2015-09-20 17:00:00

Havana


Themeluar nga Diego Velàzquez në vitin 1514 në bregun veriperëndimor të ishullit, bëhet, pas pushtimit spanjoll të Meksikës dhe të Perusë, porti më i rëndësishëm i Amërikës, sepse aty kalonin anijet plot argjend për në Spanjë.Pas plaçkitjes nga korsarët francezë (1555) e pushtimit 11-mujor ng aanglezët (1762), përforcon muret mbrojtëse, duke i bërë qyteti më i fortifikuar i Botës së Re. Havana, kryeqytet që nga viti 1607, sot është qyteti më i madh karaibik, me mëse 2 milion banorë, një e pesta e popullsisë së Kubës.

Përveçse është qendra politike e vendit, Havana është edhe seli e shumë industrive (metalurgjike, ajo e cigareve, rafineritë e naftës etj.) dhe e pjesës më të madhe të flotës së anijeve të peshkimit. Kryeqyteti kuban vuan nga ndotja industriale, nga sistemi i papërshtatshëm për riciklimin e plehrave dhe ka mungesë uji të pijshëm.

Qyteti krenohet me “La Habana Vieja”, lagjja më e shtrirë koloniale e Amërikës Latine, shpallur nga UNESCO, në vitin 1982, pasuri e njerëzimit. Gjithashtu, të rëndësishme janë kështjellat spanjolle të El Morro dhe la Cabana, monumentet e Revolucionit dhe lokalet e natës me muzikë afrokubane, stil i viteve ’50. Shihet haptas Capitolio Nacional, i veshur me mermer të bardhë, që bie ndesh me ambientin rrethues, por edhe muzeu i Ernest Heminguejt, vila ku jetoi për 20 vjet shkrimtari amerikan, 15 km në juglindje të qytetit.

Ndër kishat e Havanës dallohen: Iglesia de Nuestra Senora del Rosario, që njihet edhe si Catedral de los Campos de Cuba, në zonën e vjetër, ndërtuar në vitin 1720, brenda së cilës ndodhet një elter në dru të kuq, larë me ar, dhe një pikturë e Veroneses; El Templete (kapelë e vitit 1828); tri piktura të francezit Jean-Baptiste Vermay, që kujtojnë meshën e parë të kremtuar në këtë vend në vitin 1519, nën një pemë të Ceiba-s; Iglesia Parroquial del Espìrito Santo e vitit 1640, më e lashta e Havanës; Iglesia y Convento de Nuestra Senora de la Merced e vitit 1755, me qemere me afreske e me piktura të lashta; Iglesia del Santo Angel Custodito, e pasur me referime për letërsinë dhe historinë, për shkak të njerëzve të famshëm, që kanë kapërcyer pragun e saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.