2015-09-30 14:35:00

SHBA-Kubë. Papa: muret bien gjithmonë, mëshira fiton mbi konfliktet


“Zoti dëshiron të ndërtojë ura, jemi ne që ndërtojmë mure”. Papa Françesku ia kushtoi audiencën e përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit, udhëtimit të tij apostolik në Kubë e në SHBA-të. Ati i Shenjtë nënvizoi se mëshira e Hyjit është më e madhe se konfliktet e ideologjitë dhe vuri sërish theksin mbi rëndësinë e familjes, vetëm pak ditë para fillimit të Sinodit të Ipeshkvijve për këtë temë. Para se të niste katekizmin në sheshin e Shën Pjetrit, Papa u takua në Sallën Pali VI me një grup të madh të sëmurësh, të shoqëruar nga seksioni gjerman i Urdhërit të Maltës.

Në Kubë si misionar i mëshirës

         Një udhëtim për t’u mbajtur mend, e quajti Papa shtegtimin e tij më të gjatë apostolik, që zgjati dhjetë ditë. “Si misionar i mëshirës – tha Ati i Shenjtë pas falenderimeve për presidentët e vendeve mikpritëse dhe për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së – shkova në Kubë, tokë e pasur me bukuri natyrore, kulturore e fetare”:

         “Mëshira e Zotit është më e madhe se çdo plagë, se çdo konflikt, se çdo ideologji; e me këtë vështrim të mëshirshëm, munda të përqafoj gjithë popullin kuban, në atdhe e jashtë tij, përtej çdo lloj ndarjeje”.

         Simbol i këtij bashkimi të thellë me shpirtin kuban, theksoi Papa, është Virgjëra e Dashurisë e Cobre-s, Nënë e shpresës, Nënë, që i udhëheq njerëzit në rrugën e drejtësisë, paqes, lirisë e pajtimit. Françesku shtoi se ndau me popullin kuban shpresën e profecisë së Shën Gjon Palit II që “Kuba të hapet për botën e bota për Kubën”:

         “Jo më mbyllje, jo më shfrytëzim i varfërisë, por liri me dinjitet. Kjo është rruga, për të cilën digjet zemra e shumë të rinjve kubanë: jo rrugë devijimi, me fitime të lehta, por rrugë përgjegjësie, shërbimi për të afërmin, kujdesi për më të brishtët”.

SHBA-Kubë, muret shemben gjithnjë

         Kjo rrugë, vazhdoi Ati i Shenjtë, e gjen forcën në rrënjët e krishtera të popullit kuban, i cili ka vuajtur shumë. E këtu, Papa iu kthye temës së ndërtimit të urave, që e ka fort për zemër:

         “Nga Kuba në SHBA-të: ishte një kalim emblematik, një urë që, falë Zotit, po ndërtohet. Hyji dëshiron gjithnjë të ndërtojë ura; jemi ne, që ndërtojmë mure! E muret shemben, gjithmonë!”.

SHBA-të, me themel mbi fenë e moralin

         Në SHBA-të, përmendi Papa etapën e dytë të udhëtimit të tij apostolik, shkova në Uashington, Nju Jork dhe Filadelfia. Ati i Shenjtë u takua jo vetëm me autoritetet politike, por edhe me njerëzit e thjeshtë, me ipeshkvijtë, meshtarët e të shuguruarit, me të varfërit e të mënjanuarit. Pasuria më e madhe e atij vendi, nënvizoi Papa, është trashëgimia shpirtërore dhe etike. Parimi kryesor i atij populli shumëetnik e shumëkulturor bazohet mbi faktin se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nga Zoti, prandaj kanë njëlloj të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe mundësia për të qenë të lumtur. Vlera, për të cilat dëshmoi shenjti i ri, që Papa kanonizoi në Uashington, shën Junìpero Serra, ungjillëzuesi i madh i Kalifornisë, i cili na nxit në udhën e gëzimit e na fton ta ndajmë me të tjerët dashurinë e Krishtit:

         “Kjo është jeta e të krishterit, por edhe e çdo njeriu që ka njohur dashurinë: të mos e mbajmë për vete, por ta ndajmë me të tjerët. Mbi këtë bazë fetare dhe morale kanë lindur e janë zhvilluar SHBA-të e, mbi këtë bazë ato mund të vazhdojnë të jenë toke lirie e mikpritjeje, duke bashkëpunuar për një botë të drejtë e vëllazërore”.

Në OKB, inkurajimi për të punuar për paqen dhe Gjithësinë

         Më pas, Papa Françesku e çoi mendimin në vizitën e tij në OKB, ku kërkoi më shumë kujdes e mbrojtje për Gjithësinë e krijuar prej Zotit; ku ngriti zërin kundër persekutimit të pakicave etnike dhe fetare; ku kërkoi fundin e luftrave e vendosjen e paqes. Në Nju Jork, në Memorialin e Ground Zero, u lut së bashku me përfaqësuesit e feve, me familjarët e viktimave të atentateve të 11 shtatorit dhe me popullin e Nju Jorkut, që ajo ditë të mos përsëritet më.

Familja është përgjigjja për sfidat e botës

         Pjesa e fundit e katekizmit iu kushtua atij, që vetë Papa e quajti “kulmi i udhëtimit”: Takimit  të Familjeve në Filadelfia. Aty, Ati i Shenjtë nuk foli vetëm për të pranishmit, por për gjithë botën:

         “Familja, pra besëlidhja e frytshme ndërmjet burrit e gruas, është përgjigjja ndaj sfidës së madhe të botës sonë, e cila është e dyfishtë: fragmentimi dhe masivizimi, dy ekstreme, që bashkëjetojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin e, së bashku, mbështesin modelin ekonomik konsumist. Familja është përgjigjja, sepse është qeliza e një shoqërie, që ekuilibron përmasën personale me atë komunitare. Në të njëjtën kohë, mund të jetë modeli i administrimit të qëndrueshëm të pasurive dhe të burimeve të Gjithësisë”.  

Të rimendohet modeli i zhvillimit, duke u nisur nga familja

         Familja, vuri në dukje Papa, është subjekti protagonist i ekologjisë së gjithanshme, sepse është subjekt shoqëror parësor, që përmban në vetvete dy parimet-bazë të qytetërimit të njeriut mbi tokë: parimin e bashkimit dhe parimin e fekonditetit. E ishte hir i Provanisë Hyjnore, nënvizoi Ati i Shenjtë, që Takimi Botëror i Familjeve u mbajt në Filadelfia, në SHBA-të, vend, që shekullin e kaluar arriti maksimumin e zhvillimit ekonomik e teknologjik, pa i mohuar rrënjët fetare:

         “Tani, këto rrënjë na kërkojnë të rinisemi nga familja për ta menduar nga e para e për ta ndryshuar modelin e zhvillimit, për të mirën e krejt familjes njerëzore”.

         Në çastin e përshëndetjeve për 20 mijë shtegtarët, Françesku kujtoi se sot Kisha kremton shën Jeronimin. Duke iu drejtuar të rinjve, Papa uroi që pasioni i shën Jeronimit për Shkrimin Shenjt t’i bëjë të dashurohen pas Librit të Jetës. Duke iu drejtuar të sëmurëve, uroi që asketizmi i shën Jeronimit ta mbushë me kuptim vuajtjen e tyre e, duke u folur të sapomartuarve, Ati i Shenjtë u kujtoi forcën shpirtërore të shenjtit dhe uroi që shembulli i tij ta përforcojë fenë në shtëpinë e re bashkëshortore.








All the contents on this site are copyrighted ©.