2015-09-23 17:02:00

SHBA-së: Kanonizimi i Junipero Serrës, njeri e misionar i përvujtë


Papa Françesku do ta shpallë shenjt Junipero Serrën, themelues i kundërshtuar i SHBA-së. Pritje e madhe sot, në  Shenjtëroren Kombëtare të Zojës Papërlyer (National Shrine of the Immaculate Conception) në Uashington, për Meshën e Shenjtë të kryesuar nga Papa Françesku për kanonizimin, shpalljen shenjt të françeskanin atë Junipero Serra, apostull i Kalifornisë, një njeri i dashuruar në Ungjill që konsiderohet një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Kisha katolike në SHBA-së ka bërë shumë për ta bërë të njohur jetën, misionin dhe dëshminë e shenjtërisë së vëllait Junipero Serra. Kjo veprimtari kishte për qëllim dhënien e një përgjigjeje të fortë përballë propozimeve të disa politikanëve amerikanë për ta hequr portretin e atë Serrës nga parlamentet e ndryshme në SHBA-së, ku është ekspozuar, posaçërisht në Uashington e Los Angeles.

Ata që bënë përpjekje për ta zhdukur të vetmin hispano-amerikan nga  Kapitoli i Washingtonit, nesër do të marrin përgjigjen nga Papa i parë hispanik që dëshiron ta lartojë në nderime të altarit këtë figurë të jashtëzakonshme me përmasa njerëzore, shpirtërore, shoqërore e shtetërore. Me shenjtërimin që do të kremtohet nesër, kujtimi i vëllait Junipero Serra do të përjetësohet, figura dhe vepra e tij do të ruhet nga besimtarët katolikë amerikanë së bashku me  Konferencën Episkopale të SHBA-së, në të cilën, faleminderit Zotit, nuk mungojnë ipeshkvij hispanikë”, por edhe nga qytetarët që njohin e vlerësojnë figurat si atë Junipero Serra, që dha jetën për Fe e Atdhe.

Françeskani Junipero Serra, mbrojtës i amerikanëve të lindur në këto troje, mbajti gjithnjë qëndrim të prerë kundër dënimit me vdekje, pohon kapuçini Vincenzo Ceriscuolo, referues i përgjithshëm i Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, duke pranuar, ndërkaq, se në kohën e  tij, atë Serra nuk i përjashtoi dënimet fizike në fushën e edukimit e se këto pohime lexohen edhe në letrat e tij, të cilat kohëve të fundit janë publikuar me qëllime polemike. Figurë e ndërlikuar, pra, por kjo nuk  pengon aspak që ky misionar i jashtëzakonshëm, atë Junipero Serra, që do të jetë pajtor qiellor i hispanikëve të Amerikës, të bëhet shumë më i njohur se më parë gjatë kësaj periudhe, që ka paraprijë vizitën e Papa Françesku në SHBA-së, e, natyrisht, edhe pas saj. 

Kujtojmë se françeskani Junìpero Serra  lindi më 25 nëntor të vitit 1713 e ndërroi jetë më 28 gusht të vitit 1784. Apostull i Kalifornisë, lindi në Majorca në Ishujt Baleari. Bëri kushtet e jetës rregulltare në Urdhrin e Françeskanëve më 15 shtator 1731 me emrin e shën Françeskut. Në përfundim të studimeve, dha mësim si profesor i filozofisë e teologjisë pranë Universitetit Lulliana. Së bashku me një dishepull të vet, Françesku Palòu, i cili mbeti afër tij për tërë jetën, Junipero nisët për “Misionet e Amerikës” e mbërrin në Kolegjin Apostolik të Shën Ferdinandin në Qytetin e Meksikos (1950).

Në përfundim të përgatitjes si misionar ndër indios, niset, së bashku me Françeskun Palòu për në Sierra Gorda e mbërrin në Jalpàn më 16 qershor të vitit 1750 ku nga një guvernator vendas mëson gjuhën Pame para se të fillonte predikimin në gjirin e Indios-ve në gjuhën e tyre, duke përkthyer lutjet e përditshme e katekizmin. Krahas misionit ungjillëzues aftë Serra i mësonte banorët indios edhe në fushën e punës. Në Santiago të Jalpàn-it e ndërton një tempull me gurë në stilin barok, për të cilin ende sot tregohet një interes arkitektonik e shpesh është marr si model për realizimin e Kishave në misione tjera. Junipero Serra vendoset në Kolegjin apostolik të Shën Ferdinandin (1758-1767) ku ishte Mësues i rishtarëve (noviziati) e predikatar në dioqeza të ndryshme meksikane.

Në vitin 1767 jezuitët dëbohen nga zonat spanjolle e misionet e Kalifornisë së Ultë të cilat u besohen françeskanëve. Junipero emërohet epror e mbërrin në Kaliforninë e Ultë bashkë me 14 shokë tjerë misionarë (1768) ku themelon misionin e parë në San Diego (1769). Nga këtu nis zhvillimi i ungjillëzimit me hapjen e misioneve nëpër vende tjera si në San Francisco e në shumë vende tjera. Papa Klementi XIV i jep privilegjin e mbarështimit (kremtimit) të sakramentit të Krezmimit për dhjetë vjet, në përfundim të kësaj periudhe numri i të krezmuarve në të gjitha misionet që ai pati vizituar është 5.309. Në vitin 1782 themelon misionin e fundit në San Bonaventura, realizuar në Territore të Reja, para se të tërhiqej në Karmelin e Monterey-s, gjithnjë me vëllain dishepull Palou, ku vdiq dhe u varrua në Kishën e misionit.

Kolos i ungjillëzimit, ka përshkuar vetëm Kaliforninë e tij (1767-1784) afër 9900 km e 5400 milja lundrimi duke krijuar misione të reja nga të cilat vijnë emrat françeskanë të qyteteve kaliforniane si San Francìsko, San Diego, Los Angeles etj. I konsideruar si atë i indios-ve, nderohet edhe si hero kombëtar e nga 1 marsi i vitit 1931 shtatorja e tij gjendet në Sallën e Kongresit të Uashingtonit si përfaqësues i Shtetit të Kalifornisë. U shpall i Lum nga Papa Gjon Pali II më 25 shtator 1988.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.