2015-09-15 14:50:00

Takimi i të shuguruarve: flet imzot Carballo


U hap sot Takimi botëror për të rejat e të rinjtë e shuguruar, organizuar nga Kongregata për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike. Tema e zgjedhur: “Zgjojeni botën – Ungjilli, profecia, shpresa”.

         Për pesë ditë, pjesëmarrësit do të reflektojnë mbi përvojën e formimit, do të ndajnë e do të dëshmojnë bukurinë e thirrjes së secilit. Rreth 4000 mijë të rinj e të reja nga e gjithë bota mblidhen çdo ditë në Sallën Pali VI për të folur pikërisht për thirrjen e Zotit, për jetën vëllazërore në bashkësi e për misionin e tyre. Por si mund të përjetohen këshillat ungjillore për varfëri, bindje e pastri, në një kuadër shoqëror si ai i sotmi? Pyetëm sekretarin e Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, imzot José Rodriguez Carballo:

         Do të nënvizoja një aspekt:lirinë e zemrës. Bindja, pastria dhe varfëria, ashtu siç kuptohen prej nesh, nuk kanë qëllim tjetër, veçse një zemër krejtësisht të lirë e të gatshme për Zotin e për vëllezërit; e kjo nuk është e lehtë në këtë shoqëri. Por, pikërisht sepse nuk është e lehtë, t’i zgjedhësh do të thotë të marrësh një vendim thellësisht profetik për këtë kulturë. Të mos harrojmë ç’thotë Papa Françesku: “Ajo, që s’duhet të mungojë kurrë në jetën e një rregulltari, është profecia”. Në këtë kuptim, këshillat ungjillore janë profeci e vërtetë në një botë mjaft të shekullarizuar.

         Karizma, thirrja, nuk është “shishe me ujë të distiluar”, pati thënë Papa Françesku. Duhet jetuar me energji, duke e interpretuar edhe sipas kulturës…

        Thirrja është dhuratë, që Zoti i bën Kishës përmes një themeluesi ose një themelueseje, në një çast të caktuar. Por na e jep, që të zhvillohet në kohë. Prandaj, karizma nuk ka të bëjë vetëm me themeluesin, por edhe me gjithçka vjen më pas. Për shembull, karizma françeskane është pa dyshim Shën Françesku, por edhe 8 shekujt e historisë së kësaj thirrjeje në Kishë. Vetëm kështu, duke e interpretuar në dritën e  sfidave të botës aktuale e madje, edhe në dritën e sfidave të shenjave të kohëve, mund të themi se thirrja është aktuale, e re, përndryshe ç’bëjmë ne? Arkeologji? Mendoj se asnjë rregulltar nuk ka interes të bëhet objekt muzeal! Duhet të kthehemi në frymën e themeluesit për ta bërë thirrjen gjithnjë aktuale. Ndoshta, pyetja më e rëndësishme për ne të shuguruarit nuk është “Ç’ka bërë themeluesi?”, por “Ç’do të bënte themeluesi, nëse do të jetëonte këtë çast, këtu e tani, në këtë Kishë konkrete, në këtë shoqëri konkrete?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.