2015-09-22 15:08:00

Papa, kubanëve: familjet nuk janë problem por rast i volitshëm. “Duhet ti kultivojmë, mbrojmë, shoqërojmë"


Në katedralen e Santiago de Cuba, kushtuar Zojës së Ngjitur në Qiell, Papa Françesku u takua me familjet kubane, pikërisht ndërsa në Filadelfia të SHBA-ve niste Kongresi Botëror i Familjeve, që do ta ketë kulmin në takimin me Atin e Shenjtë të shtunën. Më pas, Papa u nis për në Uashington.

Që në fjalët e para, Ati i Shenjtë iu referua rëndësisë së familjes, së ngrohtësisë shtëpiake e të marrëdhënieve ndërpersonale, duke nënvizuar karakteristikën e familjeve të krishtera, që janë “kisha shtëpiake”, si edhe gëzimin e të moshuarve kur shohin frytet e impenjimit të tyre për fëmijët.

 Jezusi është rritur në familje, e fillon jetën brenda një bashkësie shtëpiake, merr pjesë në bankete e dasma, takon njerëz në shtëpi të ndryshme, pikërisht për të treguar se familja e shtëpia janë vende të privilegjuara, në të cilat Ai i bën njerëzit të njihen me planet e Zotit. Mjafton të mendojmë për shtëpinë e Marisë e të Martës apo për shtëpinë e Xakeut, kujtoi Papa. Përveç kësaj, kur Jezusi i dërgon dishepujt për të përhapur Lajmin e Mirë, u kërkon të ndalen në shtëpitë e njerëzve, të hanë e të pinë bashkë me ta. Jezusi, theksoi Ati i Shenjtë, hyn nëpër shtëpi për të çuar përvojën e jetës së Shpirtit Shenjt në atmosferën familjare, në jetën e përditshme. Pikërisht shtëpia është vendi ku eksperimentohet vëllazërimi, solidariteti, falja, shndërrimi dhe rritja e çdo njeriu.

Është kjo arsyeja, për të cilën të krishterët i quajnë familjet “kisha shtëpiake”, vend ku ngrohtësia e anëtarëve formon bashkësi, ku mësojmë të jemi vëllezër e jo prepotentë. Aty provojmë faljen e dalëngadalë ndryshojmë e rritemi si njerëz, mësojmë të prekim me dorë dashurinë konkrete dhe vepruese të Zotit.

Sot, denoncoi Papa Françesku, në shumë kultura përçmohet hapësira dhe koha, që i kushtohet familjes dhe gjithçka, që na ndihmon të qëndrojmë së bashku e të jemi një familje. Sot, ngriti zërin ai, favorizohet çdo gjë, që çon drejt ndarjes. Shtëpia boshatiset dhe e humb karakteristikën e të qenit vend i shpresës, i faljes. Ajo zbrazet nga marrëdhëniet, nga kontaktet, nga takimi. Secili sheh punën e vet, në dhomën e vet e kështu, shtëpia është bosh.

Por pa familje, pa ngrohtësinë e shtëpisë, bie krejtësisht rrjeti shoqëror i përkrahjes dhe i mbështetjes në çastet e vështira, mungon perspektiva për t’i dhënë kuptim jetës së përditshme. Vetëm familja na mbron nga dy rreziqe të kohëve moderne: fragmentimi dhe masivizimi. Shoqëria e fragmentuar apo e bërë pluhur, njëlloj si shoqëria e masivizuar, në të cilën mungojnë marrëdhëniet familjare, është e destinuar të dështojë. E vetë krijimi i këtyre shoqërive është pasojë e shkatërrimit të lidhjeve familjare, të cilat krijojnë identitetin tonë si njerëz, na mësojnë të jemi të tillë. Familja, nënvizoi më tej Papa, është shkollë humaniteti, na mëson të jemi të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Familja nuk është “problem”, është “mundësi” për shoqërinë, mundësi për të cilën duhet të kujdesemi e ta mbrojmë.

Diskutohet shumë për të ardhmen, vërejti Ati i Shenjtë. Por duhet të krijojmë një të ardhme të bazuar mbi familjen, sepse ajo është hapësira e vërtetë lirie, qendër e vërtetë humaniteti. Nuk ka familje të përsosur, pranoi Françesku, por kjo nuk e ul vlerën e rolin e saj, si dëshmi e dashurisë së Zotit, i cili impenjohet me njerëz konkretë, jo të përsosur.

Së fundi, Papa foli për Eukaristinë, duke kujtuar Darkën e Mbrame me dishepujt. Është edhe ajo darkë në familje, me dëgjimin e Fjalës së Zotit e me Korpin e Krishtit, Bukën e Jetës, të pranishme për familjen; është mbështetje për dashurinë e shpresën, që na jep forcë në jetën e përditshme e na ndihmon të kapërcejmë çdo vështirësi.

Duke përmendur Takimin Botëror të Familjeve në SHBA-të, që i paraprin Sinodit të Ipeshkvijve për Familjen, Papa Françesku i ftoi kubanët të luten e t’i ndjekin këto ngjarje, të cilat duhet të ndihmojnë në forcimin e familjes në të gjithë botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.