2015-09-21 11:41:00

Papa Françesku takohet me Fidel Kastron


Papa Françesku u takua në Havanë me ish-presidentin kuban Fidel Kastro. Biseda, për të cilën njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, zgjati pak më shumë se gjysëm ore dhe u zhvillua pas meshës në Sheshin e Revolucionit. Ati i Shenjtë shkoi në shtëpinë e Fidel Kastros ku ndodheshin edhe familjarët. Papa i dhuroi liderit kuban disa libra të don Alessandro Pronzato-s mbi humorizmin dhe fenë, një kopje të Enciklikës “Lëvduar qofsh” dhe një, të Nxitjes apostolike “Evangelii gaudium”, si edhe disa CD me reflektimet e jezuitit, atë Armando Llorente, ish-profesor i Fidel Kastros, që ka ndërruar jetë në vitin 2010.

         Komandati i dhuroi Atit të Shenjtë librin “Fidel dhe feja” i autorit Frei Betto (1997) me këtë kushtim: “Për Papën Françesku, me rastin e vizitës së tij në Kubë, me admirimin e respektin e popullit kuban”. Ish-presidenti e pyeti Atin e Shenjtë për opinionin e tij mbi mbrojtjen e ambientit dhe mbi gjendjen aktuale të botës. Fidel Kastro pati takuar Papën Vojtila në vitin 1996 në Vatikan, e në vitin 1998, në Kubë, si edhe Benediktin XVI në Havanë, në vitin 2012.

         Pasdite, Papa Françesku u takua edhe me presidentin Raul Kastro në Pallatin presidencial të Havanës. Biseda zgjati 50 minuta. Në përfundim të saj, shkëmbimi i dhuratave. Ati i Shenjtë i çoi liderit kuban një mozaik të Virgjërës së Cobres, realizuar nga shkolla e famshme e mozaikëve në Vatikan. Raul Kastro i dhuroi Papës një kryq prej druri.








All the contents on this site are copyrighted ©.