2015-09-28 15:02:00

Papa në avion: muret nuk janë zgjidhje; abuzimet, sakrilegj


Nga plaga e abuzimeve seksuale tek emergjenca e emigracionit në Evropë, nga Sinodi i ardhshëm për familjen në kundërshtimin për hir të ndërgjegjes: Papa Françesku iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëve në avionin, që e solli nga Filadelfia në Vatikan. Në konferencën tradicionale për shtyp, që zgjati rreth 50 minuta, Ati i Shenjtë foli edhe për paqen në Kolumbi, për dëshirën e tij që të shkojë në Kinë, për rolin e grave në Kishë. Para se të mbërrinte në Vatikan, Françesku shkoi, si zakonisht, të lutet e të falenderojë Zojën, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

         “Më bëri përshtypje ngrohtësia e njerëzve”. Papa e filloi kështu konferencën për shtyp, duke përshkruar mikpritjen e SHBA-ve. Shihej se njerëzit luteshin me përshpirtëri, me fe, e kjo më bëri përshtypje, nënvizoi Ati i Shenjtë, pavarësisht nga “provokimet”, që nuk munguan. Sfida e Kishës në SHBA-të është ta shoqërojë popullin në gëzime e në hidhërime, kur nuk ka punë, kur ka sëmundje. T’u qëndrojë afër njerëzve: duket se Kisha amerikane e ka kuptuar mirë këtë.

Abuzimet seksuale janë “sakrilegj”

         Papa Françesku iu përgjigj pyetjes mbi abuzimet seksuale nga ana e anëtarëve të klerit, duke kujtuar mundimin e madh nëpër të cilin kaloi episkopati amerikan. Shumë prej ipeshkvijve e kanë vuajtur thellë këtë gjendje, pasi, ngriti zërin Ati i Shenjtë, abuzimet seksuale janë “sakrilegj”. Kur abuzon meshtari është edhe më e rëndë, sepse thirrja e tij është ta rrisë atë fëmijë, ta drejtojë kah dashuria e Zotit, kah pjekuria e ndjenjave, kah e mira. Në vend që të bëjë kështu, e shtyp me këmbë:

         “Prandaj është gati sakrilegj. Ai e ka tradhtuar vokacionin, thirrjen e Zotit. Prandaj, Kisha, në këtë moment, nuk bën lëshime: nuk duhet të fshihen këto gjëra dhe ata, që i kanë mbuluar, janë fajtorë! Sepse edhe disa ipeshkvij i kanë mbuluar këto gjëra! Është diçka shumë e shëmtuar. E fjalët ngushëlluese nuk janë për të thënë: ‘Rri i qetë se s’është asgjë!”. Jo, jo! Duhet thënë se ‘ishte diçka shumë e shëmtuar e unë imagjinoj se ju keni derdhur shumë lot’. E kur fola, isha tejet i ashpër”.

T’i kuptojmë ata, që nuk i falin abuzimet

         E megjithatë, Papa Françesku nuk mungoi të fliste edhe për faljen, pavarësisht nga gjendja dramatike. Për meshtarët, që nuk kërkojnë falje për këto krime, Papa nënvizoi se nëse “meshtari nuk kërkon falje, edhe nuk e merr atë, sepse e ka mbyllur portën me çelës nga brenda. Ajo që na mbetet – theksoi Ati i Shenjtë – është të lutemi që Zoti ta hapë atë derë”. Ndryshe është çështja për viktimat e abuzimit apo për familjarët e tyre, që nuk arrijnë të falin. “Ata i kuptoj – pohoi Papa – lutem për ta e nuk i gjykoj”. Një herë, tregoi, takova disa njerëz e një grua më tha: “Kur e mori vesh nëna se kishin abuzuar me mua, blasfemoi kundër Zotit, e humbi fenë dhe vdiq ateiste”. “Unë – tha Papa – e kuptoj atë grua. E kuptoj. E Zoti, që është më i mirë se unë, e kupton”.

Çfarë mbetet në zemrën e Papës pas udhëtimit

         Françesku kaloi më pas në marrëveshjet për paqen në Kolumbi, të favorizuara pikërisht nga ndërhyrja e Papës dhe e Selisë së Shenjtë. Jam jashtëzakonisht, i kënaqur, tha Ati i Shenjtë, sepse jam ndjerë pjesë e gjithë kësaj, që e kam dashur me gjithë shpirt. Kam folur vetë, dy herë, me presidentin Santos për këtë problem e Selia e Shenjtë është e gatshme të ndihmojë si të mundet. Pastaj, Papa u besoi gazetarëve ç’i mbetet në zemër nga ky udhëtim:

         “Kur avioni niset pas një vizite, më vijnë ndërmend vështrimet e sa e sa njerëzve e më vjen të lutem për ta e t’i them Zotit: ‘Unë erdha këtu për të bërë diçka, për të bërë mirë. Ndoshta bëra keq: më fal. Por mbroji gjithë këta njerëz, që më panë, që menduan për fjalët që u thashë, që ndjenë, edhe ata që më kritikuan, të gjithë…”. Këtë ndjej”.

Herët a vonë, muret bien. Pranojini emigrantët

         Papa iu përgjigj pyetjes mbi emergjencën e emigracionit në Evropë. Foli për Afrikën, kontinent i shfrytëzuar gjatë e kërkoi që në vend të shfrytëzimit, t’u çohen shteteve afrikane investime për krijimin e vendeve të punës, gjë që do të shmangte krizat. Ati i Shenjtë kritikoi muret, që po ndërtohen sërish në zemër të Evropës, duke iu drejtuar gazetarëve, me fjalët:

         “Ju e dini si përfundojnë muret. Të gjithë. Të gjithë muret bien: sot, nesër apo pas 100 vjetësh. Ama do të bien. Nuk është ajo zgjidhja. Muri nuk është zgjidhje. Në këtë çast, Evropa ndodhet në vështirësi: është e vërtetë. Duhet të jemi inteligjentë, sepse vjen një valë e madhe emigracioni e nuk është e lehtë të gjenden zgjidhje. Por, me dialog ndërmjet vendeve, duhet ta gjejnë. Muret nuk janë kurrë zgjidhje, ndërsa urat, po, gjithmonë. Gjithmonë! Muret… jetojnë për pak apo për shumë kohë, por nuk janë zgjidhje. Problemi mbetet e, mbetet me urrejtje të shtuar!”

Nuk ekziston “divorc” katolik, martesa është e pazgjidhshme

         Papa Françesku foli gjerësisht për familjen, në prag të Sinodit e në veçanti, pas reformës për deklarimin e pavlefshmërisë së martesës. “Ata që mendojnë për ‘divorc katolik’ – nënvizoi Ati i Shenjtë – gabojnë, sepse ky dokument i fundit ia ka mbyllur portën divorcit, i cili mund të hynte më lehtë me rrugë administrative. Gjithnjë do të kemi rrugën e gjyqit”. Proceset ndryshojnë, shtoi Papa, jurisprudenca përmirësohet. Etërit sinodalë kërkuan pikërisht këtë: lehtësimin e proceseve për pavlefshmërinë e martesës:

         “Ky dokument, ky Motu Proprio, i ndihmon kohët e proceseve, por nuk është divorc, sepse martesa është e pazgjidhshme kur është Sakrament e këtë nuk mund ta ndryshojë Kisha. Kjo është doktrinë. Është Sakrament i pazgjidhshëm. Procesi ligjor bëhet për të provuar se ai, që dukej Sakrament, nuk ishte i tillë: për mungesë lirie, për shembull, ose për mungesë pjekurie, ose për shkak të ndonjë sëmundjeje mendore… janë të shumta arsyet, që, pas hetimit të duhur, na bëjnë të themi: ‘Jo, aty nuk kemi të bëjmë me Sakrament, për shembull, sepse filani nuk ishte i lirë’”.

         Në Buenos Aires, dha si shembull Papa Françesku, kur një vajzë e fejuar mbetej shtatzanë, duhej të martohej, pa dyshim. Por, tregoi Ati i Shenjtë, u thoja meshtarëve të mos e kremtonin martesën në këto kushte. Janë martesa për të larë fytyrën para njerëzve. Më pas, Papa foli për martesën e dytë të të divorcuarve. Më duket pak si tepër e thjeshtë të thuash se këtyre njerëzve u duhet dhënë Kungimi. Gjithsesi, martesa e të divorcuarve nuk është i vetmi problem, që duhet të diskutohet në Sinod. Për shembull, vuri në dukje Papa, të rinjtë nuk duan të martohen. Ky është problem baritor për Kishën. Ose problemi tjetër: pjekuria e ndjenjave në çastin e martesës. Një nga gjërat më të vështira, për të cilat duhet të mendojë Sinodi është përgatitja për martesë:

         “E ka shumë probleme… Por të gjitha pasqyrohen në Instrumentum Laboris. Më pëlqen që më bëtë pyetjen për ‘divorcin katolik’: jo, ai nuk ekziston. Ose nuk është martesë – e atëherë është e pavlefshme, nuk ka ekzistuar si Sakrament – ose, nëse ka ekzistuar, është e pazgjidhshme. Kjo është e qartë”.

Ndërgjegjja duhet respektuar

         Papa iu përgjigj pastaj një pyetjeje për mundësinë e kundërshtimit, nëse ndërgjegjja të thotë se nuk duhet bërë një gjë apo një tjetër. Për shembull, në SHBA-të, ndonjë funksionar refuzoi të nënshkruajë çertifikatat e martesave homoseksuale. Kundërshtimi për shkak të ndërgjegjes është e drejtë e njeriut, theksoi Ati i Shenjtë:

         “Është e drejtë njerëzore. Nëse funksionari qeveritar është njeri, e ka atë të drejtë. Është e drejtë e njeriut”.

Papa dëshiron të vizitojë Kinën

         Pasi kërkoi ndalimin e bombardimeve, që shkaktojnë dhe ashpërsojnë luftrat, Papa Françesku shprehu dëshirën për të vizituar Kinën:

         “Unë e dua fort popullin kinez; e dua fort. Uroj të ekzistojnë mundësitë për marrëdhënie të mira me të. Tani për tani, kemi kontakte, flasim… Të ecim përpara. Për mua, të kemi një vend mik si Kina, që ka kaq kulturë e kaq shumë mundësi për të bërë mirë, do të ishte gëzim i vërtetë”.

Falenderim për murgeshat amerikane, por “jo” meshtarisë femërore

         Pastaj, Papa u ndal tek roli i grave në Kishë e vuri në dukje sa shumë i duan murgeshat në SHBA-të:

         “Janë të mira, janë gra shumë, shumë të mira. Secila ndjek Kongregatën e vet, rregullat e saj, ka ndryshime, por janë të mira e të mbara e prandaj, e ndjeva për detyrë t’i falenderoj për gjithçka bëjnë”.

         Përsa i përket meshtarisë femërore, Ati i Shenjtë kujtoi fjalën e fundit, thënë për këtë nga shën Gjon Pali II. Nuk mund të bëhet, shtoi, por në Kishë janë më të rëndësishme gratë se burrat, prandaj kemi nevojë për një “teologji të gruas”.

Nuk jam yll kinemaje, jam Shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit

         E kur i vunë në dukje popullaritetin e tij të madh, Papa Françesku u përgjigj se nuk e ndjen aspak veten “yll kinemaje”:

         “A e di ti – iu drejtua gazetarit – cili ishte titulli që përdornin papët e që duhet përdorur? Shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit. Është pak si ndryshe nga ylli i kinemasë. Yjet janë të bukura për t’u parë e mua më pëlqen t’i shoh kur qielli është i pastër, në verë… Por Papa duhet të jetë shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit. Po, mediat të ngrenë në qiell, por ka edhe një të vërtetë tjetër: sa yje kemi parë në media, që pastaj, shuhen e bien… Është diçka kalimtare. Ndërsa të jesh ‘Shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit’, kjo po, është e bukur! Nuk kalon kurrë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.