Më 28 shtator, Kisha kujton solemnitetin e Shën Vençeslaut, pajtor qiellor i kombit çek, të cilii i la një trashëgiminë të çmueshme shpirtërore. Po kush ishte Shën Vençeslau?
Vençeslau, princ i Bohemisë, jetoi në shekullin X. U rrit dhe u edukua nga e gjyshja,
Shën Ludmilla, e cila u vra për shkak të fesë së saj nga e reja, Drahomira, nëna e
Vençeslaut. Ishte tepër i ri e megjithatë tepër i kulturuar, kur zuri vendin e të
atit në fron, pas një periudhe kundërshtimesh nga ana s’ëmës, që donte t’ia dorëzonte
principatën djalit të dytë, Boleslaut. E ajo vijoi ta nxiste aq shumë urrejtjen e
Boleslaut, sa ta bënte kain - vërastar.
Ndërkaq Shenjti, i rritur në oborrin mbretëror të vendlindjes e edhe vetë mbret, ëndërronte
gjithnjë të bëhej murg. E jetoi si murg, edhe pse i ulur mbi një fron mbretëror. Bëri
shumë për ungjillëzimin e vendit, duke thirrur për këtë qëllim edhe misionarë gjermanë
e duke u përpjekur ta afronte sa më shumë Boheminë me Evropën perëndimore e me kulturën
e saj, ndonëse nuk qenë të pakta vështirësitë që hasi në këtë rrugë. U bë kështu model
i guximit fisnik. Gjatë luftës me një nga dukët e Bohemisë, Vençeslau i propozoi t’i
zgjidhnin mosmarrëveshjet me duel ndërmjet tyre, në mënyrë që të mos rrezikonin jetën
e ushtarëve. Armiku u pajtua me të e mosmarrëveshja u zgjidh bujarisht. Mosha e re
e stili i sundimit e bënë model për shumicën e nënshtetasve, të cilët nisën ta nderonin
e ta përkrahnin, sepse qe mjeshtër në ushtrimin e drejtësisë. Nën sundimin e tij çdo
njeri, sado i varfër e i pambrojtur të ishte, gjente dikënd që ta dëgjonte e t’ia
zgjidhte problemet. Ishte aq i mirë, sa për t’u dashur fort, por edhe për t’u urryer
fort nga njerëzit e këqij, të cilët i tërbon mirësia. Pikërisht popullariteti i madh
bëri të ngrihej kundra tij – për shkaqe feje e sundimi – një pjesë e fisnikërisë,
që ndoqi vëllain e dytë, Boleslaun, i cili vijonte të ëndërronte fronin mbretëror.
Më 28 shtator të vitit 929, në sa ishte gjunjëzuar për të thënë uratët e mëngjesit
në kështjellën Starà Boleslav, u sulmua nga të përbetuarit e mbledhur rreth Boleslaut.
Iu desh të mbrohej nga shpata e të vëllait, të cilin do ta kishte vrarë, po t’ia lejonte
shpirti i tij thellësisht i krishterë. Në sa ia falte jetën e fajin, ra vetë nën teh
të shpatës të të përbetuarve. E ky qe akti i fundit i madhështisë së tij shpirtërore.
Trupi i Vençeslaut, që kishte filluar menjëherë të nderohej si shenjt, u mbart në
Pragë e u varros në Kishën e Shën Vitos, ndërtuar prej vetë Princit. Shembulli i jetës
së tij të krishterë, që përfundoi me martirizim, i dha një shtytje të re ungjillëzimit
të nënshtetasve e ai vetë u bë simbol i shtetit bohem.
All the contents on this site are copyrighted ©. |