2015-09-17 13:24:00

Papa: bashkësia ndërkombëtare nuk ka përgjigje për Sirinë dhe Irakun


“Bashkësia ndërkombëtare duket e paaftë për të gjetur përgjigje të përshtatshme” për krizën në Siri dhe në Irak. Papa Françesku, në takimin e sotëm me Këshillin Papnor “Cor Unum”, denoncoi gjendjen, që detyron miliona njerëz ta braktisin atdheun, duke krijuar një emergjencë shqetësuese për gjithë botën.

“Libani, Jordania dhe Turqia – nënvizoi Ati i Shenjtë – mbajnë sot peshën e miliona refugjatëve, të cilët i kanë pritur me bujari. Para këtij skenari e para konflikteve, që vijojnë të shtrihen e të trazojnë ankthshëm ekuilibrat e brendshëm e ato rajonalë, bashkësia ndërkombëtare duket e paaftë të gjejë përgjigje të përshtatshme, ndërsa trafikantët e armëve vazhdojnë të shohin interesat e tyre: armë të lara me gjak, me gjak të pafajshëm”.

Askush s’mund të bëjë sikur nuk di

Një oqean me dhimbje e padrejtësi, ngriti zërin Papa Françesku, është para syve të gjithë botës. Sot, në ndryshim nga e kaluara, tmerret dhe dhunimi i paparë i të drejtave të njeriut, që karakterizojnë konfliktet në Lindjen e Mesme, njoftohen nga mediat menjëherë:

 “Askush s’mund të bëjë sikur nuk di! Të gjithë janë të vetëdijshëm se kjo luftë peshon në një mënyrë gjithnjë e më të padurueshme mbi supet e njerëzve të shkretë. Duhet gjetur një zgjidhje, që nuk është kurrë e dhunshme, sepse dhuna krijon vetëm plagë të reja”.

Gjendja e rëndë e të krishterëve në Siri e Irak

 Ati i Shenjtë vuri në dukje bashkëjetesën shumëshekullore të të krishterëve me myslimanët në Siri e Irak. Bashkëjetesë, e bazuar në respektin e ndërsjellë. Para anëtarëve të Këshillit Papnor “Cor Unum” dhe përfaqësuesve të 30 organizatave humanitare, që bashkëpunojnë me Vatikanin për të ndihmuar Lindjen e Mesme, Papa, duke cituar Benediktin XVI, denoncoi:

“Të shumta janë viktimat e konfliktit: mendoj për të gjithë e lutem për të gjithë. Por nuk mund të hesht para dëmit të rëndë kundër bashkësive të krishtera në Siri e Irak, ku shumë vëllezër e motra persekutohen për shkak të fesë, përzënë nga tokat e tyre, mbajtur peng e madje, vrarë. Sot, është vetë legjitimiteti i pranisë së të krishterëve dhe i pakicave të tjera fetare, ai, që mohohet në emër të një ‘fundamentalizmi të dhunshëm, i cili pretendon se ka zanafillë fetare’”.

 E megjithatë, përfundoi Papa, sulmeve e persekutimeve, Kisha u përgjigjet duke dëshmuar me guxim Krishtin, përmes pranisë së saj të përvuajtur, por aktive, përmes dialogut të sinqertë dhe shërbimin bujar për këdo ka nevojë, pa asnjë dallim. Në Siri e Irak, e keqja shkatërron ndërtesa dhe infrastruktura, por sidomos shkatërron ndërgjegjen e njeriut, denoncoi sërish Ati i Shenjtë duke u bërë thirrje katolikëve e të gjithë të krishterëve të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre e të bashkëpunojnë me institucionet humanitare ndërkombëtare për të mos i braktisur viktimat e kësaj krize, edhe sikur bota t’i harrojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.