikoi një Kore të bashkuar, pa mure…

Papa Françesku, kur mbërriti në aeroportin e Koresë, tha se kishte ardhur, duke ruajtur thellë në zemër dëshirën për paqe në gadishullin korean. Para se të largohej, kremtoi pikërisht meshën për paqen e pajtimin në katedralen e Myung Dong. Sot, gadishulli ndahet në Korenë e Veriut e në atë të Jugut, por jemi vëllezër e motra, që përdorin të njëjtën gjuhë. Faqja e internetit e Radio Vatikanit nuk do t’u shërbejë koreanëve vetëm në Jug ose në anë të tjera të botës, por edhe në Korenë e Veriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.