2015-09-20 14:25:00

Papa në Kubë për të falënderuar e përkrahur të varfërit


Që dje, Papa Françesku ndodhet në Kubë, në udhëtimin e tij të dhjetë apostolik që e çon edhe në SHBA-të, për Takimin Botëror të familjeve në Filadelfia. Është më i gjati i papnisë, deri tani: dhjetë ditë. Sot, mesha e parë e kremtuar nga Ati i Shenjtë në “plaza de la Revolucion”, në elterin e vendosur përballë një gjigantografie të Che Guevarës, një figurë, e cila nuk i lë indiferentë ata, që i njohin vuajtjet e popujve të Amerikës Latine.

Papa e filloi udhëtimin me ndjenjën e falenderimit në zemër, siç u tha kubanëve në videomesazhin e transmetuar nga të gjitha televizionet para nisjes. Ati i Shenjtë, që me veprimtarinë e tij diplomatike, kontribuoi në zhbllokimin e marrëdhënieve ndërmjet Kubës e SHBA-ve – premisë kjo, për përparimin e nevojshëm shoqëror të banorëve të vendit -  dëshiron t’u thotë faleminderit kubanëve, sidomos atyre më të varfërve. Është pikërisht mënyra si e përballojnë jetën, duke i qëndruar besnikë Zotit, ajo që i intereson Atit të Shenjtë, i cili falenderon për “dëshminë e çmuar”.

Dje, në aeroportin e Havanës, Papa u prit nga presidenti Raul Castro, i vëllai i liderit të revolucionit kuban Fidel, të cilin, pa dyshim, Ati i Shenjtë do ta takojë privatisht. Françesku është papa i tretë, që viziton ishullin karaibik, pas shën Gjon Palit II (21-26 janar 1998) e pas Benediktit XVI (26-29 mars 2012). Motoja e zgjedhur për vizitën është “Misionar i Mëshirës” dhe i referohet qartë Viti Jubilar, që do të fillojë më 8 dhjetor, në 50-vjetorin e përfundimit të Koncilit II të Vatikanit.

Pavarësisht se ka kaluar nëpër mengenetë e komunizmit, Kuba ka një Kishë të gjallë, shenjë e dukshme e së cilës ishin edhe Kungimet e Para të sotme, që ua dha fëmijëve vetë Papa Françesku, gjatë meshës. Pasdite, Ati i Shenjtë i bën një vizitë kortezie presidentit dhe kryeministrit të Kubës, Raul Castro e familjes së tij. Më pas, do të kremtojë mbrëmësoren me meshtarët, rregulltarët e seminaristët në katedralen e Havanës, ku do të dëgjojë edhe dëshminë e një murgeshe, e cila do të verë në dukje ç’do të thotë t’ia kushtosh jetën Zotit në një sistem komunist, si ai kuban. Dita përfundon me përshëndetjen drejtuar të rinjve kubanë në Qendrën Kulturore “atë Felix Varela” të Havanës. Qendra e merr emrin nga një meshtar, për të cilin vijon çështja e lumnimit, protagonist i pavarësisë së Kubës, por edhe mbrojtës i patrembur i të drejtave të skllevërve dhe të emigrantëve.

Pas Havanës, kryeqytet i vendit, Papa Françesku do të shkojë në Holguìn, ku është gjetur shtatorja e Virgen de la Caridad del Cobre. Sivjet, Kuba kremton 100-vjetorin e shpalljes së saj Pajtore e vendit. “Më duket normale – komentoi në një intervistë të javës së kaluar, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin – që Papa të vizitojë një shenjtërore mariane si ajo e Caridad del Cobre e Kubës, sepse devocioni marian është një nga karakteristikat themelore të përshpirtërisë e të fesë katolike të popullit amerikanolatin. E pastaj, Virgen de La Caridad del Cobre e ka shoqëruar gjithmonë historinë e kubanëve, në çdo çast, në gëzime e dhimbje, në luftra, vuajtje e përparime, prandaj është simbol i historisë dhe i popullsisë së Kubës. Duke shkuar në shenjtërore, Papa do të takojë zemrën e këtij ishulli e të këtij populli”.

Kujtojmë se Kuba dhe SHBA-të kanë një orar të ndryshëm nga Evropa e nga trevat shqiptare, janë 6 orë mbrapa, prandaj, nëse në Havanë mesha e sotme filloi në orën 9.00, në trevat shqiptare ora ishte 15.00 e pasdites. Për këtë arsye, ju njoftojmë se pjesa më e madhe e veprimtarisë së Atit të Shenjtë do të transmetohet prej nesh të nesërmen, për shkak të orarit.








All the contents on this site are copyrighted ©.