2015-09-28 12:44:00

Papa: lumturia e shenjtëria qëndron në gjeste të vogla. Në Dublin, Dita e Familjes 2018


“Fjala e Zotit na fton të gjithëve të marrim pjesë në profecinë e besëlidhjes ndërmjet një burri e një gruaje, që lind jetën e zbulon Zotin”. Kështu foli Papa Françesku në homelinë e meshës, që mbylli Takimin VIII Botëror të Familjeve në Filadelfia. Qindra mijëra njerëz, ardhur nga pesë kontinentet, u lutën me Atin e Shenjtë, i cili theksoi se lumturia e shenjtëria lidhen me gjeste të vogla. Më pas, lajmi se Takimi i ardhshëm Botëror i Familjeve do të mbahet në Dublin të Irlandës, në vitin 2018. Por të kthehemi në meshën e mbrëmshme.

         Filadelfia, SHBA-të, bota, u ndalën në lutje me Papën. Në fotografitë, që tashmë qarkullojnë nëpër të gjitha mediat, shihet qartë një lumë njerëzish, por edhe feje, që mbushi Benjamin Franklin Parkway. Qindra mijëra njerëz, të kthyer me duar të bashkuara në lutje, nga Kryqi mbi Eakins Oval, gjysëmqarku nga ku familjet, të shtunën, festuan dhe u lutën me Atin e Shenjtë. Në elter, së bashku me klerin e pranishëm, Papa Françesku kremtoi meshën e madhe, që mbylli Takimin e Familjeve, pasi përshkoi në mesin e turmës entuziaste, rrugën që e çoi nga seminari i Shën Karl Borromeut në shesh, gjatë së cilës, si zakonisht, bekoi, puthi e përkëdheli fëmijë e të rritur:

         “Zoti, Ati ynë, - pohoi Papa – nuk lejon ta mundin në bujari e mbjell, mbjell praninë e tij në botën tonë”.

Dashuria e Zotit

         Zoti na ka dashur i pari, vazhdoi Ati i Shenjtë, duke u thënë familjeve t’i besojnë Hyjit e ta lëshojnë gjithë vetveten në duart e Atij, që nuk zhgënjen. Kujtoi fjalët e Jezusit: “Mos e pengoni të mirën, përkundrazi, ndihmojeni të rritet”. Nënvizoi se lumturia dhe shenjtëria qëndron në gjestet e vogla, siç thuhet në Ungjillin sipas Markut:

         “Kushdo t’ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim… nuk do ta humbë shpërblimin”.

Gjestet e vogla

         Në jetën e familjes, kjo kërkesë shihet në gjestet vërtet minimale, të cilat mund edhe të mos vihen re aspak në jetën e përditshme:

         “Janë gjeste dhembshurie, dashurie, mëshire”.

         Një pjatë e ngrohtë me gjellë, bekimi para gjumit, një përqafim… Janë gjeste familjare, vuri në dukje Papa, që tregojnë kujdesin për detajet e çdo dite dhe i japin jetës shijen e shtëpisë. Feja, shtoi, rritet kur jetohet e plazmohet nga dashuria:

         “Prandaj, familjet tona, shtëpitë tona, janë kisha të vërteta shtëpiake: janë vendi i përshtatshëm, në të cilin feja bëhet jetë e jeta bëhet fe”.

Ndërtimi i shtëpisë së përbashkët

         Papa Françesku nënvizoi se Jezusi na kërkon të mos u vëmë fre këtyre gjesteve të vogla të mrekullueshme, madje dëshiron që t’i shtojmë e t’i shkaktojmë. Duhet ta lemë veten në dorën e Shpirtit Shenjt, theksoi sërish Papa, sepse Ai na sfidon ta kuptojmë pse jetojmë e çfarë duam t’u lemë trashëgim fëmijëve:

         “Shtëpia jonë e përbashkët nuk mund të tolerojë ndarje shterpe”.

         E këtu, Ati i Shenjtë e ftoi edhe një herë krejt familjen njerëzore të kërkojë një zhvillim të gjithanshëm e të qëndrueshëm:

         “Bijtë tanë, të gjejnë tek ne pika referimi për bashkimin e jo për ndarjen. Bijtë tanë, të gjejnë tek ne njerëz të aftë të bashkohen me të tjerët, që të lulëzojë kudo gjithë e mira, që ka mbjellë Ati Qiellor”.

Besëlidhja e burrit me gruan

         Në një botë të lodhur nga përçarjet e katastrofat, Papa Françesku e sheh familjen si diçka profetike dhe e ftoi atë t’i hapë dyert e zemrës e ta përtërijë fenë në Fjalën e Zotit. Gjithashtu, i ftoi të gjithë të marrin pjesë në profecinë e besëlidhjes ndërmjet një burri e një gruaje, që lind jetën e na zbulon Zotin.

Dublin 2018

         Në fund të meshës, përshëndetja e kreut të Këshillit Papnor për Familjen, imzot Vincenzo Paglia, i cili lajmëroi se Takimi i ardhshëm Botëror i Familjeve do të mbahet në Dublin të Irlandës, në vitin 2018.








All the contents on this site are copyrighted ©.