2015-10-01 12:14:00

Papa: të mos shuhet kurrë në zemrat tona nostalgjia për Zotin


Gëzimi hyjnor është forca jonë, në Zotin ne gjejmë identitetin tonë. Është ky, një nga konceptet, që shtjelloi Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, të cilën e kremtoi sot për herë të parë, pas udhëtimit në Kubë e në SHBA. Ati i Shenjtë kujtoi festën e sotme të shën Terezës së Krishtit Fëmijë, të cilën e ka fort për zemër, duke nënvizuar se i krishteri duhet të ketë gjithnjë nostalgji për Zotin, përndryshe zemra nuk feston.

         Libri i Neemisë, nga ku është marrë Leximi i Parë i liturgjisë së sotme, i dha shkas Atit të Shenjtë të reflektojë se cili është thelbi i identitetit të krishterë. Pjesa biblike flet për popullin e Izraelit, i cili kthehet në Jeruzalem pas viteve të gjata të dëbimit nga ai vend. Edhe kur ishte në Babiloni, kujtoi Papa, ky popull nuk e kishte harruar atdheun e vet. E kur arrin dita e kthimit, Neemia i kërkon skribit Esdra të lexojë para popullit Librin e Ligjit. Populli ishte i lumtur e Bibla thotë se qante me gëzim, kur dëgjonte Fjalën e Hyjit.

Gëzimi i Zotit është forca jonë

         Si shpjegohet kjo?, pyeti Papa Françesku. “Thjesht – u përgjigj – ky popull, jo vetëm gjeti qytetin e vet, qytetin ku kishte lindur, qytetin e Zotit, por duke dëgjuar Ligjin, gjeti identitetin e vet, prandaj gëzohej e derdhte lot”:

         “Por derdhte lot gëzimi, qante, sepse kishte gjetur identitetin e vet, atë identitet, i cili gjatë viteve të syrgjynosjes, kishte humbur disi. Rrugë e gjatë ajo. ‘Mos u trishtoni – thotë Neemia – sepse gëzimi i Hyjit është forca juaj’. Është gëzimi, që na jep Zoti, kur gjejmë identitetin tonë. Ndodh që ky identitet të humbasë gjatë rrugës, gjatë syrgjynosjeve e vetësyrgjynosjeve tona, kur bëjmë një fole këtu e një fole atje… por jo në shtëpinë e Zotit. Duhet ta gjejmë identitetin”.

Vetëm në Zotin gjejmë identitetin tonë të vërtetë

         Papa pyeti më pas në ç’mënyrë mund ta bëjmë këtë. Kur njeriu humbet gjithçka, nënvizoi, shtëpinë, pasurinë e largohet, nga larg ndjen nostalgjinë, që e kthen përsëri në shtëpinë e vet. Është nostalgjia për identitetin, për diçka që të përket thellësisht e të nxit ta kërkosh sërish. Nostalgjia, tha Ati i Shenjtë, është hir i Zotit:

         “Nëse ne – për shembull – jemi plot me ushqime, nuk kemi uri. Nëse jemi rehat, të qetë, aty ku jemi, nuk kemi nevojë të shkojmë diku tjetër. E unë pyes, e do të ishte mirë ta pyesnim veten të gjithë sot: ‘A jam i qetë, i kënaqur, s’kam nevojë për asgjë në zemrën time? Shpirtërisht, flas. A është shuar nostalgjia ime?’ Ta shohim këtë popull të lumtur, që qante e gëzonte njëkohësisht. Zemra pa nostalgji, nuk e njeh gëzimin. E pikërisht gëzimi është forca jonë: gëzimi i Zotit. Një zemër, që s’di ç’është nostalgjia, nuk mund të bëjë festë”.

Të mos shuhet kurrë nostalgjia për Zotin

         Populli i Izraelit, kujtoi Papa Françesku, ekzaltonte, sepse më në fund, dolën fjalët, që i ishin thënë, dolën fjalët e Zotit, që skribi Esdra ia lexoi nga Libri i Ligjit. Njerëzit gjetën atë, për të cilën kishin nostalgji:

         “Ta pyesim veten si është nostalgjia jonë për Zotin: jemi të kënaqur, jemi të lumtur kështu, apo çdo ditë ndjejmë dëshirën, shtysën për të ecur përpara? Zoti na dhashtë hirin që kurrë, kurrën e kurrës, të mos shuhet në zemrat tona nostalgjia për Hyjin”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.