2015-09-17 12:13:00

C9: kongregatat e ipeshkvijtë e rinj, pedofilia, komunikimi


U fol për kongregatat e reja, për procedurat e emërimit të ipeshkvijve, për Sekretarinë e re të Komunikimit, por edhe për shpejtimin e proceseve në rastet e pedofilisë, gjatë mbledhjes së Këshillit të nëntë kardijave, C9, që përfundoi dje punimet në Vatikan, në praninë e Papës Françesku. Takimi i ardhshëm do të mbahet nga 10 deri në 12 dhjetor.

Do të themelohet një kongregatë laikë-familje-jetë

         Në konferencën për shtyp, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, sqaroi se kardinajtë (në mungesë të kardinalit Maradiaga, i sëmurë) i kanë propozuar Atit të Shenjtë themelimin e një kongregate, që duhet të merret me laikët, familjen dhe jetën, duke bashkuar kështu në një, organizmat e tanishëm të Kuries Romake, që punojnë në këto fusha. Ndërkaq, akoma nuk ka asnjë propozim për projektin tjetër të ngjashëm, që duhet të përfshijë bamirësinë, drejtësinë e paqen. Ja ç’tha atë Lombardi:

         “Siç e kemi kuptuar e tashmë është mjaft e qartë, reforma e Kuries nga pikpamja organizative nuk do të bëhet gjithë përnjëherë. Pra, gjithçka studiohet sistematikisht, gjithçka sqarohet njëkohësisht e kështu, përgatitet një dokument i madh e gjithçka risohet në të njëjtën kohë… Jo, ecet me nivele e me etapa, pastaj, Papa, me lirinë dhe autoritetin e vet, vendos se kur e si duhen bërë hapat e ndryshme”.

Emërimi i ipeshkvijve të rinj

         Kardinajtë, vijoi më tej atë Lombardi, reflektuan edhe mbi procedurat e emërimit të ipeshkvijve të rinj, sidomos përsa u përket cilësive dhe kërkesave për kandidatët, në dritën e përvojës së botës së sotme e mbi bazën e informacioneve të mbledhura:

         “Cila është figura e ipeshkvit e përshtatshme për botën e sotme e cilat janë kërkesat e problemet për t’u kushtuar vëmendje në kërkimin e kandidatëve? Kjo është çështje gjithnjë aktuale. Nuk duhet të na shkojë ndërmend ndonjë arsye e veçantë, tepër specifike, është problem i vazhdueshëm”.

Sekretaria për Komunikimin po harton statutet

         Kardinajtë dëgjuan edhe prefektin e Sekretarisë së re për Komunikimin, imzot Dario Viganò, i cili lajmëroi krijimin e një grupi për hartimin e statuteve të Sekretarisë. Grupi, njoftoi atë Lombardi, ka filluar tashmë punën. Përbëhet nga përfaqësues të nëntë institucioneve, që kanë kompetenca të tipit juridiko-administrativ. Kardinajtë kërkuan që institucioneve në varësinë e kësaj Sekretarie t’u jepen sa më shpejt direktiva të sakta, në mënyrë që të vijojë reforma për integrimin dhe administrimin unik të organeve të komunikimit të Selisë së Shenjtë. Përsa i përket linjës politike të informacionit vatikanas, sqaroi atë Lombardi, përgjegjësia i takon Sekretarisë së Shtetit:

         “Unë, natyrisht, nëse kam probleme, që kanë të bëjnë - të themi - me marrëdhëniet diplomatike të Selisë së Shenjtë me ndonjë vend të botës, pyes Sekretarinë e Shtetit, pyes imzot Becciu-n, imzot Gallagher, nganjëherë vetë kardinalin Parolin. Këta janë pika referimi për çështje të ndjeshme të informacionit. Ndërsa Sekretaria, si dikaster, ka më tepër detyra të karakterit organizativ, që natyrisht, ndikojnë mbi konceptimin e punës, por s’kanë të bëjnë me përmbajtjen e veçantë të informacionit. Burimi i direktivave dhe i orientimit për këtë mbetet Sekretaria e Shtetit”.

Çështja e pedofilisë

         Përsa u përket çështjeve të abuzimit me të miturit, kardinajtë shqyrtuan mundësinë e trajtimit me përparësi të proceseve gjyqësore në vijim:

         “Ka procese të prapambetura, çështje që presin prej kohësh, prandaj një nga temat për të cilat u fol është edhe kjo: të përshpejtohen proceset e prapambetura e të mos pritet gjatë për trajtimin e çështjeve të mëparshme”.

         Së fundi, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë theksoi se Këshilli i nëntëshes ka marrë për shqyrtim një projekt për hyrjen(preambula) e Kushtetutës së re të Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.