Më 27 shtator, kalendari i Kishës përkujton shën Vinçencin de’ Paoli, pajtorin qiellor të organizatave bamirëse katolike.
Në Francën e 1600 ai preku me dorë e personalisht kundërshtinë e fortë ndërmjet
më të pasurve e më të varfërve. Në të vërtet, si meshtar, shën Vinçenc de’ Paoli pati
rastin të frekuentonte si ambientet aristokratike, si dhe fshatrat, si dhe shtresat
më të varfra e të mënjanuara të Parisit. E i shtyrë nga dashuria e Krishtit, Vinçenci
de’ Paoli diti të organizonte forma të qëndrueshme të shërbimit për njerëzit e përbuzur
e të mënjanuar, duke krijuar të ashtuquajturat ‘Bamirësitë’, çka do të thotë grupet
e grave që ofronin kohën dhe të mirat e tyre duke i vënë në dispozicion të të varfërve
e të mënjanuarve”.
“Ndër këto grupe vullnetaresh disa zgjodhën e vendosen t’ia përkushtonin krejtësisht
jetën Zotit e të varfërve, e kështu, së bashku me shën Luizën Marillak, shën Vinçenci
de’Paoli themeloi ‘Bijat e Dashurisë”, kongregatën e parë femërore për të jetuar përkushtimin
‘në botë’, në mesin e njerëzve, me të sëmurë e nevojtarë.
Pra, do të na duhej një kohë e gjatë vetëm për të lexuar listën e veprave bamirëse
që bëri dhe themeloi gjatë jetës së tij, imzot Vinçenci siç e thërrisnin besimtarët,
meshtar e themelues, shenjtin e sotëm. Nuk është e lehtë, prandaj, të flasësh për
klerikun francez, Vinçencin De’ Paoli lindur në Poi të Gaskonjës (Francë) më 24 prill
1581, shuguruar meshtar në moshën 19 vjeçare. Menjëherë pas shugurimit, u burgos nga
muhamedanët, të cilët e mbajtën në burg për dy vjet me radhë. Kur u lirua, kishte
arritur ta kthejë në fenë e Krishtit njeriun që e ruante. Djaloshi, i cili në vendlindje,
në Poi, pati ruajtur derrat, u ngjit shumë shpejt në shkallët më të larta të shoqërisë.
I sapodalë nga burgu, u nis për në Paris, ku u caktua kapelan i mbretëreshës Margerita
e Valuasë. Njohu, këtu, së afërmi, kardinalin Rishelië, Mbretëreshën e kohës, Anën
e Austrisë dhe Lugjin XIII, që e deshi pranë në shtratin e vdekjes.
Vinçenci De’ Paoli guxoi t’i fliste ballë për ballë e me zë të lartë për mjerimin
e popullit, kardinalit Rishelië, të cilin e kishin frikë të gjithë. “Imzot - i tha
– kini mëshirë për ne. Na e jepni paqen!”. Më pas, në ditët e errëta të Frondës, kur
Parisi ngriti barrikada e kardinali Maxarino deshi të përdorte armën e urisë, për
të mposhtur rebelimin, Vinçenci organizoi një mensë, në të cilën çdo ditë shuanin
urinë më se 2000 vetë. Pastaj i hipi kalit e vrapoi në Shën Zhermen për t’i thënë
Maxarinit: “Imzot, largohuni, flijojeni veten për të mirën e Francës!”.
Njeri praktik, i pamposhtur, i thjeshtë si fshatar, i pajisur me humor të hollë e
sidomos me aftësi për të realizuar vepra të mëdha, u thoshte meshtarëve të Shën Lazrit:
“Ta duam Zotin, vëllezërit e mi, por ta duam me shpenzimet tona, me mundin e krahëve
tonë, me djersën e ballit tonë”.
Duke e ditur mirë se të varfrit vuajnë më tepër për shkak të mungesës së rregullit
në organizimin e bamirësisë, sesa për shkak të paaftësisë së njerëzve bamirës, siguroi
nga Mbretëresha vendin e Ministrit të Bamirësisë dhe organizoi ndihmat për të varfrit
në shkallë kombëtare. Thuhet se nëpër duart e tij kalonin çdo ditë më shumë para sesa
në duart e ministrit të financave. Por në bankën e tij të bamirësisë kapitalet nuk
shteronin kurrë.
Katër janë institutet kryesore të themeluara prej shën Vinçencit de’ Paoli: “Bashkvëllazëria
e Zonjave të Bamirësisë”, “Shërbëtorët e të varfërve”, “Bashkëvëllazëria e Priftërinjve
të Misionit (ose lazaristët, të cilëve u besoi misionin e dyfishtë të jepnin ndihmesën
për përgatitjen e meshtarëve të ardhshëm dhe për organizimin e predikimeve të përshtatshme
për fshatarët) dhe “Bijat e bamirësisë”. Vdiq në Paris më 27 shtator 1660; u shpall
shenjt më 1737.
All the contents on this site are copyrighted ©. |