2015-09-17 16:01:00

Françesku të rinjve rregulltarë: mos jini narcizistë e të ngurtë


Sot paradite, Papa Françesku priti rreth 5 mijë të rinj e të reja të shuguruara, në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Këto ditë, ata u mblodhën në Romë në Takimin Botëror me temë “Zgjojeni botën”.

Ati i Shenjtë Bergoglio vuri mënjanë fjalimin e përgatitur për t’iu përgjigjur pa letër pyetjeve të të rinjve, jo më parë se ta çonte mendjen tek martirët e sotëm në Siri e Irak, duke treguar plot mallëngjim se vetëm pak ditë më parë, i kanë sjellë një kryq të vogël të një meshtari, që e kanë prerë në fyt, sepse nuk deshi të mohojë Jezusin.

Jeta rregulltare është profeci

Iu drejtuan Papës fillimisht, një i ri sirian, pastaj një murgeshë indiane e më tej, pyetja e një murgeshe klauzure. Të gjithë të rinjve, që impenjohen për ta thelluar përgjigjen ndaj thirrjes së Zotit për ta, Papa u tha të mos e lëshojnë veten në rehatinë e një jete rregulltare, të përbërë vetëm nga respektimi i urdhërave e i rregullave:

 “… jeta rregulltare mund të jetë shterpë, kur nuk është mjaftueshmërisht profetike; kur nuk na lejon të ëndërrojmë”.

 Profecia, shpjegoi Ati i Shenjtë, na jep aftësinë për të ëndërruar, por është e kundërt me ngurtësinë:

 “…respektimi i rregullave nuk duhet të jetë i ngurtë: nëse është i ngurtë nuk është respekt, është egoizëm personal. Do të thotë të kërkosh vetveten e të ndjehesh më i drejtë se të tjerët”.

Mos i dëgjoni thashethemet

 E, edhe një herë, Papa Françesku i këshilloi rregulltarët të mos i dëgjojnë thashethemet e fjalët e këqia:

“Kurrë, kurrë, mos e përdorni bombën e thashethemeve. Kurrë, kurrë! Është kolera e jetës në bashkësi! Kështu, rregulltari apo rregulltarja, që ia kanë kushtuar jetën Zotit, kthehet në terrorist apo terroriste, sepse hedh në mesin e bashkësisë një bombë, që e shkatërron”.

Kultura e së përkohshmes

Ati i Shenjtë reflektoi mbi kulturën e së përkohshmes, që e bën të paqëndrueshme kohën, në të cilën jetojmë. Kjo kulturë, denoncoi Papa, ka hyrë edhe në Kishë, në bashkësitë fetare, në familje, në martesë, duke bërë të harrohet kultura e së përhershmes:

 “Zoti e ka dërguar Birin e vet përgjithmonë! Jo përkohësisht, për një brez apo për një vend: për të gjithë! Për të gjithë e përgjithmonë. E ky është kriter për shoshitjen shpirtërore”.

Ungjillëzimi nuk është prozelitizëm

Të ungjillëzosh, vijoi më tej Papa, nuk do të thotë të bësh prozelitizëm. Ungjillëzim nuk do të thotë vetëm t’i bindësh të tjerët për fenë tënde, por të dëshmosh se Jezu Krishti është gjallë. E si bëhet kjo dëshmi?

“Me korpin tënd, me jetën tënde. Mund të studiosh, mund të bësh kurse për ungjillëzimin e kjo është gjë e mirë, por aftësia për t’i ngrohur zemrat nuk vjen nga librat, vjen nga zemra jote!”

Falenderim për murgeshat

E nga zemra e Papës, një falenderim i veçantë:

“E këtu do të desha - më falni nëse jam pak feminist – desha të falenderoj për dëshminë e grave të shuguruara… Por jo të gjitha ama… Ka disa pak si histerike, por… Ju e keni këtë dëshirë për të shkuar gjithnjë në vijën e parë të frontit: pse? Sepse jeni nëna, mishëroni amësinë e Kishës, që ju bën të afërta me të tjerët”.

Zoti nuk më ka lënë kurrë vetëm

Së fundi, një kujtim personal, duke iu përgjigjur pyetjes “Si e dëgjuat thirrjen për herë të parë?”

“Di që rastësisht hyra në Kishë, pashë një rrëfyestore e prej andej dola tjetër njeri, kisha ndryshuar krejtësisht. Jeta ndryshoi pikërisht aty”.

Jezusi, vijoi Papa, më ka tërhequr me afërsinë ndaj meje:

“… Zoti nuk më ka lënë kurrë vetëm, edhe në çastet më të vështira e më të errëta, edhe në çastet e mëkatit, eh? Sepse duhet ta themi edhe këtë: të gjithë jemi mëkatarë. Por e themi në teori… Jo, jo, në praktikë, eh? Unë i kujtoj mëkatet e mia e turpërohem”.

Pastaj Papa Françesku kujtoi se nuk e njihte meshtarin, që e rrëfeu, por në vijim, udhëheqësi i tij shpirtëror ka qenë salezian, i cili, në fund të fundit, e çoi drejt jezuitëve:

“Ekumenizëm fetar!” komentoi Ati i Shenjtë, i cili u la të rinjve e të rejave të shuguruara një këshillë të vlefshme përgjithmonë: “Kini kujdes nga narcizizmi. Të jeni burra e gra të adhurimit të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.