2015-09-15 14:46:00

Papa Françesku të sëmurëve: feja nuk e zhduk vuajtjen por asaj i jep kuptim


Le të kemi besim në Jezusin e mëshirshëm siç pati Maria: Çfarëdo që Ai të ju thotë, bëjeni”: kjo është tema e mesazhit të Papës për Ditën e 24-të botërore të të sëmurit, që u shpall sot, në përkujtimin liturgjik të së Lumes Mari Virgjër të Dhimbshme. Në qendër të dokumentit papnor, tregimi ungjillor i dasmës së Kanës së Galilesë, ngjarje të cilën Papa e quajti “ikonë të Kishës”. Kremtimet qendrore të Ditës botërore kushtuar të sëmurit do të mbahen më 11 shkurt të vitit 2016 në Nazaret ku “Jezusi nisi misionin e tij shpëtimtar”.

“Pse pikërisht mua?”: mesazhi i Papa Françeskut për Ditën botërore kushtuar të sëmurit përgjigjet në këtë pyetje, të cilën sëmundja, “sidomos ajo e rëndë”, e nxit në zemrën e atij që vuan. Një pyetje që “ gërmon në thellësi”, ndërsa ekzistenca njerëzore hyn “në krizë” e rebelohet. Atëherë, shumë lehtë njeriu mund të bie në “tundimin e dëshpërimit” e “ të mendoj se gjithçka është humbur”, mirëpo pikërisht në këto momente “feja në Zotin zbulon e tregon tërë fuqinë e vet pozitive”. Feja, - shpjegon Papa – vërtetë nuk e zhduk sëmundjen apo dhimbjen, por na ofron çelësin e leximit me të cilin mund të zbulohet “kuptimi më i thellë i asaj që jetohet”. E këtë çelës, vijon Ati i Shenjtë Françesku, na jep Maria, Nëna e Hyjit, njohëse dhe “eksperte e udhës” për arritur sa më afër Jezusit.

Këndej, Papa Françesku në mesazhin e tij ndalet te tregimi ungjillor i dasmës së Kanës së Galilesë, duke e quajtur “ikonë të Kishës” me në qendër Jezusin e mëshirshëm, rrethuar nga dishepujt e nga Maria “ shenjë e lutjes dhe ndihmës së Hyjit”, “Nënë e ngushëlluar e cila ngushëllon bijtë e vet”, “grua e vëmendshme” me “sy vigjilentë e të mirë” e me “zemër amnore të mbushur përplot me mëshirë”. Në  kujdesin e Marisë, “ pasqyrohet përdëllimi i Zotit”, po ai përdëllim të cilin e rigjejmë në kaq shumë njerëz që kujdesën e kurojnë të sëmurët e “dimë t’i kuptojnë nevojat, edhe ato më të paperceptueshme, më të pakapshme, pse shikojnë me sy plotë dashuri”.

Çka të kërkojmë për të dashurit tanë të sëmurë që vuajnë? Sigurisht, shëndetin, shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij, sepse vetë Jezusi e ka zbuluar Mbretërinë e Hyjit përmes shërimeve. Por edhe “diçka më të madhe”: “ta kërkojmë paqen, qetësinë e jetës që fillon nga zemra, e cila është dhuratë e Zotit”. Krishti “llogarit mbi bashkëpunimin” e njeriut, kërkon “disponibilitetin e tij për t’u shërbyer nevojtarëve e të sëmurëve”.

Ky mund të jetë një shërbim “i vështirë dhe i rëndë”, e megjithatë Zoti do ta shndërrojë “në diçka hyjnore”, sepse të jesh “shërbëtor i tjerëve na bënë të ngjashëm me Jezusin më tepër se çdo gjë tjetër”. Të gjithë, atëherë, mund të jemi “duar, krahë, zemra që e ndihmojnë Zotit t’i bëjë mrekullitë e tij, shpesh në heshtje, në fshehtësi” dhe nëse e ndjekim shembullin e Marisë, “Jezusi do ta shndërrojë gjithmonë ujin e jetës sonë në verën më të çmueshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.