2015-09-18 11:24:00

Videomesazh i Papës në Kubë: vij si misionar i dhembshurisë së Zotit


U prit me entuziazëm në Kubë videomesazhi i Papës Françesku, transmetuar mbrëmë njëkohësisht nga të gjitha televizionet e vendit, me rastin e shtegtimit apostolik të Atit të Shenjtë, që fillon nesër. Video publikohet edhe në faqen e internetit të Konferencës ipeshkvnore “iglesiacubana.net”. Të gjitha mediat zyrtare të shtetit kuban i kanë dhënë hapësirë të madhe fjalëve të Papës, i cili deklaron se niset për këtë mision “për të ndarë fenë dhe shpresën” në Jezusin me besimtarët e popullin.

“Më bën shumë mirë e më ndihmon shumë – pohon Ati i Shenjtë – kur mendoj për besnikërinë tuaj ndaj Zotit dhe për guximin me të cilin përballoni vështirësitë e përditshme, për dashurinë me të cilën e ndihmoni  dhe e përkrahni njëri-tjetrin në udhën e jetës. Faleminderit për këtë dëshmi kaq të çmuar”.

Mesazhi im është i thjeshtë, vijon Papa, por i rëndësishëm dhe i nevojshëm: “Jezusi ju do shumë, Jezusi ju do seriozisht. Ai ju mban gjithnjë në zemër, Ai e di më mirë së kushdo për çfarë ka nevojë secili, çfarë aspiratash ka, cila është dëshira më e thellë, si është zemra jonë. …E kur nuk sillemi siç pret prej nesh, gjithnjë na qëndron pranë, gati të na pranojë, të na ngushëllojë, të na japë një shpresë të re, një mundësi të re, një jetë të re”, sepse “nuk na braktis kurrë”.

         Papa i falenderon besimtarët kubanë, që po përgatiten me lutje për vizitën e tij. “Kemi nevojë të lutemi – u thotë – për këtë kontakt me Jezusin e Marinë”. Lutja e thjeshtë, që besimtarët po përsërisin prej ditësh tashmë, është ajo që na kanë mësuar prej së vogli: “O e Shugureshmja Zemra e Jezu Krishtit bëje zemrën time t’i përngjasë tëndes”. “Është bukur – nënvizon Papa – të kesh një zemër të ngjashme me atë të Jezusit për të dashur si Ai, për të falur, për të dhënë shpresë e për të shoqëruar të tjerët”.

         Vij në Kubë, thekson sërish Ati i Shenjtë, si misionar i mëshirës dhe i dhembshurisë së Zotit, për t’ju inkurajuar të jeni misionarë të dashurisë pa fund të Hyjit. E pastaj, këshilla: “Askujt të mos i mungojë dëshmia e fesë sonë, e dashurisë sonë. E gjithë bota duhet ta dijë se Zoti fal gjithmonë, se Zoti është gjithnjë pranë nesh, se Zoti na do”.

         Në fund të videomesazhit, Papa ia beson këtë udhëtim dhe të gjithë kubanët Virgjërës së Dashurisë së Cobre-s, Pajtore e Kubës. “Do të shkoj në shenjtëroren ku nderohet – pohon Ati i Shenjtë – si një fëmijë, që dëshiron të mbërrijë në shtëpinë e nënës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.