2015-10-01 15:58:00

Së shpejti të Lumë, pesë martirë të Luftës Civile spanjolle


Kisha do të ketë pesë të Lumë të rinj: është fjala për një meshtar dhe për katër shokët e tij, martirë në Spanjë. Sot, Papa Françesku priti Prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, dhe e autorizoi të publikojë dekretet përkatëse. Gjithashtu, u njihen virtytet heroike edhe shtatë Shërbëtorëve të Zotit.

        Ndër të Lumët, meshtari është prifti dioqezan spanjoll, don Valentino Palencia Marquina, së bashku me katër bashkëpunëtorë të tij të rinj laikë, nga 19 deri 25 vjeç, që u vranë për shkak të fesë më 15 janar 1937 në Suances, në bashkësinë autonome të Cantabria-s, gjatë Luftës Civile në Spanjë. Don Valentino drejtonte një qendër formimi për fëmijët e varfër e të braktisur. Dhuna antikatolike nuk e kurseu. Të masakruar, sepse nuk deshën ta linin vetëm, edhe asistentët e tij të rinj. Në testamentin e tij shpirtëror, don Valentino pati shkruar: “Lumturia, që ka dashur gjithnjë shpirti im, është të jap jetën për Zotin”.

         Ndërkaq, shtatë Shërbëtorët e Zotit janë:

         Giovanni Folci, meshtar dioqezan e themelues i Veprës së Të Burgosurit Hyjnor. Lindi më 24 shkurt 1890 në Cagno (Itali) dhe vdiq në Valle Colorina (Itali), më 31 mars 1963.

Francesco Blachnicki, meshtar dioqezan. Lindi në Rybnik (Poloni) më 24 mars 1921 dhe vdiq në Carlsberg (Gjermani), më 27 shkurt 1987.

Giuseppe Rivera Ramìrez, meshtar dioqezan. Lindi në Toledo (Spanjë) më 17 dhjetor 1925 dhe vdiq po aty, më 25 mars 1991.

Giovanni Emanuele Martìn del Campo, meshtar dioqezan. Lindi në Lagos de Moreno (Meksikë) më 14 dhjetor 1917 dhe vdiq në Jalapa (Meksikë), më 13 gusht 1996.

Antonio Filomeno Maria Losito, meshtar i Kongregatës së të Shenjtnueshmit Shëlbues. Lindi në Canosa të Puljes (Itali) më 16 dhjetor 1838 dhe vdiq në Pagani (Itali), më 18 korrik 1917.

Maria Bendetta Giuseppa Frey (në shekull: Ersilia Penelope), murgeshë e Urdhërit Çisterçens. Lindi në Romë (Itali) më 6 mars 1836 dhe vdiq në Viterbo (Itali), më 10 maj 1913.

Anna Chrzanowska, laikë, oblate e Orsolineve të Shën Benediktit. Lindi në Varshavë (Poloni) më 7 tetor 1902 dhe vdiq në Krakovi (Poloni), më 29 prill 1973.








All the contents on this site are copyrighted ©.