Varfëri, shërbim për më të varfërit, aftësi për të falur: janë karakteristika, që nuk duhet t’u mungojnë kurrë meshtarëve, rregulltarëve e seminaristëve. Këto qenë fjalët e Papës gjatë homelisë së Lutjeve të Mbrëmjes, pasditen e djeshme, në katedralen e Havanës.
“Varfëri” nuk është aspak fjalë e rehatshme, nënvizoi Papa Françesku, duke lënë mënjanë homelinë e përgatitur e duke folur pa letër. Edhe para tij, kardinali kuban Ortega pati thënë se kush e përmend këtë fjalë, shkon kundër rrymës:
“Shpirti apo fryma e botës nuk e njeh, nuk e do, e fsheh, jo për modesti, por për shkak të përbuzjes. Prandaj, shpirtit të kësaj bote nuk i pëlqen udha e Birit të Zotit, që u përul, u bë i varfër, la ta poshtëronin, për të qenë njëri prej nesh”.
Më pas, Ati i Shenjtë u rekomandoi meshtarëve, rregulltarëve e seminaristëve, që e mbushën plot e përplot katedralen e Zojës së Papëlyer, Pajtores së kryeqytetit të Kubës, ndërtuar nga jezuitët, të dinë si ta përdorin pasurinë:
“Të dish si t’i administrosh pasuritë është detyrë, sepse pasuritë janë dhuratë e Zotit, por kur ato të hyjnë në zemër e fillojnë ta udhëheqin jetën, atëherë e humbasim atë”. Ja pse, vazhdoi Papa, ekonomët që bëjnë katastrofa në Kishë janë “bekim i Zotit”, “sepse e bëjnë atë të lirë, e bëjnë të varfër”.
E Papa Françesku falenderoi veçanërisht ata rregulltarë, të cilët kujdesen për të gjithë njerëzit, që mënjanohen e përbuzen nga bota:
“Sa murgesha, sa rregulltarë, ia kushtojnë jetën kujdesit për këta, që konsiderohen hedhurina”.
Ati i Shenjtë i këshilloi meshtarët ta ulin kryet në rrëfyestore, të mendojnë edhe për mëkatet e tyre, ta venë veten në vendin e njeriut që kanë përpara e të mos kujtojnë se nuk mund të bien edhe më poshtë se ai. Në atë çast, u tha atyre Papa, keni një thesar në duar, thesarin e mëshirës:
“Ju lutem meshtarëve, mos u lodhni së faluri. Të jeni njerëz, që falni”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |