2015-09-18 14:11:00

U prit në emër të Papës, familja e refugjatëve sirianë në Vatikan


Që prej disa ditësh, famullia e Shën Anës në Vatikan ka strehuar një familje refugjatësh sirianë, përbërë nga babai, nëna e dy fëmijë. Mbërrijnë nga qyteti i Damaskut, të cilin e kanë lënë për shkak të luftës. Njoftimin e jep Lëmoshtaria Apostolike, në një komunikatë.

         Është familje e krishterë e ritit greko-melkit katolik, nga Patriarkati i Antiokisë. Banon në një apartament pranë Vatikanit e siç njofton Lëmoshtaria, për të ka filluar procedura e kërkimit të mbrojtjes ndërkombëtare. Sipas ligjit, për gjashtë muajt e parë pas paraqitjes së kërkesës, azilkërkuesit nuk mund të punojnë, prandaj do të ndihmohen nga bashkësia famullitare. Derisa Italia të vendosë nëse do t’i njohë apo jo statusin e refugjatit, nuk mund të jepet asnjë informacion tjetër për familjen, prandaj Vatikani u lutet mediave të respektojnë dëshirën e anëtarëve për të mos u intervistuar.

Për familjen e dytë, informacion i rezervuar

         Përsa i përket familjes së dytë, që duhet të strehohet nga famullia e Shën Pjetrit, Lëmoshtaria Apostolike nënvizon se nuk do të japë lajme deri në përfundimin e udhës ligjore. Që prej vitesh, nënvizohet në komunikatë, Papët kanë kontribuar në pagesën e taksave për lejen e qëndrimit të refugjatëve të strehuar në Qendrën Astalli të jezuitëve në Romë. Vetëm në vitin 2014 janë dhënë 50 mijë euro për këtë qëllim. Gjithashtu, Lëmoshtaria Apostolike ndihmon çdo ditë mijëra njerëz e familje refugjatësh, duke furnizuar me ushqime dhe ilaçe shumë qendra mikpritjeje të Romës.

         Që prej disa ditësh, një ambulancë moderne e lëvizshme, dhuruar Papës nga Baviera e Gjermanisë, që përdorej deri tani vetëm gjatë ngjarjeve ku merrte pjesë Ati i Shenjtë, është vënë në dispozicion të refugjatëve, në ditë të caktuara të javës. Ajo do të lëvizë në qendrat e mikpritjes në periferi të Romës, edhe nëse akoma nuk janë miratuar. Vullnetarët, që do të shërbejnë me këtë ambulancë, janë mjekë, infermierë e roje zvicerane, janë nëpunës të Vatikanit, të Universitetit Tor Vergata në Romë dhe anëtarë të Shoqatës së Institutit të Mjekësisë Solidare.








All the contents on this site are copyrighted ©.