2015-09-25 17:45:00

Papa: funksionarëve të OKB-së, punoni në heshtje për paqe.


Papa Françesku në selinë e OKB-së, në Nju Jork, takoi personelin e kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara, të cilëve u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt. Ja fjala e Papës drejtuar personelit

Miq të dashur,
Me rastin e vizitës së sime në Kombe të Bashkuara, ju përshëndes me shumë gëzim, të gjithë ju burra e gra që jeni në shumë mënyra shtylla e kësaj Organizate. Ju falënderoj për pritjen tuaj e ju jam mirënjohës për tërë atë që keni bërë për përgatitjen e vizitës sime. Dua më tej të ju kërkoj t’ia transmetoni përshëndetjet e mia anëtarëve të familjeve tuaja e kolegëve që nuk kanë pasur mundësi të jenë sot me ne.
Pjesa më e madhe e punës së bërë këtu nuk është e natyrës që bënë lajm. Impenjimi juaj i përditshëm, në prapaskenë, i bënë të mundshme shumë nisma diplomatike, kulturore, ekonomike e politike të Kombeve të Bashkuara, që janë aq të rëndësishme për t’i mbështetur shpresat dhe aspiratat e popujve që e përbëjnë familjen njerëzore. Jeni ekspertë e operatorë në terren, funksionarë e sekretarë, përkthyes e interpretues, punëtor pastrimi e kuzhinierë, personel i mirëmbajtjes dhe i sigurisë. Ju faleminderit për gjithë atë që bëni!
Punua juaj e heshtur dhe besnike kontribuon jo vetëm në përmirësimin e Kombeve të Bashkuara, por ka edhe një domethënie të madhe për ju personalisht, sepse mënyra me të cilën punojmë e shpreh dinjitetin tonë e atë se çfarë njerëzish jemi.
Shumë prej jush kanë ardhur në këtë qytet prej Vendeve nga mbarë bota. E si të tillë jeni një mikrokozmos i popujve që kjo Organizatë përfaqëson e mundohet t’u shërbejë. Si shumë njerëz në mbarë botën, edhe ju jeni të shqetësuar për mirëqenien dhe për edukimin e bijve tuaj. E keni përzemër të ardhmen e planetit, e llojin e botës që do t’ia lëmë breznive të ardhshme. Mirëpo sot, e çdo ditë, dua t’i kërkoj çdonjërit prej jush, sipas aftësisë që çdonjëri ka: kujdesuni njëri për tjetrin, jini afër njëri tjetrit, respektoni njëri tjetrin, në mënyrë që ta mishëroni në vetveten tuaj idealin e kësaj Organizate, atë të një familje njerëzore të bashkuar, që jeton në harmoni, që vepron jo vetëm për paqen por në paqe; që reagon jo vetëm për drejtësinë, por në shpirtin e drejtësisë.
Të dashur miq, ju bekoj të gjithëve e çdonjërin me gjithë zemër. Do të lutëm për ju e për familjet tuaja, e ju kërkoj që çdonjëri prej të kujtohet për mua në lutjen personale. E nëse ndokush prej jush nuk është besimtar, i kërkoi të më uroj të mirën. Zoti ju bekoftë të gjithëve.
Faleminderit.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.