2015-09-23 14:52:00

Papa: jam këtu për t’i ndarë bashkë ëndrrat dhe shpresat e popullit amerikan


Vizita historike e Papa Françeskut në SHBA-së nisi sot. Ngjarja e parë zyrtare e këtij udhëtimi papnor, me një simbolizëm të madh por edhe një mesazh jashtëzakonisht aktual për afrimin dhe pajtimin ndërmjet kombeve, qe vizita e Atit të Shenjtë në Shtëpinë e Bardhë të Uashingtonit e takimi me Presidentin e SHBA-së, Barack Obama.
Në fjalimin drejtuar Presidentit të SHBA-së, Obama, Papa Françesku tha: “jam këtu për t’i ndarë bashkë ëndrrat dhe shpresat e popullit amerikan”. Po ja fjalimi i plotë i Atit të Shenjtë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti President,
Jam mirënjohës për fjalët e mirëseardhjen që Ju më drejtuat në emër të të gjithë Amerikanëve. Si bir i një familje emigrantësh, gëzohem që jam mysafir i këtij Kombi, i cili në pjesën më të madhe qe ndërtuar prej familjeve të ngjashme. Po i nisi me gëzim këto ditë takimi e dialogu, gjatë cilave shpresoj t’i dëgjoj e ndaj bashkë shumë prej ëndrrave e shpresave të popullit amerikan.
Gjatë kësaj vizite time do të kem nderin t’i drejtohem Kongresit, ku shpresoj, si vëlla i këtij Vendi, t’u them një fjalë inkurajimi atyre që janë të thirrur ta udhëheqin të ardhmen politike të Kombit, në besnikëri ndaj parimeve themelore të tij. Do të shkojë edhe në Filadelfia, për Takimin e VIII Botëror të Familjeve, qëllimi i të cilit është ai i kremtimit dhe mbështetjes së institucionit të martesës e të familjes, në një moment kritik të historisë së qytetërimit tonë.
Zoti President, së bashku me të gjithë bashkëqytetarët e tyre, katolikë amerikanë janë të angazhuar në ndërtimin e një shoqërie që të jetë vërtetë tolerante e përfshirëse, në mbrojtje të të drejtave të individëve e të komuniteteve, e që refuzon çfarëdo lloj forme të diskriminimit të padrejtë. Së bashku me një numër të pakufishëm njerëzish vullnet mirë të kësaj demokracie të madhe, ata presin që përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e mirë të rregulluar, t’i respektojnë shqetësimet e tyre më të thella dhe të drejtat që kanë të bëjnë me lirinë fetare. Kjo liri mbetët njëra prej arritjeve më të çmueshme të Amerikës. E, siç më kanë kujtuar vëllazëri e mi Ipeshkvij të SHBA-së, të gjithë janë të thirrur të jenë vigjilentë, pikërisht si qytetarë të mirë, për ta ruajtur e mbrojtur një liri të tillë prej çfarëdo gjëje që mund ta rrezikoj apo ta komprometoj.
Zoti President, më duket premtuese nisma që Ju keni propozuar për reduktimin e ndotjes së ajrit. E konsideruar si çështje urgjente, më duket qartë se edhe ndryshimet klimaterike janë një problem që nuk mund të lihet më ashtu siç është për brezat e ardhshëm. Historia na ka vënë në një moment kyç për t’u kujdesur për “shtëpinë tonë të përbashkët”. Jemi, pra, ende në kohë për t’u ballafaquar me ndryshimet që garantojnë “një zhvillim të mundshëm e gjithëpërfshirës, sepse e dimë mirë se gjërat mund të ndryshojnë” (Enciklika Lëvduar qofsh, 13). Ndryshimet kërkojnë nga ana jonë ta njohim seriozisht e në mënyrë të ndërgjegjshme çfarë bote mund t’ia lëmë jo vetëm bijve tanë, por edhe miliona njerëzve të nënshtruar ndaj një sistemi që e ka lënë pas dore. Shtëpia jonë e përbashkët ka qenë pjesë e këtij grupi të të përjashtuarve që klithë drejt qiellit e që sot troket me forcë në shtëpitë tona, në qytete, në shoqëri. Duke përdorur fjalët e urta të të Nderuarit Martin Luther King, mund të themi se nuk i kemi kryer si duhet disa impenjime, e tani ka ardhur momenti për t’i respektuar e plotësuar.
Në saje të fesë e dimë se “Krijuesi nuk na braktis, nuk heq dorë nga plani i tij i dashurisë, nuk pendohet pse na ka krijuar. Njerëzimi ka akoma aftësinë e bashkëpunimit për të ndërtuar shtëpinë tonë të përbashkët” ( Enciklika Lëvduar qofsh, 13). Si të krishterë të frymëzuar nga kjo bindje, mundohemi të impenjohemi për t’u kujdesur me  vetëdije e ndërgjegjësim për shtëpinë tonë të përbashkët.
Përpjekjet që janë bërë kohëve të fundit për rregullimin e marrëdhënieve të ndërprera dhe për hapjen e udhëve të reja të bashkëpunimit brenda familjes njerëzore, përfaqësojnë hapat pozitive që janë bërë përpara në udhën e pajtimit, të drejtësisë e të lirisë. Uroj që të gjithë burrat e gratë vullnet mirë të këtij Kombi të madh e të zhvilluar, t’i mbështesin orvatjet e komunitetit ndërkombëtar për mbrojtjen e njerëzve më të brishtë që ka bota jonë e të promovojnë modele që ndihmojnë një zhvillim të gjithanshëm, kështu që vëllezërit e motrat tanë kudo mund të shohin bekimet e paqes e të prosperitetit që Zoti dëshiron për të gjithë bijtë e vet.
Zoti President, edhe një herë Ju falënderoj për mirëseardhjen Tuaj e këto ditë në Vendin Tuaj i shikoj plotë besim. Zoti e bekoftë Amerikën!
 








All the contents on this site are copyrighted ©.