2015-09-19 18:04:00

Papa Françesku udhëton drejt Kubës si misionar i dhembshurisë së Hyjit


Papa Françesku është nisur sot paradite, në  ora10.32 nga aeroporti romak i Fiumicio-s në udhëtimin e tij të 10-të ndërkombëtar, më i gjati shtegtim apostolik i Papnisë së Bergoglio-s: dhjetë ditë ndërmjet Kubës e SHBA-së. Etapa e parë e këtij udhëtimi apostolik ndërkombëtar është Havana, ku do të mbërrijë në 16,05 lokale, 22,05 evropiane.
Dje në mbrëmje në Romë, sipas traditës, në vigjiljen e shtegtimit, Papa Françesku vizitoi në formë private, Bazilikën e Zojës së Madhe (Santa Maria Maggiore). Pasi la një buqetë me lule para Ikonës së Virgjërës Mari ‘Salus Populi Romani’,  Papa, në lutje, ia besoi këtë udhëtim Nënës së Jezusit.

Kubanët i janë mirënjohës Papa Françesku
Ka shpresa të mëdha për këtë vizitë të Papa Françeskut në Kubë: tek njerëzit mbizotëron bindje e një kthese, të diçkaje që vërtet mund të ndryshojë. Kubanët duan të shprehin mirënjohjen e tyre Papës argjentinas që pati një rol vendimtar në afrimin e Havanës me Uashtingtonin. Obama e Raul Castro e kanë falënderuar Papa Françeskun për këtë ndihmë. Kuba po hapet ngadalë ndaj botës e bota po hapet ndaj Kubës, pikërisht siç pati uruar Gjon Pali II në vitin 1998. Është një udhëtim gradual e tani po shihen shenjat e së shpejti priten edhe frytet.

Shkon si misionar i paqes
Papa Françesku është misionar i paqes, është njeri që mbjell kudo farën e shpresës, të inkurajimit, të pajtimit e paqëtimit vëllazëror. Prandaj të gjithë presin t’i dëgjojnë me padurim fjalë atërore të Atit të Shenjtë Bergoglio, i cili, siç e ka zakon, do të flas në mënyrë të drejtpërdrejtë zemrave të njerëzve e shikon atë që është thelbësore. Prandaj ky udhëtim i Papës do të përfaqësojë një ngjarje vërtetë të rëndësishme për Kubën.








All the contents on this site are copyrighted ©.