2015-10-03 12:54:00

Gjithçka është gati për Sinodin mbi familjen


Gjithçka është gati për Sinodin mbi Familjen: të dielën më 4 tetor në ora 10.00 Mesha e përurimit të kësaj asambleje kishtare kryesohet nga Papa Françesku në Bazilikën e Vatikanit. Të shtunën në mbrëmje në ora 19.00 vigjilja e lutjes së familjeve me Papën Françesku organizuar nga Konferenca ipeshkëvnore italiane në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

270 Etër Sinodal të ardhur nga mbarë bota, ndër ta edhe përfaqësuesi i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, në personin e imzot Goerge Frendos, deri më 25 tetor, do të trajtojnë tema të ndryshme mbi familjen, duke u nisur nga tema “Thirrja dhe misioni i familjes në Kishë e në botën bashkëkohore”.

Papa Françesku ripohon thirrjen e tij për të folur me parrezi – me çiltërsi, sepse sipas Atit të Shenjtë Sinodi duhet të jetë një hapësirë e mbrojtur, ku të veprojë Shpirti Shenjt, në mënyrë që Etërit sinodalë të shprehen me liri dhe me parrezi, pra, të thonë gjithçka kanë ndërmend, haptas, siç pati bërë vitin e kaluar. Sinod – pati pohuar Papa Bergoglio – domethënë të ecësh së bashku: të thuhen gjërat me guxim e me liri e në të njëjtën kohë edhe me përvujtërinë e dëgjimit. Prania e Papës “është garanci për të gjithë, ruajtje e mbrojtje e fesë”.

Qëllimi – sipas Papa Françeskut – është ai i “gjetjes së zgjidhjeve konkrete përball shumë vështirësive e sfidave të panumërta me të cilat familjen duhet të ballafaqohen” sot.

Familja që ecën udhës së Zotit është themelore në dëshminë e dashurisë së Zotit e meriton prandaj tërë përkushtimin e Kishës. Sinodi është i thirrur të interpretoi, për sot, nxitjen dhe kujdesin e Kishës për familjen. Një vështrim të vëmendshëm ndaj jetës së përditshme të burrave e grave të ditëve tona, tregon menjëherë nevojën që ekziston kudo, për një përforcim të shpirtit familjar, të vlerave të jetës familjare.

Nga familja, Jezusi nis kalimin e tij në mesin e njerëzve për t’i bindur se Zoti nuk i ka harruar. Nga familja Kisha, duke iu bindur fjalëve të Mësuesit Hyjnor, përshkon shtigjet e njerëzimit, për të ripohuar se familja është vatra më e rëndësishme për Kishën e për mbarë shoqërinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.