2015-10-01 13:42:00

Mesazhi i Papës për Ditën e Emigrantëve: jo indiferencës dhe heshtjes


“Emigrantët janë vëllezërit e motrat tona, që kërkojnë një jetë më të mirë”, larg varfërisë, urisë e shfrytëzimit: Papa ua kujton këtë të vërtetë besimtarëve, por edhe gjithë të tjerëve, në Mesazhin për Ditën e ardhshme Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, që do të kremtohet më 17 janar 2016. Para rritjes së fluksit të emigracionit, shkruan Françesku, Ungjilli i Mëshirës i prek ndërgjegjet më shumë se në të kaluarën e na fton të mos mësohemi me vuajtjet e të tjerëve.

         “Historitë dramatike të miliona burrave e grave – thekson Ati i Shenjtë – e sfidojnë bashkësinë ndërkombëtare”, e cila duhet të japë përgjigje për krizat e papranueshme humanitare në shumë zona të botës. “Indiferenca dhe heshtja – vazhdon Papa – i hapin udhën bashkëfajësisë, kur shohim si spektatorë, si vdesin njerëzit, për shkak të mbytjes, të mundimeve, të dhunës e të humbjes në det”. Emigrantët, nënvizon Françesku, të rregullt apo të parregullt, janë njerëz, që braktisin shtëpitë e tyre, në kërkim të një të ardhme më të mirë. Edhe kur mbijetojnë nga shfrytëzimi i trafikantëve, nga lloj-lloj abuzimesh e vështirësish, duhet të përballojnë realitetin, ku mbërrijnë, në të cilin gjejnë shpesh vend dyshimi e frika.

         Flukset e emigracionit, shkruan Papa, janë tashmë një realitet strukturor, prandaj duhet kapërcyer gjendja e emergjencës, për të ndërhyrë mbi shkaqet e emigracionit dhe mbi pasojat, që sjell ai për shoqëritë e popujt. Emigranti, vëren Ati i Shenjtë, është i detyruar të ndryshojë disa aspekte të identitetit të tij e, edhe kur nuk e dëshiron këtë, e detyron të ndryshojë vendin që e pret.

         Si duhen jetuar këto ndryshime, që të mos jenë pengesë për zhvillimin e vërtetë?, pyet Papa, i cili kërkon që emigracioni të shihet si rast për zhvillimin njerëzor, shoqëror dhe shpirtëror të popujve. Shoqëria mikpritëse duhet t’u përgjigjet sfidave, që nuk i ka hasur më parë, e të parandalojë rrezikun e diskriminimit, të racizmit, të nacionalizmit të skajshëm e të ksenofobisë.

         Këtyre problemeve, Kisha u përgjigjet me Ungjillin e Mëshirës. “Jemi rojtarë të vëllezërve e motrave tona kudo ndodhen”, u kujton Papa atyre bashkësive famullitare, të cilat debatojnë për kufijtë, që i duhen vënë mikpritjes, pasi kërcënon “qetësinë” e tyre. Të gjithë, kërkon Ati i Shenjtë, të jenë të gatshëm jo vetëm të japin, por edhe të marrin nga të tjerët. Kisha, siguron Papa Françesku, është në vijën e parë të frontit të mikpritjes, mbron të drejtën e secilit për të jetuar me dinjitet, por edhe të drejtën për të mos emigruar, duke kontribuar në zhvillimin e vendit të origjinës.








All the contents on this site are copyrighted ©.