2015-09-21 14:14:00

Papa, të rinjve: ëndërroni gjëra të mëdha, mos ecni kurrë vetëm


Takimi i fundit i ditës së djeshme të Papës Françesku në kryeqytetin kuban qe ai me të rinjtë, të cilët, pavarësisht nga shiu, e prisnin me mijëra para Qendrës Kulturore pranë kishës kushtuar atë Félix Varela, edukator e shërbëtor i atdheut, protagonist i pavarësisë së Kubës dhe i çlirimit të skllevërve. Vend emblematik, siç e quajti rektori i kishës, atë Carvajal, “djep i identitetit kombëtar me origjinë të krishterë”, vend ku universitarët mblidhen “si në një familje të vetme”, pavarësisht nga feja dhe ideologjia. Qe dialog spontan e plot entuziazëm – edhe kësaj radhe Papa i la mënjanë fletët e shkruara – me pyetje e përgjigje, me anë të cilave Françesku u la të rinjve këshillën për të ëndërruar, për të kultivuar shpresën dhe kulturën e takimit.

         “Para teje, i dashur Papa Françesku, ka të rinj të ndryshëm, besimtarë e jo besimtarë, por të bashkuar nga e njëjta shpresë për të ardhmen e ndryshuar thellësisht, në të cilën Kuba të jetë shtëpia e të gjithë bijve të vet”.

         Është Leonardi ai, që merr fjalën para Atit të Shenjtë. Tregon me entuziazëm ëndërrat e rinisë kubane, idealet e mikpritjes, të lirisë e të solidaritetit; kërkon lutje e “diçka të veçantë”, që ta përtërijë shpresën. Papa shënon në një copë letër e përgjigjet, pa e parë fare fjalimin e shkruar:

         “Fjala, që tingëlloi më fort, është ‘ëndërroj’…”. Ati i Shenjtë nguli këmbë në rëndësinë që ka aftësia për të ëndërruar, masë me të cilën matet udha e jetës. Të rinjtë që nuk ëndërrojnë, mbyllen në vetvete. Shpesh, vërejti, ëndërrojmë gjëra që nuk realizohen, por s’ka rëndësi: ju hapeni horizontin, ëndërroni që bota me ju do të jetë ndryshe e tregoni për planet e mëdha, që keni në zemër.

        Pastaj, theksi mbi konceptin e “miqësisë solidare”. Duhet ta kërkoni, u tha Papa të rinjve, duke u nisur nga gjërat që bashkojnë, për të diskutuar mbi gjërat që na ndajnë e jo për t’u zënë. Pavarësisht nga bindjet, qe këshilla e Atit të Shenjtë, punoni për të mirën e përbashkët, me zemër e mendje të hapur, pa kufizime ideologjike apo fetare:

         “Armiqësia shoqërore të shkatërron. Familja shkatërrohet për shkak të armiqësisë; vendi shkatërrohet për shkak të armiqësisë; bota shkatërrohet për shkak të armiqësisë. E armiqësia më e madhe është lufta, që shkatërron botën, sepse jemi të paaftë të ulemi për të folur e për të biseduar. E aty ku ka përçarje, ka vdekje”.

         E kulmi i fjalëve të Papës Françesku arriti me atë që tha për shpresën:

         “Të rinjtë janë shpresa e një populli. Dëgjohet në të gjitha anët, por ç’do të thotë kjo? Do të thotë të jemi optimistë? Jo. …Shpresa është më shumë se kaq. Do të thotë të vuash e të flijohesh për një plan, për një projekt. Shpresa është pjellore e jep jetë. Ajo gjendet në punën, që u mungon shumë të rinjve evropianë, të dënuar, ashtu si të moshuarit, nga kultura e hedhurinës, imponuar nga Zoti i parasë dhe nga një lloj eutanazie e fshehur”.

         E Papa e ngriti zërin me forcë për të gjetur shpresën, sepse të rinjtë e pashpresë, nënvizoi Françesku, kanë shkuar tashmë në pension për shkak të disfatizmit të tyre:

         “Udha e shpresës nuk është e lehtë e nuk mund të përshkohet vetëm”, shtoi Papa, duke folur për kulturën e takimit e duke i ftuar, së fundi, të rinjtë të shmangin ndeshjet ndërmjet tyre, të takohen edhe kur e mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri, duke kërkuar së bashku shpresën, të ardhmen e fisnikërinë e vendit të tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.