2015-09-30 19:16:00

Imzot Gallagher: “etikë globale” kundër kërcënimit bërthamor


70 vjet më parë, kur vdekja mbërriti nga qielli mbi dy qytete japoneze, që u bënë pluhur e hi, njerëzimi preku me dorë e me tmerr fuqinë shkatërruese, që mund të përqendrohej në një atom të vetëm. 70 vjet më vonë, me realizmin që e kërkon skenari botëror i pandryshuar, Papa Françesku shkruan në enciklikën “Lëvduar qofsh”: “Njerëzimi nuk ka pasur kurrë kaq shumë pushtet mbi vetveten e asgjë nuk të garanton se do ta përdorë mirë atë, sidomos duke parë mënyrën se si shërbehet prej tij”.

         Citimi nga enciklika e fundit e Atit të Shenjtë ishte boshti, rreth të cilit Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Richard Gallagher, solli fjalën e tij për armatimet bërthamore në Konferencën e nëntë për lehtësimin e hyrjes në fuqi të Traktatit, që i ndalon ato. Për ta zvogëluar kërcënimin bërthamor, nënvizoi ai, botës së globalizuar i nevojitet një etikë globale, që u jep guxim popujve të veprojnë për një planet më të sigurtë. Por baza e kësaj etike duhet ndërtuar me vetëdijen e vendosmërinë e nevojshme për “të zëvendësuar logjikën e frikës e të msobesimit me etikën e përgjegjësisë, në mënyrë që të favorizohet një atmosferë besimi, që vlerëson dialogun shumëpalësh, përmes bashkëpunimit ndërmjet të gjithë anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare”.

         Në thelb, për të mundësuar hyrjen në fuqi të këtij Traktati të rëndësishëm, do të duhej ta ratifikonin vendet që nuk e kanë bërë këtë akoma. “Është detyra jonë ndaj njerëzimit, marrë së bashku, e sidomos, ndaj të varfërve dhe brezave të ardhshëm – përfundoi imzot Gallagher – ta përdorim pushtetin e paparë të shkencës e të teknologjisë për t’i shërbyer së mirës së përbashkët e për të promovuar kulturën e vërtetë të paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.