2015-09-18 15:35:00

Imzot Auza: vizita e Françeskut në OKB do të lerë gjurmë të thella


“Vizitë historike, që do të lerë gjurmë të thella”: kështu e përshkruan Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Bernardito Auza, vizitën e Papës Françesku në Kombet e Bashkuara, të premten e ardhshme. Këtë javë, në Pallatin e Qelqit, u përurua Asambleja e 70-të e përgjithshme, e cila, deri në ditët e para të tetorit, duhet të vendosë për programin e punës gjatë 15 vjetëve të ardhshme. Françesku, papa i katërt që viziton OKB-në, do të jetë i pari nga Pasardhësit e Shën Pjetrit, që do të ndërhyjë në programimin e agjendës së Kombeve të Bashkuara. Në mikrofonin tonë, vetë imzot Bernardito Auza:

         Vizita e Papës është historike. Do të flasë para shumë krerëve të shteteve, të qeverisë e para ministrave nga e gjithë bota, që kanë ardhur për Mbledhjen mbi zhvillimin e qëndrueshëm pas vitit 2015. Gjatë saj do të miratohet dokumenti, që përmban 17 objektivat e OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm. Për herë të parë në histori, delegacionet zyrtare të 193 anëtarëve e vëzhguesit e përhershëm, të kryesuar nga autoritetet më të larta kombëtare, do të ulen në sallën e Asamblesë së Përgjithshme për të dëgjuar Papën.

         Si është përgatitur OKB-ja për këtë ngjarje?

         Që të mund të realizohej vizita papnore, Asambleja e përgjithshme e zhvendosi hapjen nga ora 9 në orën 11. Ndryshuan edhe shumë gjëra administrative dhe logjistike. Programi i ditës u rishikua mbi bazën e kërkesave të vizitës.

         Vizitë që bëhet ndërmjet dy sinodeve për familjen, të cilën Papa dhe Kisha e konsiderojnë qelizë themelore të shoqërisë…

         Sigurisht, Kisha Katolike dhe disa fe të tjera e konsiderojnë qartë familjen si zemrën e shoqërisë. Ngulim këmbë, duke thënë se familja është protagoniste e zhvillimit dhe e maturisë njerëzore. Fatmirësisht, këtë rol ia njeh edhe OKB-ja, megjithëse ka grupe me mendime të ndryshme. Kemi një grup të fortë, ku bën pjesë edhe Bashkimi Evropian, i cili e kundërshton termin “familje”, pasi i referohet vetëm familjes tradicionale – thonë ata – të një burri e të një gruaje, bashkë me fëmijët. Duan të përdoret si term në rezolutën e paraqitur në Këshillin për të drejtat e njeriut, fraza “të gjitha llojet e familjeve”, ose “të gjitha format e familjeve”, për të përfshirë çdo lloj bashkimi e bashkëjetese. Vendet e tjera, që nuk e mendojnë kështu, presin nga Papa të theksojë rolin dhe domethënien e familjes.

         Ç’vend zënë të varfërit në debatin e Kombeve të Bashkuara?

         Është temë mbizotëruese, sidomos gjatë tetë muajve të fundit, kur është punuar mbi dokumentin e madh të zhvillimit të qëndrueshëm. Ka konsensus për t’i dhënë përparësi luftës kundër varfërisë. Këtë vit kemi pasur konferencën për financimin e zhvillimit në Etiopi, pastaj kemi këtë mbledhje për zhvillimin e në dhjetor, konferencën për klimën. Këtu, është vënë mirë në qendër Enciklika e Papës “Lëvduar qofsh”, e cila, më tepër se për ndryshimet e klimës, flet për drejtësinë shoqërore. Njerëz të rëndësishëm në OKB i kanë filluar fjalimet e tyre, duke cituar enciklikën e duke u kërkuar të gjithëve ta lexojnë, sepse aty gjenden të gjitha argumentet për të cilat diskutohet në Kombet e Bashkuara.

         Terrorizmi ndërkombëtar, por edhe luftra të tjera, vazhdojnë ta shkatërrojnë botën. A mund të ndryshojë gjë ndërhyrja e Papës në OKB?

         Edhe për këtë çështje nuk ka aspetativa, por siguri se Papa do ta prekë problemin e sigurisë ndërkombëtare dhe të paqes e natyrisht, do të përmendë edhe Lindjen e Mesme. Shumë mendojnë se Ati i Shenjtë do të flasë edhe për emigracionin. Kjo pritet jashtëzakonisht. OKB-ja dëshiron që Papa ta ndihmojë të shohë më qartë çështjen e përgjegjësive: si të mbrohen popullsitë nga tmerret, nga krimet e luftës, nga krimet kundër njerëzimit, nga genocidi. Ka interes të madh.

         Personalisht, ç’prisni nga ky udhëtim i Papës Françesku?

         Sigurisht, që të lerë gjurmë të thella në OKB përsa u përket çështjeve të mëdha të sotme, sidomos në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Nëse mendojmë për Sirinë, Irakun, për njerëzit në lëvizje nëpër shkretëtira e nëpër dete të rrezikshme… Këtu është problemi. Asambleja e OKB-së pret edhe që Papa të lerë gjurmë të thella në çështjen e marrëdhënieve ndërmjet varfërisë, drejtësisë shoqërore e ambientit.








All the contents on this site are copyrighted ©.