2015-09-27 15:49:00

Papa, ipeshkvijve: bindini të rinjtë se familja është kryevepra e Zotit


Shtegtimit të dhjetë apostolik të Papës Françesku në Kubë e në SHBA-të po i vjen fundi. Sot, Ati i Shenjtë ndodhet akoma në Filadelfia për Takimin Botëror të Familjeve, ku fillimisht u prit nga ipeshkvijtë e mbledhur në këtë qytet pikërisht për Takimin. Më pas, takoi të burgosurit në Institutin Curran-Fromhold, burgu më i madh për meshkuj i Filadelfias. Sonte, në orën 22.00, me atë evropiane, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën për mbylljen e Takimit VIII Botëror të Familjeve e pasi të përshëndesë në aeroport, komitetin organizator, vullnetarët dhe bamirësit e këtij udhëtimi, do të kthehet në Vatikan. Por t’i kthehemi takimit të sotëm me ipeshkvijtë nga e gjithë bota.

Sfidat e sotme të familjes

         I përqendruar mbi familjen, mbi sfidat që ka përpara në epokën bashkohore dhe mbi përgjigjet, që duhet të japë Kisha: edhe kësaj herë, në fjalën e tij, Papa Françesku vuri në dukje argumentet, që ka më për zemër, qendra e këtyre ditëve në Filadelfia me familjet e mbarë botës. “Familja - nënvizoi Papa – është vendi themelor i besëlidhjes së Kishës me krijimin e Zotit”, është kryevepra e krijimit të Tij. Duke marrë si shembull ndryshimin e një dyqani të thjeshtë, nga një vend ku njerëzit gjenin të gjitha gjërat, që u duheshin, pavarësisht se jo në shumëllojshmërinë e sotme, në një supermarket, ku nuk ke asnjë lidhje me shitësin, asnjë afërsi me të tjerët, Papa Françesku vuri në dukje se është konsumi ai, që vendos për gjithçka. Konsumohen kështu edhe marrëdhëniet, miqësitë, fetë, duke e bërë të afërmin, njeriun, gjithnjë e më pak të rëndësishëm:

         “Kjo sjellje lind një kulturë, që hedh poshtë çdo gjë që ‘nuk duhet më’, ose ‘nuk kënaq’ shijet e konsumatorit. Kjo sjell një plagë të madhe, një vetmi radikale, në të cilën detyrohen të zhyten shumë njerëz. Vetmi, që ka frikë nga impenjimi, në përpjekjen e shfrenuar për t’u ndjerë dikushi. …Por do të gabonim po ta interpretonim këtë ‘kulturë’ të botës aktuale vetëm si pakënaqësi ndaj martesës e familjes, për shkak të një egoizmi të thjeshtë. Shumë të rinj, në gjirin e kësaj kulture frenuese, kanë bërë të tyren një lloj frike të pavetëdijshme. E paralizohen para hoveve më të bukura e më të larta, edhe kur janë të nevojshme. E shtyjnë martesën, në pritje të kushteve për mirëqënie ideale. E ndërkaq, jeta konsumohet, pa shije”.

Mos shpjegoni, ftojini të rinjtë të kenë guxim

         Papa tregoi se e njeh mirë kulturën e rrjeteve shoqërore, sa të nevojshme aq edhe pa asnjë lloj qëllimi, përveçse dëshirës për të pasur sa më shumë ndjekës, nëse përdoren thjesht për të kaluar një çast të ditës, i cili kthehet në një çast të jetës. Shijet e vërteta për jetën, nënvizoi Papa, i cili ftoi të mos kritikohen më kot të rinjtë, piqen me kalimin e kohës e janë fryt i investimit bujar të pasionit, të inteligjencës e të entuziazmit. E ç’duhet të bëjnë barinjtë e Kishës?

         “Jemi të thirrur t’i mbledhim forcat e të nxjerrim sërish në dritë entuziazmin për lindjen e familjeve, që i përgjigjen më shumë bekimit të Zotit, sipas vokacionit të tyre! Jo aq duke shpjeguar e rishpjeguar të këqiat e kushteve aktuale të sotme dhe të mirat e krishterimit, sa duke i ftuar haptas të rinjtë të marrin guximin e të zgjedhin martesën e familjen. Duhet t’u tregojmë se Ungjilli i Familjes është vërtet ‘Lajm i Mirë’ në një botë ku duket sikur mbretëron vetëm kujdesi për vetveten! Këmbëngulja në formimin e familjes e në zhvillimin e saj e shndërron botën dhe historinë”.

Ngjajini nënës e babait

         Që këndej, detyra e meshtarëve, rregulltarëve dhe ipeshkvijve të vigjëlojnë mbi jetën dhe zhvillimin e besimtarëve, pa fjalime, por me kujdes baritor, me lutje, duke i ngjarë nënës e babait e jo një njeriu, që ka mësuar të jetojë pa familje. Bariu i mirë, tha Papa, heq dorë nga dashuria e familjarëve të vet për t’ua kushtuar të gjitha forcat, me ndihmën e Zotit, bekimit të dashurisë ndërmjet burrit e gruas, që plotësojnë planin e krijimit të Zotit:

         “Shërbimi ynë ka nevojë ta çojë më tej besëlidhjen e Kishës me familjen. Përndryshe thahet, dobësohet, meket e, familja njerëzore largohet pa pushim, për fajin tonë, nga Lajmi i Mirë, që na ka dhënë Zoti. Familja është aleatja jonë, dritarja jonë mbi botën, evidenca e bekimit të pakthyeshëm të Zotit për të gjithë bijtë e kësaj historie të vështirë e të bukur të krijimit, së cilës, Zoti na ka kërkuar t’i shërbejmë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.