2015-09-19 19:45:00

Udhëtimi i Papa Françeskut në Kubë për një të ardhme më të mirë


Për Kishën kubane është një bekim i madh vizita e tre Papëve, të cilët shkuar për ta vizituar e për ta përforcuar në udhën e fesë e të misionit në shërbim të popullit. Papa Françesku shkon në Kubë si “misionar i mëshirës” për t’ia komunikuar të gjithëve, jo vetëm kubanëve, të vërtetën mbi Hyjin, mbi njeriun, mbi Kishën.

Për udhëtimin e tij, Papa Françesku ka zgjedh momente për të nënvizuar e theksuar thirrjen universale që kanë kombet, popujt e shtete për të ndërtuar ura. Papa Françesku do t’i takojë e flas drejtpërdrejt të varfëve, njerëzve të mënjanuar të shoqërisë bashkëkohore, por edhe njerëzve shumë të pushtetshëm e të famshëm në Kubë, SHBA-së, në selinë e OKB-së e në botë.

Askush nuk është aq i fuqishëm e i pushtetshëm për t’iu shmangur dëgjimit të britmës të të varfërve. Të gjithë kemi nevojë për ta përjetuar e provuar dhembshurinë, mëshirën e Zotit. Të gjithë kemi shumë plagë për t’i shëruar, në të gjitha fushat e jetës, asaj personale, asaj shoqërore, asaj familjare. Shumë familje janë të ndara, kush brenda Vendit e kush jashtë, e nganjëherë shkaku i ndarjes janë mënyra e ndryshme e të menduarit.

“Ne kubanët – shkruan në gazetën l’Osservatore Romano Dionisio Garcia Ibanez – kemi vërtetë nevojë për ta provuar mëshirën, faljen, pajtimin në mënyrë që mund ta ndërtojmë një atdhe që bazohet mbi drejtësinë e vëllazërimin. E duhet t’i kemi gjithmonë parasysh ata njerëz që kanë më pak, ata që janë më të varfër, më të dëmtuar, më të lënduar në shoqërinë tonë. Është utopi të mendosh se ligjet e zbatimi i tyre mund të krijojnë një shoqëri të përsosur, sepse nga njëherë ligjet janë të dy anshme, kanë një dyvlershmëri. Ajo që vlen e që ka rëndësi është zemra. Vetëm me ligje nuk mund të zgjidhen problemet, prandaj nevojitet që në çdo ligj të mbizotërojë kërkimi i së mirës së njeriut”. Prandaj, kubanët shpresojnë që me vizitën e Papa Françeskut të fitohet e të përforcohet pikërisht kjo vetëdije. E ajo që po bëhet, duhet të përshkohet e të mbruhet (frymëzohet) nga mëshira e Zotit.

Njoftimi i udhëtimit apostolik i Papës në Kubë, ndodhi në një moment që u karakterizua edhe nga rivendosja, më 17 dhjetorin e kaluar, të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kubës e SHBA-së. Kjo ngjarje është një hap shumë i rëndësishëm. Në SHBA-së banon një numër i konsiderueshëm i kubanëve, e gjithë kjo do të kontribuojë në lehtësimin e takimit ndërmjet familjeve të ndara prej kohe, nga distanca, apo të ndara nga opinionet politike të kundërta e nga idetë e ndryshme se si duhet organizuar shoqëria. Gjithë ajo që do të bëhet për të bashkuar, për rivendosur kanalet e dialogut, për të ndërtuar ura afrimi, pajtimi e bashkimi, vjen nga Zoti. E edhe gjithë ajo që do të  bëhet për të rivendosur personin njerëzor në qendër.

Atëherë që nesër të gjitha vështirësitë do të kapërcehen? Nuk mund të jemi kaq naivë për ta besuar një gjë të tillë, por kubanët besojnë se duhet shkruar përpara me ketë shpirt, me këtë vullnet dhe synim.

Vizita e Papa Françeskut në Kubë do të karakterizohet nga momente të ndryshme që nënvizojnë e nxjerrin në pah linjën udhërrëfyese të veprimtarisë baritore të Kishës në këtë vend. Të gjithë kubanët, duan e urojnë që vizita e Papës të mos mbaroj e të soset brenda pak ditësh. Të gjithë duan që kjo vizitë të depërtojë në jetën e përditshme, të ushqejë e mbështesë ecjen e përditshme të njerëzve, të ndihmojë në vazhdimin e veprës vëllazërore, ungjillëzuese e misionare të Kishës e shoqërisë kubane, si dhe e në veprën e ripërtëritjes shoqërore e të Institucioneve civile të vendit.

Ja përse  Papa do të kremtojë një Meshë solemne në shenjtëroren e Zojës së Bekuar ‘Virgen de la Caridad në El Cobre’. Kjo shenjtërore mariane është “shtëpia” e të gjithë kubanëve e do të jetë e para herë që një Papë kremton aty. Në meshë, ja këtu del aspekti domethënës, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e komuniteteve të vogla të cilat, duke qenë pa asnjë Kishë, kanë lindur nga ungjillëzimi e nga misionet shetitëse: janë shprehje e një mënyre të re të të qenurit Kishë e bashkësi në Kubën e sotme. E vërtetë, feja kremtohet nëpër shtëpi dhe komunitetet rriten përreth gurëve të gjallë që janë anëtarët, të pagëzuarit, qytetarët.

Kisha katolike në Kubë e ka kuptuar dhe nuhatur se e ardhmja e ungjillëzimit kalon përmes misionarëve, përmes grupeve të vogla e komuniteteve, përmes shtëpive të lutjes. Për këtë arsye, organizatorët kanë dashur që në Meshën e Papës në El Cobre të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e këtyre bashkësive të vogla e të misionarëve që i udhëheqin ato. Në El Cobre do të jetë edhe një grup i fëmijëve të sëmurë me familjarët e tyre. Për Papa Françeskun do të jetë një rast për të preku me dorë vuajtjen e dhimbjen e kësaj bote.

Një tjetër kremtim me një domethënie të veçantë që do të mbahet në Katedralen e kryedioqezës së Santiago-s de Cuba, është takimi i Papës me familjet. Familja është elementi dytë që karakterizon veprimtarinë baritore të Kishës kubane e shoqërinë kubane.

Me të gjitha vështirësitë që kanë e kalojnë familjet kubane, me një numër të madh të divorceve, me shumë fëmijë që lindin jashtë martesës apo në lidhje martesore jo të qëndrueshme, siç dihet dhe rezulton nga të gjitha sondazhet, në Kubë familja është struktura shoqërore e cila vlerësohet më së shumti. Nëse i pyet njerëzit se nga cili institucion merr më shumti ndihmë, mbështetje e dashuri, përgjigja është: nga familja. Nëse i pyet cila është struktura shoqërore që do ta mbronin më së shumti, përgjigja është gjithmonë: familja. E kur i pyet se cili është shqetësimi më i madh që kanë, përgjigja është akoma familja.

Shpresa është ajo e përmirësimit të gjendjes së familjeve, të një ripërtëritje të shoqërisë bazuar mbi vlera që respektojnë dinjitetin e njeriut. Kjo vizitë e Papës përfaqëson një rast e nxitje për të gjithë, për të ecur përpara përtej dallimeve, vështirësive e kundërshtive në udhën e së mirës e të shtëpisë së përbashkët.








All the contents on this site are copyrighted ©.