2015-09-24 11:04:00

Papa shpall shenjt atë Junipero Serrën: "Gjithnjë përpara"


“Jemi të ftuar në festën e gëzimit e të mos kënaqemi me pak”: kështu tha Papa Françesku në meshën për shenjtërimin e atë Junìpero Serrës, kremtuar në shenjtëroren e Zojës së Papërlyer në Uashington. Ndërsa në Evropë binte nata e djeshme, Ati i Shenjtë i dha Kishës një shenjt të ri dhe i bëri thirrje t’i kumtojë Krishtin botës me vetëdijen se fryma e kësaj bote ka rrezik “t’ua anestetizojë njerëzve zemrën”.

Ungjillëzuesi i Kalifornisë, mbrojtësi i lëkurëkuqëve

Atë Junìpero Serra, françeskan, është ungjillëzuesi i Kalifornisë. Kur Papa Françesku hyri në shenjtëroren kushtuar Pajtores së SHBA-ve, u prit nga 4 mijë seminaristë (shenjë e një Kishe të gjallë), por edhe nga murgesha, rregulltarë e laikë, pasi u shoqërua gjatë gjithë rrugës nga një turmë entuziaste prej mijëra amerikanësh, që mezi ç’prisnin të shihnin e të përshëndesnin Pasardhësin e shën Pjetrit, për vizitë në vendin e tyre. Ati i Shenjtë u lut para të Shenjtnueshmit Sakrament, veshi paramentet e meshës dhe në procesion iu afrua elterit jashtë shenjtërores, ku ishin mbledhur një numër i jashtëzakonshëm besimtarësh, ipeshkvijtë amerikane, një delegacion nga Kalifornia dhe 20 indianë lëkurëkuq, me veshje tradicionale.

Shën Junìpero Serra – “Përpara, gjithnjë përpara”

Në gjysmën e viteve 1700, shenjti i ri e shkriu jetën, duke u përpjekur të mbrojë dinjitetin e banorëve autoktonë të Amerikës. Abuzimet e atëhershme me atë bashkësi, nënvizoi Papa gjatë homelisë, edhe sot, vazhdojnë të sjellin pakënaqësi e keqardhje. Edhe atë Junìpero Serra, për Atin e Shenjtë, qe dëshmitar i Kishës në dalje, të asaj që shkon drejt të tjerëve, të asaj që di ta ruajë zemrën nga joshjet e frymës së kësaj bote, duke mos e lënë të anestetizohet e të mos ndjejë më asgjë:

“Zgjodhi një moto, që i frymëzoi hapat e veta dhe ia plazmoi jetën: diti të thoshte, por sidomos diti të jetonte, duke thënë: ‘Gjithnjë përpara’. Kjo ishte mënyra, që gjeti Junìpero për të jetuar gëzimin e Ungjillit, që të mos i anestetizohej zemra. Gjithnjë përpara, sepse Zoti pret; gjithnjë përpara, sepse vëllai pret; gjithnjë përpara për gjithçka që i mbetej për ta jetuar; ishte gjithnjë në ecje përpara”.

Gëzimi i mëshirës

Shembulli i shenjtit të ri vlen edhe sot, sepse Krishti na fton edhe sot për ta jetuar gëzimin e Ungjillit e jo vetëm dymijë vjet më parë. Nuk duhet të kënaqemi me pak, vetëm me atë që na ofron bota, qe këshilla e Papës, për të cilin gëzimi e ka bazën në përvojën e mëshirës. Kur mëshirojmë e ndihmojmë të tjerët, e bëjmë sepse kemi provuar mëshirën e Zotit. E kjo na ndihmon të kuptojmë si duhet jetuar plotësisht, për t’i dhënë kuptim jetës, duke u larguar nga trishtimi, i cili kur bëhet i zakonshëm, na e mbyt zemrën, e vë atë në gjumë. Rruga e Papës është misioni:

“Shkoni tek të gjithë e shpallni Ungjillin… Për këtë na fton sot Zoti e na thotë se gëzimi i të krishterit eksperimentohet në mision: shkoni ndër njerëzit e të gjitha kombeve; gëzimi i të krishterit gjendet në një ftesë: shkoni e shpallni Ungjillin; gëzimi i të krishterit risohet dhe aktualizohet në një thirrje: shkoni e vajoni, përforcojini në fe”.

Misioni është për të gjithë

E ky mision është për të gjithë. Jezusi, nënvizoi Papa Françesku, nuk na jep ndonjë listë: kush po e kush jo. Misioni nuk lind nga ndonjë projekt i hartuar në tryezë, por nga një jetë, e cila e ndjen se Zoti e kërkon dhe e shëron, e gjen dhe e fal e, piëkrisht për këtë, për të vepruar në botë, nuk pret jetën e zbukuruar, dekorative e plot makijazh, që i ofron ajo:

“Shkoni në udhëkryqe, në të katër anët… e shpalleni Ungjillin pa frikë, pa paragjykime, pa treguar epërsi, pa purizma, për të gjithë ata, që e kanë humbur gëzimin e jetës, shkoni e kumtoni përqafimin e mëshirshëm të Atit Qiellor”.

Nuk është gabimi, fjala e fundit

Gabimet, iluzionet mashtruese, keqkuptimet, vijoi Papa Françesku, nuk janë fjala e fundit në jetën e njeriut. Populli, që i qëndron besnik Zotit, nuk ka frikë nga gabimet, ka frikë mbylljen, shndërrimin në elitë, lidhjen e pazgjidhshme me siguritë e rreme të kësaj bote. Kjo, ngaqë e di se mbyllja në vetvete, në format e saj të shumta, është shkak për t’u dorëzuar, për të hequr dorë nga shumë gjëra të bukura. E në ditën, në të cilën qielli feston shenjtin e ri, Papa Françesku dha si shembull pikërisht shenjtorët, si dëshmitarë të palodhur të asaj aradhe të çmuar, që kumton e konkretizon Lajmin e Mirë të Krishtit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.