2015-10-01 14:08:00

Papa, kombonianëve: lutja dhe shembulli i martirëve, në qendër të misionit


Për të qenë i vërtetë, misioni duhet të ketë në qendër Krishtin e lutjen. Kështu u tha Papa kombonianëve, të cilët i priti sot në Vatikan. Deri më 4 tetor, ata janë mbledhur në Romë për Kapitullin e tyre të përgjithshëm.

         Misionarë Kombonianë të Zemrës së Krishtit. Reflektimi i Atit të Shenjtë u nis pikërisht nga emri i Kongregatës. Misionarë, u tha Françesku, do të thotë të jeni, së pari, lajmëtarë të Ungjillit, sidomos për ata, që nuk e njohin, ose e kanë harruar. Në zanafillën e misionit tuaj është thirrja e dyfishtë e Jezusit: të rrini me Të dhe të predikoni. Por vetëm në lutje e në Fjalën e Zotit, theksoi Papa, do t’i gjeni thesaret, që mund t’jua propozoni pastaj të tjerëve:

         “Në Fjalën e Zotit, kemi urtinë që vjen nga Lart e që na lejon të gjejmë gjuhë, sjellje, mjete të përshtatshme për t’iu përgjigjur sfidave të njerëzimit në ndryshim”.

Zemra e Krishtit shtyn drejt periferive

         Ati i Shenjtë përmendi themeluesin e Kongregatës, shën Daniel Kombonin, i cili mbrojti të fundmit, të braktisurit, të mënjanuarit. Thirrje, e vlefshme edhe sot. Prandaj, nënvizoi Papa, t’i lutemi Zemrës së Krishtit t’ju japë përvuajtërinë e nevojshme për të përballuar veprimtarinë apostolike edhe në vende të vështira e t’ju shtyjë drejt periferive.

Shembullli i kombonianëve martirë

         Papa u kërkoi kombonianëve të marrin shembull nga martirët e tyre, të cilët dëshmuan Ungjillin me gjak. E së fundi, shtoi pa letër:

         “Para se t’ju jap bekimin, dua të them diçka, që s’është shkruar këtu, por që e ndjej: unë gjithmonë, gjithmonë, kam pasur admirim të madh për ju – e dua ta them këtu – për punën që bëni, për rreziqet që përballoni. E kam ndjerë gjithnjë këtë admirim të madh. Faleminderit!”








All the contents on this site are copyrighted ©.