2015-10-01 10:53:00

Më 1 tetor, përkujtojmë shën Terezën e Krishtit Fëmijë


Sot më 1 tetor kalendari kishtar kujton Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, Pajtore qiellore e misioneve dhe dijetare e Kishës

         Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, rregulltare e klauzurës nga Lizië, lindi në Alanson në Normandi në vitin 1873 nga një familje e borgjezisë së vogël (i ati ishte orëndreqës), ku mori edukatë katolike. Ajo ishte fëmija e tetë. Në moshë ende të njomë, Tereza u dallua për besimin e thellë fetar si dhe për karakterin e pavarur.

Shumë shpejt, në moshën 15 vjeçare zgjodhi rrugën e Karmelit, duke u mbyllur në një nga kuvendet e klauzurës, ku kaloi vitet e pakta të jetës së saj, në një atmosferë thellësisht mistike. Vdiq nga tuberkulozi pa i mbushur ende 24 vjetët. Ndërronte jetë, natën mes 30 shtatorit e 1 tetorit të vitit 1897. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si fli shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Është shenjtja e dialogut dhe e buzëqeshjes. Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël" përmes së cilës mund të arrihet deri te Krishti. E ky mesazh nuk do të vdiste me të. Shpallet shenjte më 1925 e po këtë vit shpallet “Pajtore e Misioneve”.

E motra, Paolina, që e pati nxitur ta shkruante përvojën e saj shpirtërore, vendosi t'i botonte "Fletoret " e Terezës. Fama e shenjtërisë së Motrës së vogël të Krishtit Fëmijë, të cilën ndër figure e shikojmë me Kryqin në njërën dorë e me një tufë trëndafila në tjetrën, u përhap me shpejtësi. Pati premtuar të reshte një shi trëndafilash mbi njerëzimin: reshi hire hyjnore, me aromë edhe më të mirë se ajo e luleve. Më 19 tetor 1997, Papa Gjon Pali II, duke vlerësuar lart doktrinën e saj shpirtërore, i dha titullin "Dijetare e Kishës Universale": është gruaja e tretë që meriton një nderim të tillë në Kishë, pas Katerinës së Sienës dhe Shën Terezës së Avilës. Emrin e saj e mori edhe Nëna jonë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu, e me lumturimin e saj, Kisha universale njeh tri Tereza të mëdha!

Ndër fjalët më të njohura të Mësueses shenjte të kohëve moderne, Pajtores së misioneve dhe Pajtores së dytë të Francës, Shën Terezës Martë’ (Teresa Martin), që u bë e njohur me emrin rregulltar "Shën Tereza e Krishtit Fëmijë” janë: “Ja qielli im, fati im: të shkrihem nga dashuria për Krishtin”. Edhe prindërit e saj janë shpallur të Lumë nga Kisha Katolike. Në Ditën Misionare të këtij viti, që bie gjatë Sinodit për Familjen, Papa Françesku do t’i shpallë shenjtorë. Reliket e tyre, së bashku me ato të shën Terezës, do të vendosen në Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, gjatë gjithë Sinodit, nga 4 deri më 25 tetor. Aty mund të nderohen e të shihen nga besimtarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.