2015-09-23 10:59:00

Kisha në SHBA-së e shekullarizimi radikal. Duhen dëshmitarë të dashurisë së Ungjillit.


Sfidat shpirtërore e kulturore të ungjillëzimit të ri, janë në qendër të reflektimit të ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkëvnore Amerikane.
Kisha në SHBA-të, duhet të ketë rol themelor në kundërshtimin e rrymave individualiste, të cilat mbrojnë idenë e një lirie të shkëputur nga e vërteta morale. Këndvështrimi mbi botën në këtë vend, është formuar jo vetëm nga feja, por edhe nga impenjimi për parimet etike, që rrjedhin nga natyra e nga Zoti. Por rrymat aktuale kulturore, jo vetëm predikojnë krejtësisht në kundërshtim me moralin e traditës judeo-kristiane, por janë gjithnjë e më tepër kundër krishterimit, si i tillë. Kisha predikon Ungjillin, i cili, jo vetëm propozon të vërteta morale të pandryshueshme, por i konsideron si çelës për lumturinë e begatinë e njeriut.
Në masën me të cilën, disa prirje aktuale kulturore përmbajnë elemente, që mund ta reduktojnë shpalljen e këtyre të vërtetave, duke i mbyllur në kufijtë e arsyetimit thjesht shkencor, ose duke i eliminuar në emër të pushtetit politik, apo të parimit të shumicës, ato përfaqësojnë kërcënim jo vetëm për fenë e krishterë, por edhe për vetë njerëzimin, për të vërtetat më të thella të qenies sonë e të thirrjes sonë të fundme, marrëdhënieve me Zotin.
Kur kultura përpiqet ta zhdukë përmasën e misterit të fundmë, duke u mbyllur portat të vërtetave transcendentale, i hap dyert totalitarizmit, siç pohonte shën Gjon Pali II. Por tradita e krishterë nuk flet për një fe të verbër. Ajo bazohet në impenjimin për ndërtimin e një shoqërie vërtet të drejtë e humane.
Mbrojtja që i bën Kisha arsyes morale, të themeluar mbi ligjin natyror, bazohet në bindjen se ky ligj nuk është kërcënim për lirinë tonë, por ‘gjuhë’, që na lejon ta kuptojmë vetveten dhe të vërtetat e qenies sonë, për të krijuar një botë më të drejtë e më njerëzore.
Mësimet e Kishës, nuk janë kufizim për njeriun, por çlirim. Për këtë arsye, dëshmia e saj është publike. Ekziston ndarja ndërmjet Shtetit e Kishës, por kjo nuk do të thotë që Kisha të heshtë për çështje të caktuara e se shteti nuk duhet të impenjohet para besimtarëve, për mbrojtjen e vlerave, në të cilat ata besojnë e të jetë në shërbim të më të varfëve ndër varfër. Prandaj ipeshkvijtë janë të impenjuar ta luftojnë në të gjitha fushat shekullarizimin radikal në gjirin e shoqërisë amerikane, që ka si synim asgjësimin e përmasës shpirtërore në jetën e njeriut.
Shumë prej ipeshkvijve pohojnë se janë bërë përpjekje të organizuara për ta mohuar të drejtën e kundërshtimit për hir të ndërgjegjes… përsa u përket praktikave të papranueshme për moralin e krishterë… Flitet për prirjen shqetësuese të reduktimit të lirisë së fesë, thjesht në lirinë e kultit, pa garanci për respektimin e lirisë së ndërgjegjes.
Prej këndej, lind nevoja e impenjimit të guximshëm të laikëve katolikë në debatin publik për të ardhmen e shoqërisë amerikane. Kisha duhet t’i përgatisë e t’i formojë besimtarët e të dialogojë me shoqërinë e botën e kulturës. Këtu nuk mund të mos përmendet puna e ipeshkvijve të SHBA-ve për të mbajtur lidhjet me katolikët e impenjuar në politikë, për t’u kujtuar atyre përgjegjësinë në dhënien e dëshmisë së fesë, sidomos për çështjet morale të kohës sonë, si dhe angazhimi i Karitasit Amerikan në favor të njerëzve të varfër e të mënjanuar brenda vendi e jashtë. Sigurisht që duhen mobilizuar, të gjitha burimet intelektuale e morale të bashkësisë katolike për ungjillëzimin e ri të shoqërisë amerikane e për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë në respekt e vëllazërim mes të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Vëmendja e Kishës katolike sigurisht që përqendrohet tek të varfërit e Vendit e të Planetit, tepër të shumtë. Për të ndërtuar paqen – na kujton Papa– duke t’u japim shpresë të varfërve si dhe shumë njerëzve e familjeve, të prekura rëndë nga kriza e sotme ekonomike, ndërsa kriza ushqimore dhe mbingrohja klimaterike shkaktojnë në të katër anët e botës, vështirësi të panumërta për sigurimin e ushqimit e të ujit. Është urgjente të adoptohet një strategji e aftë për luftën kundër urisë e për lehtësimin e zhvillimit bujqësor lokal, posaçërisht sepse përqindja e njerëzve të varfër në vendet e pasura, është gjithnjë në rritje.
Për Papa Françeskun, është e nevojshme t’i rikthehet njerëzimit besimi, që e shëron ekonominë e sëmurë, e kjo mund të arrihet vetëm përmes respektimit të dinjitetit të njeriut e ndarjes së drejtë të burimeve dhe të mirave. Është objektiv, që kërkon përpjekje serioze – pohon – por jo utopi! Sot, më shumë se dje, ardhmëria jonë është në lojë, ashtu si është në lojë edhe fati i planetit tonë e i banorëve të tij. Në mënyrë të veçantë duhet investuar për të rinjtë, duke i edukuar me idealin e vëllazërimit të vërtetë, me vetëdijen se të gjithë kanë një Atë të vetëm, Hyjin krijues. E ky është mesazhi që Papa u drejtoi e vazhdon t’u drejtoi të gjithëve gjatë shtegtimeve të tij ndërkombëtare
Kisha kujton se laiciteti i vërtetë i shoqërisë, nuk e pengon aspak përmasën shpirtërore, as vlerat e saj, sepse feja nuk është pengesë, por themel i shëndoshë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të lirë.
Së fundi Kisha flet për qeniet njerëzore më të varfëra, për fëmijët që nuk kanë dalë akoma në dritë, e pastaj për të varfrit e tjerë, të sëmurët, pleqtë e braktisur, familjet e ndara. Varfëria luftohet në se njerëzimi jeton me frymën e vëllazërimit, duke vlerësuar të njëjtat vlera e duke luftuar për të njëjtat ideale, që kanë në bazë dinjitetin e njeriut, lirinë, përgjegjësinë, njohjen reale të vendit që ka Zoti në jetën e njeriut. 








All the contents on this site are copyrighted ©.