Në trevat shqiptare Kishat kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi identiteti shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti. E po kujtojmë se Shën Maria Virgjër ka qenë gjithnjë tejet e nderuar ndër shqiptarë, qysh në fillime të predikimit të Ungjillit në trevat shqiptare. Gjatë gushtit, për shembull, Kisha përkujton disa herë figurën e së Lumes Mari Virgjër, siç dëshmojnë festat e kalendarit liturgjik për nder të Nënës Hyjnore, ajo e 15 gushtit dhe e 22 gushtit.
Po kulti i nderimit të Zojës së Bekuar në trojet shqiptare mori hov njëherësh me
kultin marian në Evropën perëndimore në kulmin e mesjetës. Prej 275 kishave, të regjistruara
nga jezuiti Atë Fulvio Kordinjano S.J., 42 i kushtoheshin Shën Mërisë. Kishë kushtuar
Zojës së Bekuar kishte në Ulqin, Shurdhah, Dejë, Drisht, Naraç, Hajmel e Rrenc (Shkodër);
Fishtë, Troshan, Kalivaç e Lezhë (Lezhë); Mërtur (Pukë); Surroj (Kukës); Shpërdhazë,
Malaj, Ndërshena, Ndërfana (Mirditë); Lurë, Çidhna (Dibër); Gur i Bardhë (Mat); Sebaste,
Mbret (Laç); Kurcaj(Krujë); Kepi i Rodonit apo Bishti i Muzhlit (Durrës); Brar (Tiranë-shek
XII), Skuterrë, Pëllumbas, Buçimas, Linzë (Tiranë) dhe Bishqem (Peqin).
Këtyre tempujve katolikë, kushtuar Zojës së Bekuar në trojet e Shqipërisë së sotme,
i shtohet edhe një numër i madh Kishash dhe manastiresh ortodokse, të përhapura në
të gjithë vendin. Ndërmjet tyre, Labova e Kryqit, në Gjirokastër (shek X); Manastiri
i famshëm i Ardenicës në Apolloni (Lushnje) (shek. XIII); Kisha e Zojës në Voskopojë
(shek XVIII); Manastiri i Shën Marenës në Mokër të Pogradecit, me shpellën e mrekullueshme,
që i ngjet asaj të Lurdës (shek XVIII) e disa Kisha të tjera, njëlloj të lashta.
Mos të harrojmë Kosovën. Shenjtërorja kombëtare e shqiptarëve, ajo që ngrihet rrëzë
Kështjellës Rozafa në Shkodër, i kushtohet Zojës së Këshillit të Mirë; ndërsa një
shenjtërore tjetër, njëlloj e famshme, është Kisha e Zojës Crnagore, në fshatin Letnicë
të Vitisë në Kosovë, ajo e Zojës Ndihmëtare në Prizren (konkatedrale), ajo e Zojës
së Madhe në Zym të Hasit në komune të Prizrenit, Kisha e Zojës Rruzare në Bishtazhin
të Gjakovës, Kisha e Zojës së Vogël në Bec të Gjakovës, Kisha e Zojës së Këshillit
të Mirë në Klinë e tjera e tjera. Po kështu duhet kujtuar Kisha kushtuar nderimit
të Virgjërës Mari në kryedioqezën e Tivarit në Mal të Zi e në treva tjera shqiptare.
Ndërmjet shumë festave kushtuar Zojës së Bekuar, ajo që i bashkonte gjithë të krishterët
shqiptarë në rrjedhë shekujsh ishte, pa dyshim, Festa më e madhe e fundit të verës,
të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell (për të katolikët), Fjetja e Shën Mërisë (për
ortodoksët), që kremtohej e kremtohet më datën 15 gusht. Prej këndej, ndër shqiptarë
festa njihet edhe si Shën Mëria e Verës, Shën Mëria e Gushtit ose Shën Mëria e Madhe,
në sa, më 4 dhjetor, festohet edhe Shën Maria e Dimrit.
Kalendari Julian e shënonte më 27 gusht, ai Gregorian, më 15 gusht. Ishte e mbetet
festa e shtegtimeve në gjirin e natyrës. Sipas traditës, besimtarët e kremtonin me
shtegtime të gjata, ngjiteshin në majat e bjeshkëve, ku dikur ngriheshin tempujt e
paganizmit, kthyer në tempuj të krishterë, duke nisur nga Mali i Tomorrit; Mali i
Gjallicës, pranë Kukësit; Maja e Shën Llezhdrit, afër Krujës; Maja e Kundrevicës,
në Kurvelesh dhe ajo e Pashtrikut, në kufirin Shqipëri-Kosovë.
Ja si i e përshkruan imzot Pjetër Bogdani kremtimin në Pashtrik, rreth viteve 1630-1689,
duke theksuar edhe natyrën meditative të festës e të shtegtimeve, që kremtoheshin
me këtë rast në kulmin e verës:
“Ngjiten në maje dhe e kalojnë atje gjithë natën, me uratë, kangë e valle të përshpirtshme.
Mbas mesnate nis procesioni, në të cilin marrin pjesë të krishtênë e myslimanë, me
qira të ndezun. Gjatësia e qirit përkon me moshën e atij, që e mban në dorë. Kështu,
me qira ndezë, zdathë, shtegtarët ecin kah majet ma të nalta për tri orë rresht. Vetëm
myslimanët ngjiten kaluer...”
Në Shqipërinë e Mesme, gratë që nuk kishin fëmijë, shtegtonin kah bregdeti i Kavajës
e i Durrësit. Laheshin në det e luteshin. Ky shtegtim, që bënin gratë, me shpresën
se Nëna e Krishtit do të ndërmjetësonte për to e do t’u falte dhantinë e foshnjeve,
aq të dëshiruara, vijoi fshehurazi edhe në kohën e persekutimit të madh nën thundrën
e diktaturës.
Në Seltë, krahinë e Shpatit, në Shqipërinë e Mesme, për festën e Shën Mërisë së gushtit
flijohej një lopë.
Këto e zakone të tjera, të shoqëruara me Meshë solemne, procesione, meditime e lutje
në gjirin e natyrës, mbeten të gjalla edhe sot e kësaj dite në të gjithë botën e krishterë.
Prandaj në kulmin e gushtit, kur vera përgatitet t’i lëshojë shtegun vjeshtës, qytetet
e mëdha të botës perëndimore zbrazen e njerëzit dynden kah viset më të njohura për
bukuri natyre: bregdetet, bjeshkët e vendet ku ngrihen tempuj të famshëm për kryevepra
arti, ku pa dyshim, do të takohen edhe me Shën Mërinë!
All the contents on this site are copyrighted ©. |